Pasi mori vulën me vendim gjykate, “kryetari i komanduar” i PD-së Enkelejd Alibeaj, i ka bërë thirrje Grupimit Berisha për të bashkëpunuar dhe harruar konfliktet. Refuzohet nga Rithemelimi. Paloka: “Është thjesht hipokrizi dhe koha e ka provuar këtë, vulën ua jep Rama”
Partia Demokratike nuk po gjen qetësi, as pas vulës që u vendos se nga cila dorë do të përdoret. Tani Sali Berisha do të kalojë nën strehën e Partisë së Lirisë, ndërsa Enkelejd Alibeaj është në statusin të hapë partinë dhe të ftojë deputetët dhe “primarët” e Berishës në zgjedhjet e 14 Majit. Madje Alibeaj shkon edhe më tej, ai thotë se e fshin nga “memoria” e PD këtë “ping pong” të vulës. “E mbyllim këtu, ta harrojmë”, kjo ishte thirrja e Enkeljd Alibeaj, duke shtrirë dorën e pajtimit brenda Partisë Demokratike për të arritur atë që ai e cilësoi si “të vetmen mënyrë për të rrëzuar qeverinë”. Gjatë një takimi me strukturat e PD-së në degën 12 në Tiranë, Alibeaj u shpreh i gatshëm të fusë në listat e grupit që ai drejton po përgatit për zgjedhjet e 14 majit edhe kandidatët e dalë nga primaret e “Rithemelimit”. Ditën e hënë, pas mbledhjes së Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të kryetarëve, ishte rënë dakord ngritja e një grupi prej 3 deputetësh, Gazment Bardhi, Merita Bakiu dhe Flamur Hoxh, të cilët u mandatuan për të biseduar me grupin e Rithemelimit për çështjen e gjetjes së gjuhës së përbashkët për një kandidat të Partisë Demokratike.
Reagimi i Palokës
Deputeti demokrat, Edi Paloka, ka hedhur poshtë ftesën e Enkelejd Alibeajt, për të dalë me kandidat të përbashkët me Rithemelimin në zgjedhjet vendore të 14 majit. Në një deklaratë për mediat, Paloka e cilësoi këtë hipokrizi dhe tha se e gjithë kjo është pjesë e lojës së Ramës për të shkatërruar opozitën. “Që kur del nga goja e Alibashëve nënkuptohet që është thjesht hipokrizi dhe koha e ka provuar këtë, vulën ua jep Rama. Janë hapur bashkëpunëtorë të Ramës dhe tani partitë propozojnë bashkëpunim me PD-në. E gjithë kjo është pjesë e lojës së Ramës për të shkatërruar PD-në dhe opozitën shqiptare, këta janë bashkëpunëtorë dhe shërbëtorë të Ramës në këtë lojë. Si papritur këta pranojnë kandidatët e primares dhe kur bëheshin negociatat nuk i njihnin primaret. Është hipokrizi për ta dëmtuar PD-në në zgjedhje për të cilat tentuan ta linin jashtë në zgjedhje”, tha deputeti demokrat. Paloka theksoi se janë në negociatat me partitë e tjera opozitare për të hyrë në koalicion në zgjedhje. “Janë të gjitha partitë që kemi pasur koalicion, po bisedohet edhe me partitë e tjera të koalicionit. Sipas formulës që ka Kodi zgjedhor do të duhet të gjejmë formulën optimale për koalicionin”, tha ai. Ndërkohë, Agron Duka ka pohuar se Partia Agrare Ambientaliste që ai drejton do futet me listat e veta për këshillat bashkiak në zgjedhjet e 14 majit, por aty ku partia e tij ka ndikim do të mbesin kandidaturat e Berishës për kryetar bashkie. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe Fatmir Mediu.