Libri i ri “Udhëtimi i Helene dhe Eugene Pittard në Shqipëri – Në gjurmët e krijimit të Kryqit të Kuq Shqiptar», i publiçistit Kudret Isaj
Nga Luan Rama
Pas më shumë se një shekulli, një humanist i madh rivjen në Shqipëri përmes librit voluminoz “Udhëtimi i Helene dhe Eugene Pittard në Shqipëri“, një libër prej rreth 1000 faqesh shkruar nga publiçisti Kudret Isaj. Bëhet fjalë për shkencëtarin dhe antropologun zviceran Eugene Pittard, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij e lidhi dhe me Shqipërinë, kohë kur në fillimet e shekullit XX ai mbështeti fuqimisht shtetin e ri shqiptar për të përballuar luftën që i bëhej nga fqinjët dhe politikat shoviniste e hegjemoniste. Që nga vizitat e para të Prof. Pittard, veçanërisht ato të vitit 1921 dhe në vitin 1924 e deri në fund të jetës së tij, Shqipëria mbeti tek ai në anën e zemrës, të përkushtimit, të aksionit dhe të ndihmës konkrete, duke rrezikuar madje dhe jetën e tij. Pittard renditet në historinë shqiptare krahas miqve të mëdhenj të Shqipërisë si senatori francez Justin Godart, nobelisti i Paqes Paul d’Estournelles de Constant, Edith Durham, Aubrey Herbert, Lady Carnarvon, Lord Robert Cecil, poeti Henry Spiess e shumë misonarë të tjerë europianë të cilët iu gjenden Shqipërisë në kohrat më të vështira të ekzistencës së saj. Lidhja e Pittard me Shqipërinë ka qenë shumë e hershme. Në vitin 1910 ai vizitonte qytetin e Shkodrës bashkë me gruan e tij, gazetaren dhe shkrimtaren Noelle Noger, alias Helene Pittard. Eshtë interesante intervista e panjohur deri më sot që Isaj ka shkëputur nga shkrimet e kësaj gazetareje zvicerane e cila lidhet me fotografin dhe piktorin tonë të traditës Kolë Idromeno. Ja çfarë shkruhet në këtë libër nga zonja Pittard që pata kënaqësi ta botoja në shtëpinë botuese “Les Livres Rama“:
***
“… Atë të djelë të 3 korrikut 1910 konsulli austro-hungarez Adolph von Zambaur me bashkëshorten e tij Hortense, Eugene Pittard me Helene Pittard-in dhe Miss Edith Durhamin kishin lënë takim që në mëngjes me piktorin, skulptorin dhe fotografin Kol Idromeno në kishën katedrale të Shkodrës. Tek kundronte sheshin që gumëzhinte para kishës katedrale, Helenës iu ravijëzua në tru pyetja nëse malësorët shkodranë veshur me kostumet e tyre të bukura shumëngjyrëshe kishin çarë telajot dhe kishin dalë papritur nga peizazhet foviste të piktorit francez Henri Matisse? Miss Edith Durhami ulur në stolat e drunjtë përballë kishës katedrale të Shkodrës atë ditë të dielë korriku nisi t’u rrëfejë prof. Eugene Pittard dhe Helenës, konsullit von Zambaur dhe bashkëshortes së tij Hortense përjetimet e saj personale gjatë udhëtimeve në malësinë e Shkodrës, në Mal të Zi dhe në Kosovë në vitin 1908, të cilat përbënin subjektin e veprës Shqipëria e epërme, botuar në vitin 1909. Helenës iu ngulit në kokë idea që t’i merrte një intervistë piktorit Kol Idromeno, i cili nuk e refuzoi propozimin e zonjës zvicerane. Ndoshta intervista në fjalë mund të botohej në ndonjë revistë apo gazetë të Gjenevës.
E diel 3 korrik 1910
Helene Pittard: Për kishën katedrale të Shkodrës ekzistojnë shumë gojëdhëna dhe legjenda shkrimore dhe gojore. A mund të bëjmë një udhëtim imagjinar së bashku nëpër rrjedhat e historisë dhe të ndjekim një itinerar, i cili mund të na bëjë të mundur të ndalemi në stacionet më të rëndësishme të saj?
Kol Idromeno: Kisha katedrale e ka zanafillën e saj tek kisha anunciane e Shën Mërisë, e cila në bazë të dokumenteve kishtare i ka patur rrënjët e saj përafërsisht që në shekullin e XIII-të bri kalasë së Rozafës. Kisha i përkushtohet martirit të parë të kishës katolike Shën Shtjefnit. Në ambientet e brendshme të kësaj kishe të stilit romak të etërve agostinë, në një faqe muri ka qenë pikturuar Zoja e Këshillit të Mirë, e njohur gjithashtu si Zoja e Shkodrës. Piktura paraqet Shën Mërinë me Jezusin fëmijë. Siç do ta shihni edhe vetë, ndryshe nga portretet e tjera të Jezusit, Jezusi fëmijë i kishës së Shën Shtjefnit e ka kokën të rruar. Kjo më shtyn të mendoj se autori mund të jetë një piktor shkodran, për vetë faktin se ai duhet të ketë patur dijeni që familjet shkodrane e kishin për zakon t’ua qethnin flokët fëmijëve të asaj moshe. Për fat të keq, emri i piktorit deri tani ka mbetur i panjohur. Marin Barleti shkruan se në atë periudhë kohore ka qenë e zakonshme që kishat të ndërtoheshin brenda territorit të kështjellave. Ushtria e Sulltan Mehmetit të II-të kishte pushtuar Arbërinë. Gjergj Kastriot Skënderbeu me bashkëluftëtarët e tij qëndroi në Itali nga nëntori i vitit 1466 deri në mars të vitit 1467 për t’i kërkuar ndihmë Papës dhe princërve italianë. Ai do të kthehej në Arbëri 30-40 ditë para fluturimit të Zojës së Këshillit të Mirë, Zojës së Shkodrës nga kisha anunciane e Rozafës në kishën e Genazzano-s në Itali. Disa muaj më pas, ai do të dergjej në shtrat dhe do të përvëlohej nga ethet e forta të malarjes. Gjergj Kastriot Skënderbeu do t’i mbyllte sytë në katedralen e Lezhës në 17 janar të vitit 1468. Princat shqiptarë nuk ishin aq të fortë dhe të bashkuar si më parë për t’u bërë ballë taborreve të panumërta të ushtrisë osmane. Shkodranët i luteshin Jezu Krishtit ditë dhe natë që t’i shpëtonte nga mynxyra që u kishte rënë mbi krye. Qytetarët e saj nisën t’i bëjnë kurbane Jezusit si kurrë ndonjëherë më parë duke pritur me zemër të venitur të dëgjonin zërin e Tij, të shihnin një shenjë, të dëgjonin një sinjal, të ndienin dorën e Tij mbi supe, t’ua rikthente shikimin e humbur me dritën e tij të amshuar.
Helene Pittard: A është e vërtetë që Zoja e Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës fluturoi nga kisha agostine e Shën Shtjefnit në Shkodër në kishën e Genazzano-s në afërsi të Romës?
Kol Idromeno: Kjo mrekulli ka ndodhur në 25 prill të vitit 1467. Sipas legjendës, e cila qarkullon ende në ditët tona, Zoja e Këshillit të Mirë ose Zoja e Shkodrës fluturoi në qiell e shoqëruar nga engjëjt, të cilët i hoqën udhën në drejtim të kishës së Genazzanos në Itali. Venedikasit ua dorëzuan Shkodrën turqve me traktatin e paqes së 26 janarit të vitit 1479. Para se të largoheshin, ata do t’i linin Shkodrës si kujtim trajtën e italianizuar Scutari të emrit të saj, trajtë e cila do të fitonte shumë shpejt të drejtë qytetarie në kancelaritë më të rëndësishme europiane, në hartat gjeografike, në botimet historike, në guidat turistike. Ushtria osmane, me të pushtuar kështjellën e Rozafës, nuk nxitoi që të zhbënte nga themelet kishën e Shën Mërisë, përkundrazi, osmanët ia ndryshuan destinacionin duke e kthyer në xhami, në objekt kulti islam në mënyrë që trupat ushtarake turke dhe besimtarët shqiptarë të islamizuar të kryenin ritet e tyre. Në lidhje me ndryshimin e destinacionit të objekteve të kultit nuk është e vështirë të gjejmë shembuj analogë. Kisha e Shën Sofisë në Stamboll u shndërrua në xhami në vitin 1453. Eshtë i njohur fakti që në vitin 1510 venedikasit ndërtuan kishën katolike të Shën Mërisë në kalanë e Ulqinit. Pas rënies së Ulqinit në pushtimin turk, kisha e Shën Mërisë u shndërrua në xhaminë e Sulltan Selimit të II-të. Dhe kështu mund të vijonim me raste të tjera. Shtegtimi i Zojës së Shkodrës, i Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra në kishën e Genazzano-s duhet pranuar se ishte gjithashtu një bekim për bashkëluftëtarët e Gjergj Kastriot Skënderbeut që kishin emigruar në Itali pas vdekjes së zotit të tyre. Papa Pali i II-të, për të mos u dhënë shkak spekullimeve në lidhje me mrekullitë e Zojës së Këshillit të Mirë në kishën agostine të Genazzano-s, në vitin 1478, dërgoi dy ipeshkvë që të përpilonin një raport të hollësishëm mbi mrekullitë që ndodhnin atje. Një noter i Genazzano-s kodifikoi në një dokument të noterizuar 161 mrekulli të ndodhura në këtë kishë nga 25 prilli deri në 14 gusht 1467. Gojëdhënat tregojnë se Skënderbeu me Donikën e vizitonin për çdo vit Zojën e Këshillit të Mirë bri kalasë së Rozafës. Për të përfytyruar adhurimin që kishte Skënderbeu dhe bashkëshortja e tij Donika për Zojën e Këshillit të Mirë do t’i referohemi studiueses së njohur Fatbardha Shkupi e cila ka shkruar si më poshtë.
“Pas studimesh të thelluara dhe duke u këshilluar me priftërinjtë katolikë, ne kuptuam se Zoja e Shkodrës që gjindet në Xhenacano (Genazzano) pranë Romës, ishte pjesë afresku e prerë nga Kisha e Zojës ndën Kalanë e Rozafatit. Kjo kishë më parë kishte qenë nji tempull pagan i një hyjneshe që mbronte Shkodrën dhe ndodhej midis lumenjve Drin e Bunë. Karakteristikat e Vestës ose Dheztës janë zjarri i pashuar i nymfeut dhe ujrat e rrjedhshme. Pra Shën Mëria e Këshillit të Mirë i ngjan asaj, sipas udhëzimeve që i jepte Papati për t’i respektuar tempujt paganë, për t’i shndërruar gradualisht në Kisha duke i spërkatur me ujë të bekuar.” (Luis Reau, në Iconographie Chrétienne.)
Le të ndjekim tani si e përshkruan Georges Dillon vajtjen e Skënderbeut tek Santuari i Zojës: “…Gjatë zhvillimit të kësaj historie do të shohim se luftëtari i fundit, i cili i rezistoi këtij armiku, qe heroiku Skënderbej, mbreti Gjergj Kastrioti i Shqipërisë, që shkonte vazhdimisht me kërkime ndihme e këshille te Santuari i kësaj figure që ndodhej në këtë vend…” dhe më tutje “… Luani rrufegjuajtës i luftës, mbreti i madh Gjergj Kastrioti, e donte Santuarin e Marijes me një dashuri të përkushtuar dhe entuziaste… Skënderbeu i shkëlqyer, klient i Santuarit të Shkodrës…” (Georges F. Dillon. Nëna virgjëreshë e Këshillit të Mirë në Genazzano.) Kurse Zoncada thotë se Donika i çoi Santuarit të Zojës si dhuratë një tabaka argjendi dhe një kurorë ari, me anën e dy kalorësve. (Antonio Zoncada, në veprën Scanderbeg.)
E dini – vijoi rrëfimin e tij Kol Idromeno, se Faik Konica, një shqiptar mendjendritur dhe poliglot ka zbuluar në Bruksel në vitin 1900, një poezi të shkruar nga poeti francez Pierre Ronsard (1524-1585) për Skënderbeun. Në botimin e parë të saj në revistën e tij Albania Faik Konica midis të tjerash shkruan: “Gjetmë një vjershë përmi Shqiptarët të Ronsard-it, i cili është m’i madhi Vat (poet) i Francës motshme”. Këtë poezi Zhak Lavardin (Jacques de Lavardin) e ka vënë në kapakun e veprës së tij kushtuar mbretit të Shqipërisë. Po e citojmë më poshtë sonetin në fjalë për lexuesit tanë: Pirro m’është dëshmitar, se, ndërsa shkretonte sërish një tjetër qytet / Gjeti më në fund një varr nën muret e Argosë / Dhe Skënderbeu fitimtar i popullit Scythien / që nga tërë Azia përzuri Ungjillin / O nderi i shekullit tënd / O Shqiptar fatal / Dora e të cilit i zhbëri Turqit njëzet e dy herë : Tmerri i kundërshtarëve, lemeria e bedenave të tyre…/ (Pierre de Ronsard). Pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, zotit të Arbërisë – Dominus Albaniae, vendin e mbuloi zia dhe sundimtar i Shqipërisë u shpall Pal Engjëlli, arqipeshkv i Durrësit. Gjeneratë pas gjenerate gojëdhënat rrëfejnë se arbërit u ngjitën në male që të kërkonin ndihmën e tyre për t’i strehuar dhe për t’i shpëtuar prej mizorive të ushtrisë osmane. Legjenda oshëtin deri në ditët e sotme dhe rrëfen se malet u dërguan fjalë arbërve: “Ne nuk mund t’u japim strehë arbërve që i kanë lënë në duart e osmanëve bregun e detit, fushat dhe luginat e Arbërisë. ” Arbërit u dërguan maleve përgjigjen e mëposhtme: “Arbërit nuk e kanë për traditë prej të parëve të fshihen në male. Ne dëshirojmë që malet të na shërbejnë si shkallë për t‘u ngjitur te shpëtimtari ynë Jezu Krisht.”
Helene Pittard: A keni fakte konkrete të cilat dëshmojnë se dy engjëjt Gjorgji dhe De Sclavisi e përcollën Zojën e Këshillit të Mirë, Zojën e Shkodrës në Itali?
Kol Idromeno: Fluturimi i Zojës së Shkodrës është bërë nën mbrojtjen e Jezusit. Legjenda rrëfen se engjëjt të cilët e shoqëruan Zojën e Shkodrës për të kapërcyer detin Adriatik, me t’u afruar në brigjet italiane, e humbën atë papritur nga sytë. Ndonëse u endën për ta rigjetur nëpër të gjithë gadishullin Apenin, nuk mundën që të binin në gjurmët e saj. Do të kalonin kohë (në raste të tilla koha matet me një shekull ose me gjysma shekujsh) dhe një ditë të diel kur besimtarët katolikë të Genazzano-s shkuan të luteshin në kishën e tyre si zakonisht, ata mbetën të shtangur dhe të mrekulluar kur panë afreskun mural të Shën Mërisë me Jezusin fëmijë, i cili nuk ndodhej aty më parë. Pas vdekjes së Skënderbeut dhe emigrimit në Itali, Donika Kastrioti i kërkoi një takim në audiencë mbretit Ferdinand të I-rë të Napolit, të cilin Gjergj Kastrioti e kishte ndihmuar që të hipte në fron gjatë ekspeditës që ndërmori në Itali në vitet 1460-1462. Gjergj Kastrioti kishte patur aleancë dhe kishte nënshkruar traktatin e Gaetës në vitin 1451 me të atin e tij, Alfonsin e Napolit. Në shenjë mirënjohjeje Ferdinandi i I-rë i kishte dhuruar sundimtarit të Shqipërisë – Dominus Albaniae, prona në Italinë e jugut, si dhe një pension vjetor prej 1200 dukatesh. Ferdinandi i I-rë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit e priti me nderime bashkëshorten e tij, Donikën dhe djalin e tij Gjonin, madje shteti i Napolit u fali toka bashkëluftëtarëve të Skënderbeut në Siçili, në Kalabri, në Pulje. Ferdinandi i I-rë i Napolit e siguroi Donika Kastriotin se lajmi për shfaqjen e Zojës së Këshillit të Mirë në kishën e Genazzano-s ishte i vërtetë. Donika Kastrioti me të birin, Gjonin, e shoqëruar nga bashkëluftëtarët më të afërt të Skënderbeut, kishte qenë e detyruar dhe nuk kishte patur rrugë tjetër përveçse të largohej nga Arbëria për t‘u shpëtuar mizorive të ushtrisë osmane. Për të shprehur sadopak dhembjen e thellë të Donika Kastriotit, bashkëshortes së Skënderbeut tek po kapërcente detin Adriatik dhe po ndahej përgjithmonë me Arbërinë, autori i kësaj monografie ka vënë në gojën e saj vargjet e mëposhtme: “Det o det rrudhi pak dallgët/ Të shohim malet e Arbërisë/ O Jezus na qëndro pranë / O Madonë mos na braktis/”.
Helene Pittard: Si reaguan besimtarët katolikë shkodranë kur panë se Zoja e Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës i la lamtumirën Arbërisë, fluturoi me engjëjt në qiell dhe kaloi në anën tjetër të Adriatikut?
Kol Idromeno: Trishtimi mbuloi gjithë Arbërinë dhe tërë Shkodra ra në zi. Do të ishte më mirë që besimtarëve katolikë t’u kishin këputur një gjymtyrë nga trupi sesa të shihnin Zojën e Këshillit të Mirë t’i braktiste në fatin e tyre. Qytetarët e Shkodrës u ndanë në dy kampe. Njëri kamp mbronte mendimin se ikja e Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra ishte fatkeqësia më e madhe që mund t‘i ndodhte qytetit të tyre. Cili do t’i mbronte tani nga shpata e jeniçerëve osmanë? Cili do t’u jepte shpresë për të jetuar, cili do t’u jepte zemër për të luftuar, cili do t’u jepte sy për të ëndërruar? Përfaqësuesit e kampit tjetër ishin më gjakftohtë në gjykimin e tyre. Ata mbronin idenë se Zoja e Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës kishte patur një motiv të fortë dhe bindës për të kaluar në anën tjetër të Adriatikut. Në fund të fundit, a nuk kishte ikur Zoja e Shkodrës nga kisha e Shën Mërisë në kishën e Genazzano-s në Itali për t‘i mbrojtur, që të ruanin për të të njëjtin përfytyrim dhe të njëjtin adhurim që kishin patur etërit, gjyshërit, stërgjyshërit dhe katragjyshërit e tyre për shekuj me radhë? Cili nga qytetarët shkodranë do të duronte dhe do të pranonte që afresku i Shën Mërisë me Jezusin fëmijë të përçudnohej, të dhunohej, të merrte plagët e ushtave e të thikave dhe sytë e Shën Mërisë të kullonin gjak nga fyerja dhe poshtërimi?
Helene Pittard: Cilat janë rrethanat historike të ndërtimit të kishës katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër?
Kol Idromeno: Guri i parë i kishës katedrale në Shkodër është vënë në 7 prill 1858 me fermanin e Sulltanit të vitit 1851. Atë ditë të mërkurë u vu kryqi mbi gurin e parë të themelit që u bekua nga arqipeshkvi Topich. Në atë ceremoni mori pjesë i tërë populli i Shkodrës, katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Mori pjesë konsulli Bonati i Anglisë, konsulli Hekard i Francës, konsulli Illiç i Rusisë dhe konsulli Ballarini i Austrisë. Vlen të theksohet këtu fakti që konsulli i Francës Hyacinthe Hecquard në 1858 kishte botuar veprën e tij me titull Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së veriut, ose Gegërisë (Histoire et description de la haute Albanie ou Guégarie). Katedralja u ndërtua në tokën që i dhuroi kishës Palok Krandja. Inaugurimi i kishës katedrale u bë shumë vite më pas në vitin 1897 dhe aty do të zbulojmë shkrepjet magjike të Pietro Marubit. Kryepeshkop i katedrales ishte Luigj Çurçija. Në vitin 1865 u ndërtua Beledija – bashkia e Shkodrës. Po të shfletojmë statutet e Shkodrës të shekullit të XIV-të, na del se qyteti i Shkodrës e ka patur simotrën e saj, bashkinë, të emërtuar sipas konstitucionit të kohës që në shekullin e XIII-të. Në dokumentat arkivore të Arkivit të Shtetit në Tiranë si dhe të Arkivit të Shkodrës do të njihemi me faktin se për ndërtimin e kishës katedrale Sulltani ka dhuruar 700 lira ari turke, Papa Piu IX ka dhuruar 1000 skuda floriri, konsulli i Austro-Hungarisë ka dhuruar 150 napolona ari dhe konsulli rus hodhi në themelet e kishës xhamadanin e tij prej ari. Shkodrani Gugash Shënkolli i ftuar në dasmën e perandorit të Austro –Hungarisë i kërkoi ndihmë këtij të fundit për ndërtimin e katedrales së Shkodrës dhe nuk u largua nga Vjena derisa shtiu në dorë 450 napolona të thata floriri. Kisha katedrale e Shkodrës i është kushtuar Shën Shtjefnit. Trupat ushtarake turke, pas pushtimit të kështjellës së Rozafës, vendosën aty një regjim të rreptë kontrolli dhe nuk lejonin persona të paautorizuar të afroheshin në perimetrin e kishës së Shën Mërisë, të cilën ata e shndërruan më pas në xhami. Ipeshkvit dhe etërit katolikë bashkë me besimtarët e tyre ishin të detyruar të largoheshin nga Shkodra dhe të jetonin në fshatrat Shirq, Barbullush etj. Këtë fakt na e përforcon dhe na e ilustron rasti i dëbimit të imzot Pjetër Bogdanit, i cili jetoi në shpellën e Rrjollit dhe të Jubanit në vitin 1656. Besimtarët katolikë e vinin veten e tyre në rrezik për të kryer ritet e tyre fetare. Atëhere Papa dha pëlqimin që vajzat dhe gratë e Shkodrës të ndërtonin kishëza pranë shtëpive të tyre, në mënyrë që të praktikonin ritualet katolike. Me gjithë vrasjet, përdorimin e dhunës dhe raprezaljet që administrata ushtarake turke ushtroi kundër besimtarëve katolikë, nuk mundi t’ua çrrënjoste besimin tek Jezusi. Papa Leoni i XIII-të dhe kuvendi i Arbërit i mbajtur në vitin 1703 e shpallën Zojën e Këshillit të Mirë dhe Zojën e Shkodrës Pajtore të Shqipërisë dhe mbrojtëse të kombit shqiptar. – Ejani tani miqtë e mi – iu drejtua Kol Idromeno mysafirëve, të hyjmë brenda në kishën e madhe, në kishën katedrale të Shkodrës. Arkitekti i saj ka bërë të mundur me projektin e tij që në hapësirën e brendshme të saj t’i luten Krishtit 6000 besimtarë në të njëjtën sallë. Kur ra tërmeti në Shkodër, pesë vite më parë, në 1 qershor 1905 në orën 5.30 minuta, unë punoja me tim atë Arsen Idromenon për riparimin e katedrales. Tërmeti bëri dëme të mëdha në Bahçallëk, në Tabakë, në Alibegaj, në Tepe, ku mbetën të vrarë 159 vetë dhe u plagosën 250 të tjerë. E vështroni tavanin e lartë prej druri të kishës katedrale? – vijon të kujtojë Kol Idromeno – aty kam pikturuar afreskun e Shën Mërisë me Jezusin fëmijë. Më është dashur të punoj për muaj me radhë, i varur me litarë që nga mëngjesi deri në mbrëmje për të përmbushur atë vizion që kishte pushtuar mendjen dhe shpirtin tim. Nuk mund ta përfytyroja kishën katedrale të Shkodrës pa afreskun e Shën Mërisë me Krishtin fëmijë. Nëse vdekja do të më merrte një ditë dhe ende nuk do ta kisha pikturuar afreskun e kishës së Shën Mërisë me Krishtin fëmijë në tavanin e kishës katedrale të Shkodrës, me siguri që do t’i kërkoja disa ditë leje Jezusit të plotfuqishëm për të mbaruar misionin tim. Jam i sigurtë që Jezusi nuk do të ma refuzonte lutjen. Para se të filloja punën me afreskun në kishën katedrale të Shkodrës në kapërcyell të shekullit të XX-të – vijoi tregimin e tij Kol Idromeno – i hipa anijes dhe shkova në Itali për të parë me sytë e mi nga afër Zojën e Këshillit të Mirë, Zojën e Shkodrës në kishën e Genazzano-s. Kam qëndruar dhjetë ditë e net në atë kishë duke kundruar afreskun e Shën Mërisë me Jezusin fëmijë dhe në mënyrë të pavetëdijshme më rridhnin lotë nga mallëngjimi. Jua them me zemër të hapur, se do të duhej të shteronin tërë dallgët e detit që të shteronin lotët e mi, kur parafytyroja kalvarin e vuajtjeve që kishte hequr Zoja e Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës për ne. Vështroni pikën më të lartë të tavanit të kishës katedrale të Shkodrës në kupën e lterit të madh, ku kam pikturuar afreskun e Shën Mërisë me Jezusin fëmijë. E kam pikturuar duke patur të gjallë në sytë e mendjes afreskun e Shën Mërisë me Jezusin fëmijë në kishën agostine bri kalasë së Rozafës. Shën Mëria vështron me përdëllim të thellë birin e saj, Jezusin, i cili njërën dorë ia ka vënë në gjoks dhe dorën tjetër e ka harkuar në qafën e saj. Imazhin e Shën Mërisë me Jezusin fëmijë që fluturon nëpër re e kam rrethqarkuar nga engjëjt, të cilët e shoqërojnë atë gjatë udhëtimit. Shën Mëria me Jezusin fëmijë në krah në çastin që fluturoi në qiell hodhi mbi Shkodër një dritë të bardhë dhe të butë vezulluese. A nuk ngjajnë dy burrat me dy qytetarë shkodranë, të cilët janë shtangur dhe mrekulluar nga fluturimi i Zojës së Këshillit të Mirë, Zojës së tyre në qiell? Në sfondin që shihni pas supeve të tyre shfaqen konturet e qytetit të Shkodrës dhe të kalasë së Rozafës, si një vegim i mbramë që Zojës së Këshillit të Mirë do t’i mbetej i pashlyeshëm. Shihni tani fasadën ballore të kishës katedrale – e shtyu mendimin e tij më tutje Kol Idromeno. A vini re diçka që ju tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë? A shihni aty një bllok masiv në formë trekëndëshi brenda të cilit përvijohet konfiguracioni i një syri të gdhendur në gur. Ejani më pranë që ta lexojmë diçiturën së bashku: Dio vede tutto / Zoti sheh gjithçka. Përveçse personifikon një nga mësimet e Jezusit, a shihni në kontekstin e saj ndonjë lidhje tjetër të drejtpërdrejtë apo të tërthortë? Kam përshtypjen që syrit tuaj nuk do t’i ketë shpëtuar fakti, sipas të cilit në njërën faqe të kartmonedhës së 1 – dollarit amerikan të vitit 1782 mund të shquhet me shikim të lirë një piramidë me bazë katrore me siluetën e një syri të ravijëzuar mbi të, e cila njihet zakonisht me emrin delta drita, – e përmbylli rrëfimin e tij Kol Idromeno. Kjo simbolikë mund të dëshifrohet në forma të ndryshme. Megjithatë, thelbi i saj përbën arketipin e sentencës lakonike, e cila i ka rezistuar shekujve, sipas së cilës: syri sheh gjithçka…“