Arrestohet për korrupsion zv/presidentja e Parlamentit Europian

Një prej zv/presidenteve të Parlamentit Europian është arrestuar këtë të premte me akuzën e korrupsionit, si pjesë e një hetimi mbi lobimin e dyshuar të vendit mikpritës të Kupës së Botës, Katarit.

Sipas asaj që shkruan DailyMail, eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili, 44-vjeçe, u arrestua mbrëmjen e kësaj të premteje nga policia belge. Ajo është një nga 14 zv/presidentet e Parlamentit Europian.

Më herët, po gjatë ditës së sotme u arrestuan edhe 4 persona të tjerë, mes tyre edhe partneri i Kaili, 53-vjeçari Luca Visentini. Arrestimet e mëparshme u njoftuan nga Prokurori federal i Belgjikës. Hetimet nisën pas zbulimit të 600,000 eurove kesh, në 16 adresa të ndryshme në Bruksel.

Prokurorët nuk specifikuan identitetin e të dyshuarve apo shtetin e përfshirë në këtë skandal, duke thënë vetëm se ishte një shtet i ‘Gjirit’. Autoritetet belge dyshojnë se një prej vendeve të Gjirit ka influencuar vendimet ekonomike dhe politike të parlamentit prej disa muajsh.

Megjithatë, DailyMail shkruan se një burim i afërt me çështjen konfirmoi raportet e shtypit, se hetimet janë fokusuar tek përpjekjet e dyshuara të Katarit për të korruptuar një socialist italian, i cili ishte anëtar i Parlamentit Europian nga viti 2004 deri në vitin 2019.