Kryeministri i vendit, Edi Rama, lajmëroi rritjen e pagave për punonjësit e sektorit në fushën e sigurisë. Ai theksoi se janë 12120 punonjës të Gardës dhe 3566 të sistemit të Policisë së Burgjeve, të cilët do të përfitojnë rritje page.
Teksa publikoi shifrat e rritjes së pagave, Rama u shpreh se qeveria po bën më të mirën për të ndihmuar punonjësit dhe vlerësuar kontributin e tyre
“Sot jemi në kushtet kur siç thashë, mund ta bëjmë këtë rritje të konsiderueshme të pagave. Ju, jam i bindur, keni dëgjuar për sektorët e tjerë dhe rritja do të bëhet me dy hapa, do të zbatohet një pjesë tani dhe një pjesë si sot një vit, pra në harkun e një viti. Në vitin e parë, pra rritja e menjëhershme e pagës për ju që jeni në këtë sistem nga ku do të përfitojnë 12120 punonjës të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, si dhe 3566 punonjës të sistemit të Policisë së Burgjeve do jetë pak a shumë si vijon. Kini parasysh dhe ju e dini shumë mirë, që paga e çdo niveli nuk është njësoj për të gjithë në atë nivel sepse ka vjetërsi pune ka dhe disa kushte të tjera. Gjithsesi unë po flas këtu për pagën e nivelit. Pra, sot paga e drejtuesit madhor është 139 375 lekë dhe bëhet sot, me 48 125 shtesë mujore, shkon në 187 500 lekë. Për drejtuesin më poshtë drejtuesit madhor shtohet me 24 125 dhe bëhet 137 500, për komisarin shtohen 21 mijë lekë, gjithmonë me të reja, pra 211 mijë lekë në këtë rast dhe shkon 112 500. Për inspektorin e parë shtohet edhe këtu, me 20 445 dhe shkon në 97 500.
Ndërsa për Burgjet, drejtuesi madhor sot e ka 138 375, shkon në 187 500, drejtuesi më poshtë e ka 112 e shkon 137 mijë lekë. Komisari e ka 83 mijë lekë e shkon në 112 mijë lekë dhe inspektori i parë e ka 71 000 lekë e shkon në 97 500 lekë. Këtu futemi në sistemin e krahasueshmërisë me Forcat e Armatosura, që praktikisht balancohet gjithë sistemi i sigurisë në Shqipëri në kushtet që flasim”, tha Rama.