Dokumentet tepër sekrete / Mbledhja e fshehtë dhe urgjente e Byrosë Politike të Komitetit Qendror, më 17 shkurt 1984, mbi përkeqësimin shëndetit të Enver Hoxhës. “Nuk mund të marrim mjekë nga jashtë, se del sekreti, dhe një gazetë greke, shkruante se ka vdekur Enver Hoxha, po kështu edhe RAI ka komentuar”.
Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e parë
Plot 38 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, i pushoi zemra dhe vdiq udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, njeriu që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vëndin e tij, për katër dekada me rradhë, që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet. Vdekja e tij, erdhi edhe si pasojë e një sëmundje të rëndë (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në mesin e gushtit të vitit 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua sëtepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, gjë e cila si rezultat, solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.
Por, përkeqësimi i shëndetit të diktatorit Enver Hoxha, filloi që nga fillimi i vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, të mblidhte disa herë anëtarët e Byrosë Politike, për t’i informuar për situatën e rëndë shëndetësore që po kalonte “udhëheqësi kryesor i Partisë”. Në ato mbledhje, siç do të shikojmë edhe dokumentet në fjalë, (të cilat mbajnë shënimin “Tepër sekret të një rëndësie të veçantë”), pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por ajo gjë fillimisht, nuk është pranuar nga vetë Enveri, por as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur. Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje, të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë. Një shqetësim tjetër të madh që Ramiz Alia, ka parashtruar para anëtarëve të Byrosë Politike, ishte dhe problem i Spartakiadës Kombëtare e cila do të zhvillohej në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, me rastin e 40 vjetorit të çlirimit, ku sipas tij, ishin marrë të gjitha masat e nevojshme dhe Enver Hoxha, duhej të ishte patjetër i pranishëm, pasi atë gjë, e kërkonte interesi i Partisë dhe po ashtu, që ta shikonte rinia, populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Të gjitha këto, bëhen të ditura nga këto dokumente arkivore të cilat gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhen proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, të datave 17 shkurt dhe 11 tetor të vitit 1984, të cilat siç theksuam edhe pak më lart, në krye të tyre, mbajnë shënimin: “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”. Të gjitha këto dokumente, po i publikojmë të plota, me faksimilet dhe fotot përkatëse, ekskluzivisht për gazetën FJALA.
DOKUMENTI ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, I MBAJTUR MË 17 SHKURT 1984, NËN KRYESIMIN E RAMIZ ALISË, MBI PËRKEQËSIMIN E GJENDJES SHËNDETËSORE TË ENVER HOXHËS
“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”
Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 17 shkurt 1984.
Kjo mbledhje, u thirr sot rreth orës 13 e 30 nga shoku Ramiz Alia, me anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike që ndodhen në Tiranë, për t’i vënë në dijeni mbi një fenomen shqetësues shëndetësor, që i ndodhi dje shokut Enver rreth orës 17 pasdite.
SHOKU RAMIZ: Ju thirra një çikë, shokë, për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Gjendjen e përgjithshme të shëndetit të tij, ju e dini, por dje rreth orës 17-17 e 30, ai pati një fenomen të papëlqyeshëm, një iskemi të lehtë në formë spazme, e cila i shkaktoi njëfarë vështirësie në dorën e krahun e djathtë dhe në këmbën e majtë. U thirrën menjëherë mjekët, me të cilët u takova edhe vetë.
Në përgjithësi, pas ndërhyrjes së tyre, gjendja u stabilizua dhe u përmirësua disi që mbrëmë. Unë shkova edhe tani për ta parë, pas mbledhjes së Sekretariatit që bëmë sot. Sa hyra brenda, shoku Enver më pa dhe më pyeti, nëse e bëmë mbledhjen. Pa hyrë në detaje, i’u përgjigja që e bëmë dhe shkoi shumë mirë. Kaq i thashë dhe i bëra të fala nga të gjithë ju, nuk u zgjata më tepër.
Ashtu siç paraqitet sot, gjendja e shokut Enver është disi e mirë, një përmirësim ka pas, ja deri këtu, se këto lloj fenomenesh, siç janë spazmat apo iskemitë, ndodh që të përsëriten. Prandaj tani, të tëra përpjekjet, si të thuash për këtë po bëhen, për të dominuar situatën, të shmangen përsëritjet.
RAMIZ ALIA: Ali Alushani së bashku me mjekët po vëzhgojnë nga afër situatën. Për këtë qëllim u krijua menjëherë një grup mjekësh specialistë të fushave të ndryshme, me të tëra mjetet e duhura në dispozicion, në krye të të cilëve është vetë ministri i Shëndetësisë, Ali Alushani. Ky shkoi që në fillim në vend dhe vazhdon të qëndrojë atje tok me gjithë mjekët e tjerë, që po i bëjnë shokut Enver të gjitha shërbimet e nevojshme. Gjendja shëndetësore e shokut Enver, siç shihet ka tendencë dhe po ecën drejt përmirësimit.
Tani e tërë lufta, të gjitha përpjekjet e terapitë po bëhen së pari, që të dominohet situata, siç thashë të mos ketë përsëritje të këtyre fenomeneve shqetësuese. Synimi i dytë, është që mundësisht të shmangen konseguencat që mund të shkaktojë sëmundja në zemër, e të mos i rëndohet zemra. Probleme në zemër, shoku Enver nuk ka.
Përpara disa vjetësh, siç e dimë, ka pasur ndonjë episod të vogël dhe ai ka qenë ankuar, po në përgjithësi edhe zemra e tij, tani është në gjendje të mirë. Sidoqoftë, rreziku shqetësues se vetë dobësimi i organizmit, mund të shkaktojë konseguenca në këtë organ. Me pak fjalë, kjo është gjendja shëndetësore e shokut Enver që nga dje pasdite që iu shfaqën fenomenet shqetësuese.
Më tepër nuk di gjë t’ju them. Ne do ta ndjekim gjendjen e tij dhe me përpjekjet që po bëhen, do të shikojmë çfarë ka konkretisht, mbasi çfarë është ky fenomen me saktësi, akoma nuk del qartë, nëse jemi përpara iskemie, një spazme të thjesht, apo ka diçka tjetër. Pikërisht këtë janë duke e shikuar mjekët. Ata po kujdesen dhe do t’ia bëjnë të gjitha shërbimet si duhet. Përpara një gjendjeje të tillë, të them të drejtën e gjykova të domosdoshme t’ju njoftoja ju shokë se nuk mund ta mbaja dot vetëm përsipër këtë shqetësim të madh.
Dëshiroj gjithashtu t’ju theksoj se këtë ngjarje tani për tani e dimë vetëm ne që jemi këtu, asnjë njeri tjetër, prandaj askush nuk duhet të marrë vesh mbi këtë çështje. Me njëritjetrin ne edhe mund të bisedojmë, çështja është të mos na bëhet zakon dhe të bëjmë biseda ku të mundim, sidomos në vende ku mund të jenë edhe të tjerë veç nesh.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Po ja për shembull, kur të marrim njëri-Tjetrin në telefon, nuk ka pse të pyesim si jeni, të mos bëjmë hiç fare të tilla pyetje. Kur të takohemi dhe të jemi vetëm, është tjetër çështje.
SHOKU HEKURAN ISAI: Kryesorja është tani ndalimi i procesit të sëmundjes.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo ka rëndësi. Ja, tani që isha atje dhe u takova me shokun Enver, si e pashë gjendjen e tij, që është më e mirë, u ula pak në kolltukun e tij, megjithëse nuk qëndrova gjatë, e informova pak për mbledhjen.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Raste me fenomene të tilla nuk ka pak edhe në vendin tonë, po kur kapen në kohë dhe kurohen, nuk lënë asnjë shenjë.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Bile nuk lënë shenja, as në moshat e mëdha.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ka raste që disa njerëzve u bie edhe dy-tri herë me radhë dhe e kapërcejnë krizën.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Ja, kam vëllanë tim që i kanë rënë dhe megjithëse është 58 vjeç, është normalizuar. Kalojnë të tilla fenomene, po të trajtohen me kujdes.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kam besimin e plotë që kjo gjendje Enverit do t’i kalojë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kalojnë, kalojnë. Edhe shokut Enver me siguri do t’i kalojë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Siç thashë shokë, ne do t’i qëndrojmë mbi kokë. Ekipi i mjekëve që është atje, do t’ia bëjë të gjitha shërbimet. Unë ju njoftova, vetëm sa për ta ditur këtë gjendje. Nga mjekët tanë më të mire, vetëm Petrit Gaçe nuk është tani për tani, se ndodhet jashtë shtetit, por edhe ky sonte ose nesër, do të kthehet, megjithëse në gjendjen e tanishme nuk ka ndonjë punë për të.
SHOQJA LENKA Çuko: Sidoqoftë, ai duhet të kthehet shpejt dhe të jetë këtu, se është specialisti më i mirë që kemi, për këto lloj sëmundjesh.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pra, deri tani kështu është gjendja. Po të ketë ndonjë gjë tjetër, do t’ju mbaj në korrent, kur duhet dhe aq sa duhet. Me këtë rast, mendoj se nuk ka nevojë të marrim ndonjë vendim. Grupi i mjekëve, është krijuar nga specialistët tanë më të mirë. Dje thirrëm edhe Bajram Prezën, specialist neurolog, që edhe ky të diskutojë bashkë me të tjerët mbi këtë çështje. Shoku
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ne mund të sjellim menjëherë nga jashtë çdo lloj preparati të nevojshëm, që mund t’u duhet mjekëve.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po të ketë nevoja, jo vetëm preparatin, por çdo gjë tjetër të domosdoshme që mund të nevojitet, e sjellim nga jashtë për këtë rast.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mund të lindë nevoja edhe për ndonjë specialist.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe këtë çështje do ta shikojmë, por natyrisht, një gjë e tillë ka edhe anën tjetër që duhet parë.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Kjo është ana tjetër e medaljes. Duhet vigjilencë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ju të jeni të bindur shokë, se ne do të marrim të gjitha masat, çfarë duhet e si duhet, por theksoj edhe një herë, ta mbajmë parasysh se problemi është shumë serioz, se pa qenë gjë kanë dalë llafe, jo më ta marrin vesh njerëzit tanë ç’ka ngjarë.
Pse e them këtë? Sepse dalin llafe. E ç’tju them unë? Ja ta filloj nga vetja. Mbase shokët që ishin me mua në mbledhjen e Komitetit Qendror, sot nuk e vunë re se nuk po e mbaja dot veten. Si pa dashur atje, flisja me një ton pak të irrituar dhe nuk isha në humor. Nuk i shpreha me tonin e zakonshëm. Mirëpo ai tjetri, të psikologjis.
SHOKU SIMON STEFANI: Ashtu është shoku Ramiz, prandaj duhet të përpiqemi të kemi kujdes edhe humorin në këtë rast, të mos e ndryshojmë nga i zakonshmi.
SHOKU HEKURAN ISAI: Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, në qëndrimet tona.
SHOKU SIMON STEFANI: Se na e njohin natyrën njerëzit tanë.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Të gjithë ne që ishim në mbledhjen e Komitetit Qendror, u munduam të mos e japim veten.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ja mbrëmë, kur u ktheva në shtëpi duke më parë pa humor, vajza më pyeti “Ç’ka babi”? Kisha një punë me shokun Enver – iu përgjigja unë – dhe kështu e mbylla këtë muhabet. Të shikojnë njerëzit, kur nuk je në humorin e zakonshëm.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Ata të pyetën se nuk të panë në humorin e zakonshëm.
SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj ta kemi parasysh edhe këtë anë, se problemi është tepër serioz dhe po të hapen fjalë, mund t’i shkaktohen telashe Partisë. Fjalë janë hapur edhe herë të tjera, po për t’ua mbyllur gojën njerëzve, u thoshin shokut Enver, të dilte në ndonjë mbledhje publike, që ta merrte televizori, kështu njerëzit qetësoheshin.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Na ka dalë disa herë përpara kjo çështje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Këto kisha për t’ju thënë shokë, ç’tju them tjetër?
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Dëshira jonë e madhe, është që shoku Enver ta kalojë sa më shpejt këtë gjendje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nexhmija më tregoi se, Enveri nuk lëvizte dot as krahun dhe as këmbën.
SHOKU RAMIZ ALIA: Do ta kalojë, unë kam bindjen se do ta kalojë. Ja po ju tregoj se, në krahasim me dje pasdite, gjendja e tij sot ka shumë ndryshime për mirë. E dyta, nga ç’më thanë mjekët në fillim, të them të drejtën, kisha krijuar një vizion tjetër, pak si pessimist, se gjendja e shokut Enver, m’u duk më e rëndë. Edhe Nexhmija, sa më mori dje në telefon, që të shkoja shpejt dhe ika menjëherë atje, megjithëse shokun Enver, nuk e pashë, se nuk hyra në dhomë.
Në atë kohë, ajo më tregoi se ai nuk lëvizte dot as dorën, as krahun, dhe as këmbën e djathtë. Mirëpo pas dy orësh, gjendja filloi të ndryshonte pozitivisht. Kurse sot, kur e pashë vetë me sy, nuk m’u duk shqetësuese gjendja, përkundrazi, m’u duk e mirë. Kuptohet vetvetiu, që edhe shoku Enver, pacient është, këto lloj sëmundjesh kështu janë, po fakt është që sot, sa më pa, më pyeti për mbledhjen dhe siç ju thashë, i tregova.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Rëndësi ka çështja, që ka filluar kthesa për mbarë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është, kthesa ka filluar nga e mira.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Mjekët e dominuan menjëherë situatën dhe kjo ka shumë rëndësi.
SHOKU RAMIZ ALIA: E dominuan se edhe masat u morën shpejt.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Shpejtësia në këto raste ka rëndësi të madhe, në marrjen e masave.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Tani, duhen porositur mjekët që po punojnë atje, për këto që thamë, se ata e të tjerë, hyjnë e dalin atje dhe hapet fjala.
SHOKU RAMIZ ALIA: Për të tërë kemi marrë masa ne atje, edhe për mjekët, edhe për personelin e shërbimit. Sidoqoftë, duhet të kemi shumë kujdes në këtë çështje. Mirë shokë, me kaq mbaruam.
Vijon numrin e ardhshëm