Nga Shpendi Topollaj
Aty nga vitet shtatëdhjetë të shekullit që shkoi, nuk para ishte në modë takimi e qëndrimi nëpër kafene. Tani kanë ndryshuar shumë gjëra. Ndaj dhe ne, mbasditeve mblidheshim aso kohe në ndonjerën nga studiot e piktorëve Gavril Priftuli, Nikolet Vasia dhe Nelo Lukaçi që ndodheshin pranë e pranë, në krah të bustit të sotëm të heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit. Kur i shihje nga jashtë ata xhamat e lyer me bojë të bardhë, të krijohej përshtypja se ato fshihnin një qetësi dhe ftohtësi artistësh që duan të punojnë të mbyllur në vetminë e tyre. Por s`i hyje brenda e kuptoje se ishe gabuar, pasi mes asaj rrëmujës harmonike të atyre studiove, ku gjeje me shumicë piktura të varura ndër mure, skulptura, albume, libra, kavalete, bojra, penela e deri gurë gjithfarësh e ndonjë thes allçije, zjenin bisedat e debatet e pafund. Do gjeje aty intelektualë të të gjitha llojeve, por oficer isha vetëm unë. Ca ulur e ca në këmbë, ca me zë të ulët e ca me tone të larta, ca me tolerancë e ca me këmbëngulje, jepnim mendimet tona për veprat e tyre. Ata dëgjonin, falenderonin, pranonin, kundërshtonin sipas rastit. Pastaj flisnim për artin në përgjithësi, për letërsinë, muzikën, kinemanë e ku di unë. Gavrili e mbante më shumë kokën ulur, vazhdonte të punonte kur fliste. Nelua gjykimin e tij për skulpturat që bënte e shoqëronte me gjeste, me lëvizje të paprera duarsh. Kurse Nikoleti ishte më impulsiv. Fliste me pasion e gjallërohej kur bashkëbiseduesi nuk ishte i një mëndjeje me të. Shpesh skuqej në fytyrë dhe sytë i merrnin një shkëlqim të veçantë, ngaqë e përjetonte atë që thosh.
Kam kaluar fëmijërinë time në Shkodër dhe ruaj për ata njerëz një dashuri të jashtëzakonshme. Me qenë se edhe ai ishte shkodran (edhe pse dialektin e kishte si gjithë durrsakët) mua më tërhiqte shumë e folura e tij e rrjedhëshme e cila vinte dhe nga kultura e tij e kultivuar. I referohej shpesh Rilindjes italiane dhe dukej që e njihte mirë Firencen që nga koha e Kazimo Mediçit.
– E çuditëshme! – thosh – Para më shumë se pesëqind vjetëve, ata bënë mrekullira, pasi mbanin në oborrin e tyre njerëz të mençur, filozofë, poetë, arkitektë dhe artistë të famshëm. Krijuan më 1439 – tën Akademinë e Platonit dhe bibliotekën më të dëgjuar në tërë Evropën. Kurse ne akoma me lopçarë e karrocierë… Ata natyrisht që do e urrejnë kulturën. I ke parë ndonjëherë të fusin kokat në studiot tona?
Dhe kishte të drejtë, pasi të gjithë sekretarët e parë të partisë, mbi ato studio e kishin shtëpinë.
Ishte kënaqësi t`a dëgjoje Nikoletin teksa fliste me aq kompetencë për Girlandarion, Antonio Polain, Andrea Mantenjën, Pieri dela Françeskën, pa le pastaj për Masaçion dhe pikturat e tij murale.
– Të mendosh se vdiq fare i ri – thosh – dhe la ato kryevepra.
Dhe si mendohej një çast, duke hapur albumin e tij, komentonte “Rënia në mëkat” dhe “Përzënia nga Parajsa”. I rrëmbyer nga pasioni, nuk para merakosej që t`i kontrollonte ato që thosh:
– Ah! Sa mëkate kemi ne. Dhe i pari është ai se i shpallim luftë parajsës biblike, duke deklaruar se do t`a ndërtojmë atë këtu në tokë.
Dhe pa e ndërprerë hovin, vazhdonte:
– Pse a nuk është mëkat që nuk na lenë të shkojmë e t`i shohim këto kryevepra me sytë tanë? Pesë vjet nga jeta ime do të jepja, veç të vizitoja galerinë Ufizzi, kapelën Brankaci apo muzeun e Vatikanit e sidomos Kapelën Sistinë.
Leonardon, Rafaelon dhe Mikelanxhelon i njihte në detaje. Madje edhe për jetën e tyre ishte shumë i informuar. Në një farë kuptimi, ai ishte një kritik i mirëfilltë i artit.
Një herë, së bashku me dy shokët e tjerë, po punonin jashtë në trotuar me fragmente çimentoje, mozaikun për muzeun e dëshmorëve. Unë duke qëndruar aty dhe duke i parë me kurreshtje, thashë:
– Epo me këtë do të mbeteni të pavdekshëm. Juli i Dytë e paska zgjidhur qesen.
– Po, po – nuk iu durua Nikoletit që me shpoti vijoi – Papa Juli i dytë, e porositi për varrin e tij. Te ne nuk ka vdekje.
Nikoleti kishte një vullnet titanik për punë. Dora e tij njihej me një herë. Përdorte ngjyra të ndezura, shumë të theksuara dhe mjaft të ndara nga njëra – tjetra. E megjithatë, në të gjitha tabllotë e tij, kolori kishte një tërësi unike. Admironte Botiçelin. E quante atë poet që dinte të kombinonte aq mjeshtërisht figurat delikate me ndjenjat e brishta.
– Jo më kot – më shpjegonte një herë – ai, figurën e Venerës e ka marrë nga poeti Anxhelo Poliçiano, ndaj dhe kushdo mund të vërejë trishtimin e saj. Pikërisht për këtë dhe e kanë quajtur Sandro Botiçelin piktor i melankolisë. Dhe s`duhet harruar – vazhdonte – se është po ai që ilustroi Komedinë hyjnore. Edhe pse kishte lindur 124 vjet pas vdekjes së Dantes.
Edhe vetë pëlqente shumë Ismail Kadarenë. Dhe jo vetëm poezinë e tij. Atë e quante poet edhe në prozë.
Kur e shihja ashtu të përqendruar para telajos, sepse më ngjiste me Van Gogun, sipas autoportretit që vetë ai na ka lënë. Madje edhe pikturat e tij më ngjisnin me “Ara me grurë” apo “Lule dielli”, këto pararendëse të veprave ekspresioniste.
Shprehte keqardhjen për ndalimin e nudove. Me qesëndi thosh:
– Na prishin moralin proletar. Se punëtorët dhe fshatarët i urrejnë sisët dhe shalët e femrave.
Dhe sikur t`a kisha unë fajin për këtë, më drejtohej me një inat të pa fshehur:
– Ç`është kjo mor…
Gjithmonë ishte në kërkim të teknikave të reja. Eksperimentonte vazhdimisht. Një herë e gjeta duke përdorur si me dyshim disa bojra të lëngshme gjermane që mbaheshin nëpër shishe dhe që ishin prodhuar në Dresden më duket. Më sqaroi se ishin bojra xhami, vitrazhi. Kishte bërë një portret shumë të bukur vajze të vogël. Dhe kur unë i thashë se ishte krejt si Eda ime, pa e zgjatur, me një gozhdë, gërvishti në një qoshe të saj inicialet e tij, dhe ma dhuroi.
Kur ndërtuam një muze në qendrën e Brigadës në Kavajë, krahas disa piktorëve të tjerëve, zgjodha dhe një tabllo të tijën. Pas disa ditësh, i thashë të shkonte në financë për të tërhequr lekët. Aty për aty, më tha:
– Kemi shumë nevojë për to, por nuk kuptohet kënaqësia që përftohet kur mendon se vepra jote diku është ekspozuar.
Një herë, kur shkrova librin e parë për mitologjinë, iu luta t`ia bënte ai kopertinën. U tregua shumë i gatshëm, veç kërkoi që më parë t`a lexonte në dorëshkrim librin. Pastaj, si punoi intensivisht, m`a solli një vizatim të bukur. Për bela, botuesi e kërkonte me ngjyra, dhe kur pa se unë nuk mund t`a angazhoja më Nikoletin, bëri një zgjedhje tjetër. Kur ia çova të shtypur librin, më përgëzoi pa më kërkuar shpjegime. Nuk kishte nevojë as t`a sqaroja, pasi po vetë më tha:
– Edhe kështu shumë mirë ka dalë.
Tani që atë vdekja e rrëmbeu aq papritur, e kam peng që nuk ngula këmbë të vihej në kopertinë ai vizatim.
Por tek e fundit, kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Për ata që ndërrojnë jetë, Sokrati thosh se vdesin jo kur mbulohen me dhe, por kur harrohen. Dhe unë e kujtoj gati çdo ditë piktorin rebel Nikolet Vasia, kur kaloj atje në krah të bustit të heroit Azem Hajdari, ku dikur ishin tri studio, xhamat e lyer me të bardhë të të cilave, të krijonin përshtypjen e gabuar se fshihnin një qetësi dhe heshtje piktorësh, por ku vlonin plot gjallëri ato biseda të pa fund për artin e lirë nga njerëz me shpirtin e lirë si ai i Nikoletit.