Nga Fatmir Minguli
Kjo histori, ndoshta nga më të veçantat në jetët që kanë kaluar shqiptarët, është për Kiço Milo Kuçin nga Nivicë Bubari i Sarandës. Kiçoja u lind në Nivicë Bubar në vitin 1917 ku kreu dhe shkollën katër vjeçare të fshatit. Në moshën njëmbëdhjetë vjeçare ,së bashku me të vëllanë Miston shkuan në Rodezi të Afrikës, ku i priste i vëllai tjetër, Vasili. Në peripecitë e atij udhëtimi të gjatë, Mistoja vdes duke mos e përballuar vështirësinë e rrugës për në Rodezi.
Me arritjen te i vëllai , Kiçua u sistemua në familjen e Vasilit mbasi dhe i vëllai nuk kishte fëmijë. Aty Koçua mori arsim të plotë duke kryer shkollën e Lartë Tregtare të Rodezisë. Në shtëpinë e Vasilit ai kaloi një jetë të plotë intelektuale ,mbasi falë emigrimit të hershëm të Vasilit dhe të punës së madhe të tij , ai kish çiflikun e vet. Ky fakt është dëshmuar në “Historikun e fsahtit Nivicë Bubar “të hartuar që në vitin 1975.
Në vitin 1943, Rodezia, duke qenë koloni e Anglisë , mobilizoi ushtarakë për pjesmarrje në Luftën e Dytë Botërore. Një pjesë e tyre erdhi në Shqipëri në kuadrin e Misionit Anglez. Në përbërje të misionit ishte dhe Kiço Kuçi me gradën e kolonelit dhe që ishte caktuar si përkthyes në këtë mision. Ishte dëshira e madhe e Kiços për tu inkuadruar në trupat e misionit anglez , vetëm e vetëm që të vinte e të shihte Shqipërinë. Ishtë dëshira e tij shumë e madhe dhe malli për fshatin dhe të afërmit e tij. Me të arritur në Tiranë kërkoi të vëllanë tjetër , Panon, por në se ai do të kishte dale partizan. Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë , Kiçua u takua me Panon kur ai ishte i inkuadruar si partizan në Brigatën e 14 – të sulmuese në Sheper të Zagorisë. Gjatë viteve kur Misioni Anglez veproi në Shqipëri , Kiço kërkoi të martohej me një vajzë shqipatre dhe kështu ndodhi që ai u lidh me Marieta Bibli , një vajzë nga Pogradeci.
Në vitin 1945 bëri dasmën në fshatin e lindjes, në Nivicë Bubar dhe në deri në vitin 1946 punonte po në ambasadën angleze në Tiranë si Atashe ushtarak.
Në vitin 1946, kur qeveria e atëhershme shqiptare e përzuri misionin anglez , edhe Kiçua u largua së bashku me gruan si nënshtetas anglez që ishte.
Kiço Kuçi ishte një njeri nacionalist, idealist. Natyrisht mori me vete dhe gruan dhe u vendos përsëri në Rodezi ku i lindën dhe dy fëmijë, Ana dhe Vangjeli.
Deri vonë ka punuar në shoqëri të ndryshme dhe ka jetuar më vonë me pensionin që e siguroi nga puna e kryer në misionin anglez.
Ka tentuar të vinte në Shqipëri, duke realizuar mbrritjen deri në Greqi disa herë. Rasti më i veçantë ishte kur donte të vinte në varrimin e së ëmës, por shteti shqiptar nuk e lejoi.
Ndryshe, Kiçua ka qenë i lidhur jo vetëm shpirtërisht me njerëzit e tij, me fshatin Nivicë Bubar dhe më gjithë Shqipërinë. Kështu tregon Diogjen Kuçi, inxhiner mekanik, nip i Kiços, që jeton e punon në Durrës i cili i ka dërguar atje në Rodezi, libra të ndryshëm si fjalorë anglisht –shqip, romane të letërsisë shqiptare, sidomos libra të Ismail Kadaresë etj.
Në Shqipëri ai kish lënë vëllanë e vogël ,Simon, i cili ka qenë qytetar i nderuar i Durrësit e që u nda nga jeta para disa kohësh. Gjithashtu Kiçua ka lënë dhe shumë motra.
Sipas librit të niviciotit Andon Baxheri “Nivica – portë e bregdetit “, rezultojnë shumë familje nga fshati Nivicë Bubar që kanë emigruar në shtete të ndryshme. Nga familja Kuçi rezultojnë këto të dhëna sipas librit në fjalë për emigrimin e këtyre personave:
“ — Andon Kuçi në Amerikë , në vitin 1920, duke lënë prindërit , motër e vëlla.
— Sokrat Kuçi, në Amerikë në vitin 1905, la prindërit , motër e vëlla.
— Vasil Kuçi në Afrikë, në Rodezi në vitin 1895, lë të atin dhe dy vëllezër.
— Vangjel Kuçi në Afrikë, në vitin 1908, lë të atin dhe një vëlla. “
Siç shihet mga tabelat e emigrimit në fshatin Nivicë Bubar është Vasil Kuçi ai që ka emigruar më herët. Si pasojë e emigrimit në fshatin Nivicë Bubar pati zhvillim ekonomik. Përveç punëve të ndryshme bujqësore u krijuan dhe embrionet e para të një industrie siç ishin mullinjtë e drithit, fabrika vaji, punishte të ndryshme përpunuese të bimëve bujqësore.
Por dhe në brendësi të fshatit, nëpër lagjet e tij u hapën disa dyqane dhe kafene. Vetëm në vitin 1912 kafene numuroheshin katër të tilla, si disa dyqane manifakture, ushqimore, kasap, shollëpunues etj. Kuptohet që me kalimin e kohës , këto veprimtari erdhën duke u shtuar.
Në Durrës kanë vitë që janë qytetarë të hershëm me dhjetra familje të fshatit Nivicë Bubar. Kështu përmenden familjet Kuçi, Gjoni, Dhimërtika, Gurma, Minguli, Nako, Llolli, Mekshi, Kostëdhima, Papadhima, Dhimëspira etj.
Këto familje kanë kontribuar me punën e njerëzve të tyre jo vetëm në Durrës por dhe në Itali e Greqi, dy vende fqinjë ku punojnë edhe jetojnë shumë djem e vajza të familjeve niviciotë.
S’ish si të ndodhte ndryshe si në ato vite të fillim shekullit të 20 – të dhe në fundin e këtij shekulli. Por emigracioni i niviciotit Kiço Kuçi është një rast i veçantë që tregon jo vetëm guximin e djemve të familjes Kuçi dhe të gjithë djemve niviciotë që emigruan shumë larg atdheut të tyre por dhe zgjuarsinë natyrale të atyre djemve. Nuk është e kollajtë të mbarosh shkolla të larta dhe të arrish poste të rendësishme në ato shtete ku kanë emigruar.
Kjo është një nga historitë e veçanta të niviciotëve, histori që dita ditës po dalin në dritë të diellit dhe që do bëhen të njohura për të gjithë.