Nga Kastriot Kotoni
Shoferi kavajas i transportit ndërkombëtar në kohën e diktaturës po shihte në një distancë prej 30 metrash një njeri i cili nxirrte dorën për t’i dhënë shenjë shoferit që t’a merrte për një copë rrugë. Ishte koha, kur numri i makinave të transportit për udhëtar ishte me pikatore, me orare dhe më shumë përdorej treni. Shoferi i cili mezi i kishte kapur kriteret për të qenë pjesë e parkut të transportit ndërkombëtar dhe nuk kishte ndërmend të humbiste vendin e punës duke ndalur makinën për një udhëtar në hallin e tij, ndaj dhe ndërsa e shikonte sa më afër nuk po i jepte rëndësi siluetës për llojin e gjinisë dhe e tejshkoi rrugën duke e ndjekur nëpërmjet pasqyrës, nuk mallkoj as e shau nëpër dhëmbë tjetrin , por sajoj në moment një thënie që kur ua tregoi miqve të ngushtë ajo fitoi statusin e legjendave urbane të kohës. Thënia ishte krejt origjinale. “Ore që do ta hash a para a prapa, kjo nuk diskutohet”, bëhet fjalë për momentin kur udhëtari i cili mirë që kish ngritur dorën, por edhe i kish zënë një pjesë të rrugës në mënyrë që t’i imponohej tjetrit.
Pa dashur të hyjë në detaje të kësaj thënie urbane të shoferëve në kohë të ndryshme e shohë të arsyeshme që ta bëjë aktuale nëpërmjet kujtesës kolektive. Pjesë e kësaj fabule sot është bërë edhe debati për sloganin e Partisë Socialiste “Përpara jo prapa”. Në dukje ky slogan është fare i thjeshtë, plotëson në mënyrë harmonike si në kohë dhe në hapësir një realitet politik i cili duam, apo nuk duam në zgjedhje lokale, ka përmasa përtej një hapësire lokale dhe metaforikisht i drejtohet një elektorati më të gjerë se ai socialist, ka goditur ideatori i këtij slogani do të thotë dikush. Artikulimi me dikotomin kohore, sipas së cilës ai grup politik që do të eci përpara i bën ftesë elektoratit është më pranë vetëdijes njerëzore që ka prirjen për të besuar se ka dëshir që të ec përpara, nga një referencë e dhënë dhe një aktualiteti politik ku grupi tjetër rival ka një mendësi sikur pa bashkim asgjë nuk arrihet.
E ndërlikuar çështja në këto fushata ndryshe nga të tjerat bëhet për faktin se pritshmëria nga organet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, rri si një çekiç në kokë të çdo grupimi politik. Ecën ndjeshmëria e çdo votuesi në nivelin e ndershmërisë së çdo kandidati për kryebashkiak, por edhe për çdo anëtar të këshillit bashkiak. Loja politike mbart në këto ditë jo aq sa duhet çështjen si problem lokal për çdo bashki, por luftën politike drejt fronteve të pozitës dhe opozitës. Veliaj është futur më shpejt në lojë dhe prek teritorin e qarkut të Tiranës nga njëri cep në tjetrin, me larmishmëri nga fshati në qytet, nga tregu i madh dhe tregtari i vogël, e kishin menduar sikur ai do flinte mbi dafina, sepse e ka fitoren e sigurtë, ose siç thoshte dikush në media “ai duhet të fillonte pushimet se nuk ka nevojë për fushatë”, por siç po e shohim ai di të garojë dhe ka element të një fushate të mirmenaxhuar me spektakël dhe pothuajse është e reja e kësaj fushate elektorale që padyshim do të ketë surpriza më të prekshme për nevojat e votuesve.
Rivalët e tjerë janë një gjetje mirfilli në politikë, dmth që e ardhmja e tyre politike varet nga kjo fushatë. Nuk është nevoja t’i përmend emrat e tyre dinjitoz. Por janë karikuar mirë dhe përçojnë entuziazëm e ide. Në media janë të pakursyer për të evidentuar probleme dhe shfaqin ambicie racionale. Media opozitare është më e fortë se kurrë, ndaj dhe këta kandidatë e kanë shfrytëzuar me mençuri çdo hapësir mediatike. Një moshë e re e kandidatëve edhe pse i kanë betejat e tyre të para përballë ustallarëve socialist përbën risin e kësaj ngjarjeje politike. Opozitarizmi i fragmentizuar ka krijuar një ngërç në politikën e sotme sepse shumë energji të saj kanë një vit e më shumë, që po harxhohen siç thuhet rëndom “Për mustaqet e Çelos”, dhe jo më kot mazhoranca i jep “ujë” kësaj lufte duke përdorur sloganin “Përpara jo prapa” , gjë e cila është bërë edhe filozofi politke e grupit Alibehaj, natyrisht është e mirë artikuluar nga zoti Bejko. Distancimi nga e kaluara e një politike që ka lënë pasoja në demokracin shqiptare dhe në jetën e vendit duhet të shihet në nivel kombëtar, a do ta ketë një fitbek në elektoratin opozitar koha do ta tregojë. Betejat e të ardhmes së mbarëvajtjes së punëve në nivel lokal nuk janë më për numrin e shkollave, apo kopshteve dhe as hapësirat e gjelbra dhe këndet e lodrave për fëmijë. Qytetet tona janë sot një bashkësi ku dallimi fshat qytet bëhet më i ngushtë falë urbanizimit dhe shtrimit të rrugëve rurale. Problemet e profilizimit të qyteteve tona, nga shumllojshmëria që kanë ato ta zemë si qytete me natyrë prodhuese, apo muzeale, turistike apo portuale e periferike me resurse natyrore. Në mënyrë që kryebashkiakët ta dinë për çfarë projektesh të interesohen dhe premtimet të mos jenë sa për fushatë.
Kandidatët për kryebashkiakë të shikojnë më mirë atë model suksesi që ka pasur edhe rezultatet më të mira në mirëmanaxhimin e bashkive të tyre e jo t’i katandisin në faliment disa sektorë ekonomik, si drejtorit e ujsjellsave e të ardhurave nga taksat vendore.
Problemet me mjedisin duhet të jenë prioritare. Emetimi i gazrave dhe mirmbajtja e pyjeve. Transporti dhe teknologjia e tyre. Problemi më i diskutueshëm në zonat bregdetare dhënia me qera e disa zonave të plazhit operatorëve privat. Orientimi drejt një turizmi të qëndrueshëm në rrang lokal duhet të ishte lajmotivi i këtyre zgjedhjeve. Menaxhimi me sukses i hapësirës urbane duhet të ketë disiplinë dhe t’i qëndroj besnik planit urbanistik dhe arkitektonik i cili është aprovuar nga KKRT. Ndryshe do të kthehemi tek thënia e shoferit kavajas, që kushdo që ka abuzuar me fondet e bashkive në mënyrë korruptive do të bjerë në rjetën e drejtësisë, shkon me aktualitetin “Ore që do ta hajë a para a prapa zgjedhjeve kushdo që fut dorën në xhepin e popullit kjo nuk diskutohet”.