Brentfordi gjunjëzon Liverpoolin dhe e distancon akoma më tepër nga zona e Championsit

Brentford mposht Liverpoolin me rezultat 3-1 në kuadër të javës së 19-të në Premier League.

Pas vetëm 19 minutash lojë, The Reds u shokuan pasi Ibrahima Konate shënoi një auto-gol, duke i kaluar vendasit në epërsi, derisa Darwin Nunez lëshoi një mundësi të artë në minutat e para të ndeshjes.

Në minutën e 40-të, Mee shënoi për 2-0, por goli i tij u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

Ndërsa, dy minuta më vonë,Brentfordi ia doli ta shënonte të dytin të rregullt, tani përmes Yoane Wissa.

Në pjesën e dytë, Liverpooli ëndërroi për rikthimin kur Alex Oxlade-Chamberlain shënoi për 2-1 pas një asistimi mjaft të bukur nga Trent Alexander-Arnold në minutën e 50-të.

Por Brentfordi dha goditjen përfundimtare për 3-1 me anë të Bryan Mbeumo në minutën e 84-të, pas një asistimi brilant të Norgaard.