Milan mbërrin në Arabi për Superkupën ndaj Interit, vizitë surprizë edhe nga CR7

Skuadra e Milanit ka mbërritur në Riad të Arabisë Saudite, aty ku të mërkurën do të sfidojë Interin në finalen e Superkupës së Italisë.

Kuqezinjtë janë përballur me një vizitë surprizë në hotelin ku janë akomoduar. Cristiano Ronaldo ka përfituar të takojë Rafael Leaon.

Në një postim në faqen zyrtare, kampionët e Italisë kanë publikuar foton e dy sulmuesve, të cilët ishin pjesë e Portugalisë në Botërorin e Katarit.

Derbi i Milanos është transferuar në Arabinë Saudite. Milani dhe Interi do të përballen mes tyre në 18 janar (20:00) në duelin për trofeun e Superkupës së Italisë.

“Djalli” ka fituar shtatë herë këtë trofe, ndërsa zikaltrit një herë më pak. Juventusi është skuadra rekordmene e Superkupës me nëntë suksese.