Kryeministri britanik Rishi Sunak ka refuzuar kategorikisht thirrjet e liderëve të biznesit për rregulla më të lira të emigracionit për të kapërcyer mungesat e fuqisë punëtore dhe lidhje më të ngushta me BE-në për të adresuar pengesat e dëmshme tregtare si pasojë e Brexit.
Duke folur në Birmingham në konferencën vjetore të organizatës kryesore të punëdhënësve CBI (Konfederata e Industrisë Britanike), Sunak këmbënguli se “Brexit tashmë po jep përfitime dhe mundësi të mëdha”.
“Unë mendoj se prioriteti numër një i vendit tani, kur bëhet fjalë për migracionin, është luftimi i migracionit të paligjshëm, në këtë mënyrë ndalojmë njerëzit që vijnë këtu ilegalisht me varka të vogla përtej Kanalit,” tha Sunak.
Javën e kaluar, qeveria britanike dhe franceze ranë dakord për një marrëveshje të rishikuar për të rritur përpjekjet për të ndaluar numrin në rritje të njerëzve që mbërrijnë në brigjet angleze pasi u larguan nga brigjet franceze me gomone të dobëta.