Nga ROLAND QAFOKU
Ylli polar i muzikës operistike. Këngëtarja më e mirë që ka ekzistuar ndonjëhërë. Diva divina. Zëri i saj është si një thikë. Prima donna absoluta. Askush nuk ka marrë aq shumë duartrokitje sa ajo. Ajo dhe opera janë një histori dashurie. Për askënd tjetër media amerikane dhe jo vetëm nuk ka shkruar me kaq superlativa sa për këngëtaren lirike Maria Callas. Isha i nderuar sot të isha i ftuar në sallën COD nga pianistja e njohur dhe pedagogia e Univeristetit të Arteve Ardita Bufaj në promovimin e një dokumentari dhe të isha pjesë në një panel me personalitete të artit dhe muzikës klasike në nder të 99 vjetorit të lindjes të Maria Callas. Në fjalën time evidentova raportin e kësaj artistje të madhe me median në dimensionin artistik, por edhe personal. Gazetari Christopher Andersen i “New York Times” shkruante:
“Në zemërimet e saj që shpërthenin nganjëherë edhe në skenë, sytë i lëshonin shkreptima, të cilat frymëzonin tek të tjerët frikë dhe tmerr, të përziera me admirim. Ajo kishte arritur në majë me thonjë dhe me dhëmbë”.
Por Callas u mitralua nga blicet e fotoreporterëve si askush tjetër sepse përveç zerit dhe aktrimit ajo ishte dhe një personazh që bënte lajm në çdo veprim të jetës duke marrë edhe epitetin tigresha. Kur miliarderi Aristotle Onassis e la atë për tu martuar me Jacqualine Kennedy pak vite pas vrasjes së presidentit John Kennedy, Callas e pyetur nga gazetarët tha shpejt e shpejt:
“Ajo ka të drejtë tu gjejë fëmijëve një gjysh”.
Interpretimi i saj ishte i niveleve të larta që nuk përsëriten më. Por mes tyre i papërsëritshëm mbetet ai i Casta Diva të Vicenzo Bellinit nga opera “Norma”. E vlerësuar si mbretëresha e muzikës kalsike, jeta e saj pati ulje dhe ngritjet e saj. Edhe fundi ishte pothuajse tragjik. Karrierën e la në moshën 41 vjeçare dhe vdiq në moshën 54-vjeçare në Paris e vetmuar dhe e braktisur dhe sipas amanetit trupi i saj u dogj dhe hiri u vendos në një parcelë varrezash. Por media raportoi se një ditë papritur hiri i trupit të saj ishte vjedhur. Pasi policia e gjeti, u plotësua amanteti i saj duke e shpërndarë hirin në detin Egje në brigjet e Greqisë. Me vdekjen e saj muzika klasike mbeti pa mbretëreshë. Por kujtimi për të dhe për artin që ajo la pas mbetet referencë e jashtëzakonshme. Kjo ishte Maria Callas, atëherë dhe tani.


