“Shoku Enver, në hetuesi më torturuan çnjerzisht, të pranoja se jam agjent i UDB-së”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dëshmia e artistit Telat Agolli: “Dy dëshmitarë të kapur në flagrancë për imoralitet dhe të përjashtuar nga Cirku, deponuan në gjyq, se Telati na ka thënë; në Jugosllavi kërcenin pa të mbathura”?! Dokumenti arkivor / Gjatë hetuesisë, më erdhi dy here zv/drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit, e filloi të më merrte me të mira, që të pranoja se isha agjent i UDB-së”

Nga DASHNOR KALOÇI

Telat Agolli, apo siç është njohur ndryshe edhe si: “Legjenda e Cirkut Shqiptar”, ndërsa ishte në kulmin e shkëlqimit të tij dhe karrierës artistike, befas një ditë të bukur, e shikon veten nën pranga dhe të mbyllur në një nga qelitë e Hetuesisë së Tiranës. Madje, duke u akuzuar si agjent i UDBsë dhe në procesin e tij hetimor, asistonin kuadrot e funksionarët më të lartë të Sigurimit të Shtetit të saj kohe, deri te vetë Zv/ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht, Drejtor i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu. Të gjithë ata që e kanë jetuar në moshë madhore atë kohë, e kujtojnë fare mirë, se arrestimi i mjeshtërit të madh të Cirkut shqiptar, u përcoll me bujë të madhe dhe u përfol gjatë, jo vetëm për faktin se ai ishte një emër mjaft i njohur, por edhe për ato çka thuheshin dhe pëshpëriteshin për të, gjatë kohës që ai ishte i arrestuar dhe mbahej në Hetuesinë e Tiranës. Si p.sh., thuhej se; ai kishte djegur çadrën e Cirkut në Sarandë, histori të cilat, i përhapte vetë Sigurimi i Shtetit, për të bërë sa më të besuar në popull dhe në opinionin e gjerë, arrestimin e tij.

Edhe pse Telati, doli në një proces gjyqësor në disa shkallë dhe u dënua e vuajti për më shumë se gjashtë vjet në Burgun e Spaçit, e vërteta e goditjes së tij, mbeti për shumë kohë e mbuluar me mister. Kjo gjë vazhdoi, edhe pasi ai doli nga burgu, duke fituar pafajësinë dhe duke u rikthyer përsëri në Cirk, me të gjitha të drejtat që ishin mohuar më parë. Madje, edhe pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, mjeshtri i madh i Cirkut Shqiptar, nuk pranoi të fliste kurrë publikisht, lidhur me fatin e tij tragjike dhe gjithçka kishte ndodhur me të, në ato vite nga më të tmerrshmet e jetës së tij dhe familjes gjithashtu. Kësaj heshtjeje ai i qëndroi besnik, derisa ndërroi jetë (më 13 tetor 2016) në SHBA-ës, ku kishte shkuar prej disa vitesh pranë familjes së tij. Po, ç’kishte ndodhur me Telat Agollin dhe përse u dënua ai?!

Lidhur me këtë, na njeh ky dokument arkivor, ku ndodhet letra që Telat Agolli, më 12 dhjetor të vitit 1982, i ka dërguar diktatorit komunist Enver Hoxha, ku ai tenton t’i sqarojë të gjithë padrejtësitë, si dhe torturat fizike e psikike, që ishin bërë ndaj tij, nga Feçor Shehu dhe njerëzit e tij të Sigurimit të Shtetit. Sipas dokumenteve arkivore, mjeshtëri i famshëm i Cirkut, nuk është ankuar për arrestimin e dënimin e padrejtë të tij, vetëm pas arrestimit e goditjes së Feçor Shehut, (në 1982-in), por atë gjë, ai e kishte bërë që kur Feçori ishte në kulmin e pushtetit të tij. Por për më shumë se ç’ka ndodhur me Telat Agollin, mjeshtrin e madh dhe legjendën e Cirkut Shqiptar, që ra viktimë e dhunës repressive e monstruoze të ish-Sigurimit të Shtetit, na njeh letra e tij dërguar Enver Hoxhës, të cilën po e publikojmë të plotë dhe me faksimilet përkatëse, ekskluzivisht për gazetën FJALA.

 DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E TELAT AGOLLIT, DËRGUAR ENVER HOXHËS, KU AI DËSHMON MBI TORTURAT QË I BËHESHIN GJATË PROCESIT HETIMOR DHE PËR ATO QË I KËRKONIN TË DEPONONTE, SI AGJENT I UDB-SË

 Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i K.Q. të PPSH.

     Tiranë

 Shoku Enver

Jam Telat Agolli, punëtor shtypshkronje që në moshën 14- vjeçare, të cilin Partia e ndihmoi të bëhej themeluesi i Cirkut tonë të parë dhe “Artist i Popullit”, por të cilin, pastaj armiku i Partisë, Feçor Shehu, pasi u përpoq ta bënte vegël për qëllimet e tij të errëta, kundër Partisë dhe udhëheqjes së saj, e hodhi në burg, për 6 vjet të tëra. Theksoj qysh në fillim se, jo vetëm sot, kur Partia zbuloi poshtërsitë e këtij tradhtari, por edhe atëherë, kur ai kishte pushtet të madh, unë dy herë me radhë (një herë nga Burgu i Spaçit në 1977 dhe një herë nga Spitali i Tiranës në 1979, me fletë dorëzimi të rregullta të postës së të burgosurve), ju kam dërguar dy letra, për të sqaruar rrethanat e mëposhtme, në të cilat u bë arrestimi dhe dënimi im. Duke e pasur të qartë se ato letra, ju nuk jua kanë dorëzuar, tani ju dhe Partia më falët lirinë, po e bëj këtë gjë, për të tretën herë, duke mbajtur përgjegjësi penale për të gjitha ato që shkruaj këtu. Fatkeqësia ime, lidhet me vajtjen time për vizitë te dajat e mi në Jugosllavi dhe me faktin se, unë kam pasur e kam miqësi familjare, me familjet e Abdurrahman dhe Dinçe Haxhimihali, banues në Tiranë, të riatdhesuar nga Jugosllavia, të cilët unë i kam krushq, pasi motra e tyre Nadire, është martuar në Ohër me dajën tim, Fejaz Rifati. Në vitin 1971, pasi Ministria e Arsimit, kishte biseduar zyrtarisht me Feçor Shehun, që unë të shkoja për çadër cirku në Itali, ose në Jugosllavi, ky më ndaloi një ditë përpara Gjykatës së Rrethit, dhe më tha, të shkoja në Drejtorinë e Brendshme të Tiranës, për të marrë pasaportën për në Jugosllavi, ku do të shkoja si vizitor.

Kështu, pa bërë vetë kërkesë për një gjë të tillë, unë shkova në Jugosllavi, te njerëzit e mi dhe qëndrova dy muaj. U çudita shumë, kur pas kthimit, njerëz të ndryshëm më paralajmëronin dhe unë vetë po e konstatoja se, mua po më ndiqnin organet e Sigurimit. Kjo më bënte përshtypje të madhe, por nuk më frikësonte, se unë e dija se kisha mbajtur qëndrim të denjë në Jugosllavi dhe isha i pastër, përpara Partisë dhe shtetit tim, që patën besim të më dërgonin atje.Për habinë time të madhe, më 24.06.1976, kur isha në turne në Sarandë, më arrestuan dhe më sollën të lidhur si kriminel në Tiranë, ku më njoftuan se; akuzohesha se isha agjent i UDB-së. E hodha poshtë me vendosmëri këtë akuzë, sa të turpshme dhe aq të pabesuar, që më bëhej.

Megjithatë, më hodhën në një birucë izolimi në Hetuesinë e Tiranës dhe filluan pyetjet e pambarueshme të hetuesve dhe presionet, që unë të pranoja faje të paqena, të cilat vazhduan për 13 muaj të tërë. Kohët e para kisha për hetues një të ri, Nasho Gjinopulli, i cili, megjithëse bënte çmos që unë të pranoja akuzën, nuk u soll keq me mua, ndoshta sepse, edhe vetë po e kuptonte se ato që më kërkoheshin, ishin fare pa bazë. Ndërsa unë vazhdoja të sqarohesha, për gabimin eventual që mund të kishin bërë dhe ngulja këmbë në mohimin e akuzës, më erdhi dy herë Kadri Gojashi, zv/drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit. Duke më marrë në një dhomë vetëm për vetëm, ky filloi të më merrte me të mira, që unë të pranoja se isha agjent i UDB-së. Kur unë i përgjigjesha se isha bir besnik i Partisë dhe i popullit, ai përpiqej të më mbushte mendjen se, në rast se unë me të vërtetë e doja Partinë, duhej të pranoja ato që kërkoheshin nga unë, pasi kështu e kërkonin interesat e Partisë, e cila priste prej meje gjëra të mëdha për të demaskuar revizionistët jugosllavë.

Meqenëse unë nuk kisha dhe as dija gjëra të mëdha, pas disa kohësh të pakënaqur nga gjendja e hetimeve, ia dhanë çështjen time, hetuesit Koço Josifi. Krejt ndryshe nga hetuesi i parë, Koço, sillej shumë egërsisht. Ai përpiqej t’ia arrinte qëllimit me presione, frikësime, shantazhe, duke më sjellë në qeli për 8 muaj, Besnik X., me anën e të të cilit, më kurdisi lloj-lloj provokacionesh, të cilat i dështonin, sepse unë isha i pafajshëm dhe nuk kisha asgjë për të mbajtur të fshehtë. I nevrikosur nga kjo, një herë Koço, pasi më goditi, m’u kërcënua duke më thënë: Prano të them, se për ty bien telefonat për ditë dhe nga ti presim gjëra të mëdha. Mos mbaj shpresë te gjyqi, se ai është formal, gjyq jemi ne, sepse ne të dënojmë dhe ne të falim etj. Aty nga muaji dhjetor, i pakënaqur prej meje, një paradite, Koço më mori dhe më çoi në një dhomë. Këtu pas pak erdhi Feçor Shehu, kurse Koço doli jashtë dhe na la vetëm. (Hollësitë e këtij takimi ia thashë mjaft kohë para lirimit tim, kryetarit të Degës së Rrëshenit, B. Pelës. Më është thënë se; Feçori mohon të më ketë marrë fare në pyetje, por këtë e di mirë ai). Kur i thashë se; jam i pafajshëm dhe se nuk po kuptoja se pse veprohet kështu me mua, Feçori u përgjigj: “Ti je njeriu ynë, ne si parti dhe Sigurim, kemi nevojë të na ndihmosh dhe të thuash se. vëllezërit Haxhihalili, janë agjentë të UDB-së, se ata janë dërguar këtu për qëllime të caktuara, se kur ke qenë në Jugosllavi, ty të kanë dhënë në zyrat e UDB-së porosi, për ata etj.”. I habitur nga ato që po më dëgjonin veshët, mora guximin ta ndërpres dhe t’i them: “Shoku Feçor, ç’po thoni kështu? Ata janë njerëz të ndershëm dhe të persekutuar nga jugosllavët. Pastaj ata janë djemtë e tezes së shoqes Nexhmije Hoxha”. Feçori m’u përgjigj: “S’ka gjë Telat, ne i dimë të gjitha këto. Madje, ti duhet të thuash pa frikë, se çfarë të kanë porositur në zyrat e UDB-së dhe çfarë të kanë thënë edhe për shoqen Nexhmije, për Haxhi Lleshin, ose për ndonjë shok tjetër, cilido qoftë ky dhe posti i tij.

Ne këto, Telat, – vazhdoi Feçori,- na duhen vetëm për t’i pasur në arkiv dhe për t’i diskretituar me ato jugosllavët, kur të vijë koha, se tani ne i kemi me ata marrëdhëniet mirë” (ky ishte thelbi i bisedës, të cilën unë mund ta riprodhoj plotësisht po të më jepet mundësia të ballafaqohem me F. Shehun). Megjithëse nuk e kuptoja se pse po më kërkoheshin gjëra të tilla, më tronditën dhe më frikësuan shumë fjalët e Feçorit. E pashë se unë vetë kisha marrë fund, por i thashë se për Haxhihalilat dhe për asnjeri tjetër të këtushëm, nuk do t’i thosha ato që kërkoheshin prej meje. I inatosur, Feçori u ngrit dhe para se të dilte më porositi të mendohesha mirë për të gjitha, sepse do të merrja veten në qafë. Në këtë kohë, hyri Koço dhe Feçori i tha atij: “Koço, unë fola me Telatin, në rast se nuk do t’i thotë ato që na duhen, ti përdor metoda të tjera”. Kur iku Feçori, Koço më tha: “Hë, e shikon se kush interesohet për ty, prandaj fol se të gjitha që do të thuash janë në interes të Partisë”!

Pas kësaj vazhduan përsëri dhe pa mbarim marrjet në pyetje në çdo kohë të ditës e të natës, presionet dhe provokacionet në kushtet e jetës ë padurueshme shpirtërore dhe fizike të qelisë së izolimit. Në fund vendosa t’i jap fund gjendjes së krijuar sepse më dukej se po çmendesha. I thashë Koços se, meqë qenka për arkiv dhe për diskreditimin e revizionistëve jugosllavë, do të pranoja të them për vete, çfarëdo që më kërkohej, por në asnjë mënyrë, nuk do të pranoj, të them gjëra të paqena për Haxhihalilat dhe për asnjeri tjetër të këtushëm. Për të tjerë, i thashë, shkruani çfarë të doni dhe unë po i firmos. Pasi u mundua dhe disa ditë që unë të ndërroja mendjen për këtë të fundit, kur e pa se unë nuk hiqja dorë, Koço tërë inat së bashku me Nasho Gjinopullin, filluan të shkruajnë e të përgatisin materialet. Ata më sugjeronin se për çfarë duhet ë flisja dhe unë shpikja nga mendja marrëzira, të cilat gjoja m’i kishin thënë, filan e filan dibran, kur unë kisha qenë për vizitë në Dibër të Madhe, ose kur ata kishin ardhur këtu si vizitorë. I dërrmuar psiqikisht i thosha të gjitha ato që më kërkoheshin me bindje të plotë se nevojiteshin për arkiv dhe për diskreditimin e UDB-së, pa pasur as dyshimin më të vogël se ky material u duhej atyre për ta përdorur në gjyq.

Lexo edhe :  Trauma nga vetëvrasja e mbesës së tij!/ Pse u bë Adolf Hitler vegjetarian?

Në prill 1977, pas 11 muaj hetuesie, u bë gjyqi im i parë. Përpara se të më nxirrnin në gjyq, brenda disa minutash më njohën me materialet e akuzës. Kur pashë se pse akuzohesha, për tradhti me anë të spiunazhit, u indinjova nga mashtrimi që m’u bë dhe deklarova se do t’i mohoja të gjitha në gjyq. Akuza e spiunazhit ishte trilluar aq keq pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë saqë gjyqi e hodhi poshtë atë menjiherë si të pabazuar. Se sa qesharake ishte ajo, po them vetëm kaq. Në akuzë ndër të tjera pretendohej se, unë kisha bërë spiunazh, duke i dhënë informata mbi tradhëtinë e B. Ballukut, të quajturit Gafur Bllata nga Dibra e Madhe, kur ky kishte ardhur për vizitë në Shqipëri. Por, gjatë gjykimit u provua se unë me të lartëpërmëndurin kisha pasur në Tiranë vetëm një takim të rastit edhe në praninë e një të treti, në muajin Qershor të 1974. Si ishte e mundur që unë t’i jepja atij informata mbi tradhëtinë e B. Ballukut në Qershor kur dihet se kjo gjë u morr vesh vetëm pas Pleniumit të Korrikut 1974?! Në vënd që të lirohesha pas hedhjes poshtë së spiunazhit, prokurori kërkoi të gjykohesha për agjitacion dhe propagandë. Meqënëse për këtë krim të ri nuk kishte prova, gjykata e ktheu çështjen për plotësim provash. Pas kësaj hetuesia u bë për mua një ferr krejt i padurueshëm. Koço Josifi u tërbua fare. Më thoshte haptazi, Ne pa të dënuar ty nuk të lëmë, madje edhe në burg do të të dënojmë që të ngordhësh atje si qen. Ime shoqe, më sillte shpesh ushqime, por ky nuk m’i jepte, sepse më kishte vendosur një regjim të rreptë urie, që më katandisi me humbjen e 20 kg. të tjera në peshë. Materialet e hetuesisë, për krimin e dytë që po më kurdisej, u përgatitën, duke mbledhur nga kolektivi im disa dëshmitarë akuze, me presion dhe disa me të cilët, unë isha grindur për arsye pune, kur isha përgjegjës artistik i Cirkut.

Në të vërtetë, unë me këta kisha biseduar në prizmin kritik për aspekte të ndryshme të jetës në Jugosllavi. Por u morën vetëm fraza të shkëputura nga konteksti i bisedave të cilat shtrembëronin përmbajtjen e tyre të vërtetë. Megjithatë edhe   ashtu siç u paraqitën në gjyq këto ishin konstatime qesharake të pamjaftueshme, qoftë edhe për një propagandë formale dhe aspak të padëmshme. (Ja p.sh., sipas asja që u tha në hetuesi e në gjyq kundra meje, se si e paskam bërë unë agjitacionin, një dëshmitar deponoi se Telati më tha se në Jugosllavi artistët paguheshin shumë, por nuk tha se në këtë rast unë i thashë atij se prandaj edhe janë borgjezuar ata). Një tjetër deklaroi se Telati më tha se atje qumështin e shpërndanin me shishe nëpër shtëpi, por nuk tha se unë i kisha deklaruar se jo të gjithë blinin qumësht, pasi kushtonte katër herë më shumë se këtu. Dy dëshmitarë të kapur në flagrancë për imoralitet dhe të përjashtuar nga Cirku, deponuan se Telati na ka thënë se në Jugosllavi kërcenin pa të mbathura?! Një tjetër u ankua se unë gjoja e kisha këshilluar ta fejonte vajzën me një jugosllav kurse ky “jugosllavi”, në realitet ishte një rom nga Ohri, i cili kishte vajtur për vizitë, vetë dëshmitarit dhe me këtë rast i kishte propozuar t’i merrte të bijën për të birin etj. Për t’i hedhur poshtë këto dhe për të vërtetuar se çfar qëndrimi kisha mbajtur unë në Jugosllavi dhe pas kthimit, kërkova gjatë gjykimit të dytë, i cili u bë pas dy muajsh të tjerë, të pyeteshin 10 dëshmitarë që ishin njerëz seriozë e të njohur. Gjykata thirri vetëm njërin prej tyre, Zejnulla Ballancën, pedagog në Fakultetin e Shkencave Politke-Juridike. Në dëshminë e tij e cila është regjistruar fjalë për fjalë në proçes-verbalin e seancës gjyqësore, midis shumë të tjerave ai tha: “Këtë që po dëshmoj ua kam thënë dy tre vjet përpara shumë vetave.

Kur kam qënë për leksione në Kosovë, më kanë ardhur disa të rinj nga Dibra, dhe më thanë se, kur Telat Agolli kishte vajtur në këtë qytet, kishte pasur një grindje të bujshme me përgjegjësin e seksionit politik të UDB-së, Edip Markun. Ky, i veshur civil dhe pak i pirë, e kishte provokuar Telatin, që po rrinte në klub me disa të njohur të tij. Telati e kishte kuptuar se cili ishte Edipi, kishte heshtur në fillim, por ky i qe çirrur atij, se; ti je këlysh i Enver Hoxhës, Telati e kishte kapur për fyti e kishte ngritur në hava si leckë dhe i ishte përgjigjur se; ti mor i poshtër, je këlysh i Titos, ndërsa unë jam bir i Enver Hoxhës. Pas kësaj Telatin e kishin larguar nga Dibra të vetët dhe e kishin nisur menjiherë për në Shqipëri. Ky gjest i Telatit kishte bërë përshtypje shumë të madhe dhe e kishte entuziazmuar pa masë rininë dibrane e cila e urren tradhëtarin Edip Marku. Kërkoj ndjesë shoku Enver, që po e përmënd përpara jush këtë dëshmi. E bëj këtë jo për t’u mburrur sepse unë e bëra atë që do të bënte çdo shqiptar i vërtetë për të mbrojtur emrin e udhëheqësit të tij, por për të vënë në dukje një gjë tjetër. Kjo dëshmi edhe juridikisht provonte të kundërtën e asaj për të cilën unë akuzohesha. Ajo provonte se duke bërë detyrën time dhe duke ia thyer turinjtë një udb-ashitë qelbur, unë kisha bërë vepër konkrete agjitacion për Partinë dhe udhëheqësin tim të dashur. Në kushte normale sidomos pasi hodhi poshtë si të rreme akuzën e spiunazhit kundra meje, gjykata duhej ta merrte parasysh këtë fakt të provuar e jo të më dënonte për agjitacion kundra pushtetit tim të bërë me llafe boshe të trilluara e të paqëna, vetëm sepse dënimin tim e kërkonte me këmbëngulje Feçor Shehu. Megjithë padrejtësitë e mëdha të mësipërme që mu bënë dua t’ju siguroj për një gjë shoku Enver.

Unë vuajta 6 vjet privim lirie, nga të cilat 13 muaj në qelinë e izolimit të hetuesisë, por gjatë gjithë këtyre viteve asnjë ditë, asnjë orë, asnjë minutë, e asnjë sekondë, nuk e humba besimin te Partia, nuk e kam ndjerë veten as armik të Partisë dhe as të armiqësuar me Partinë time, pasi një gjë e tillë ishte dhe është e paimagjinueshme për mua. Përkundrazi parrulla ime “Unë jam bir i Partisë dhe Partia do të ma japë një ditë të drejtën që më takon”.  Kjo parrullë më frymëzonte në repart ku vuaja dënimin, kur punoja si minator nën tokë, ta realizoja normën për ditë 300%. Ajo më shtynte që unë me ndërgjegje të plotë të bëhesha krah i djathtë i komandës së repartit, për të mbajtur afër dhe për t’i edukuar me fjalën e Partisë me estradën që organizova në repart dhe me forma të tjera, elementët e penduar që mund të riedukoheshin. Ajo pastaj, më jepte forcë që unë t’i demaskoja e t’i shpartalloja duke u ballafaquar me ta burrërisht, elementët armiq të pandreqshëm, megjithëse ata më kërcënonin se do të më vrisnin me hekur dhe s’do të më linin të dilja i gjallë nga burgu.

Po të pyesni shoku Enver, shokët e Komandës së Spaçit, kanë për t’ju thënë patjetër se Telat Agolli, ka jetuar gjithmonë me Partinë dhe për Partinë. Kjo është shoku Enver historia e çështjes sime historia e njeriut të cilin dikur e ka duartrokitur gjithë Shqipëria, e bëri “Artist të Popullit”, Partia, dhe të cilin e diskretituan dhe e persekutuan pa mëshirë armiqtë e saj. Tani që ju më falët lirinë, unë i jam mirënjohës Partisë, përjetë pa asnjë pretendim për çështje pune, rroge, titulli, ose për ndonjë përfitim tjetër. Ju lutem shoku Enver vetëm për një gjë, të urdhëroni rishikimin e proçesit tim gjyqësor në rrugën e drejtë të vijës së Partisë e të ligjshmërisë socialiste. Marr guximin ta kërkoj këtë gjë, përveç të tjerash edhe për arsyen që vijon. Kam pasur shoku Enver një nënë burrneshë, si të gjitha nënat e ndershme shqiptare. Më kishte djalë të vetëm dhe dritën e syve të saj. Mua gjigandin e cirkut, vazhdonte të më thërriste me përkëdheli sikur të isha ende fëmijë “Lati im i vogël”. Kur më arrestuan dhe më njollosën në opinion vulën e turpshme të tradhëtarit e të agjentit, në fillim nuk besoi dhe u përpoq të lutej për sqarimin e pozitës sime. Më tregojnë se u bind në fajësinë time duke thënë se; Partia pa faj nuk të dënon dhe më mallkoi. Nuk erdhi as edhe një herë të më shihte në burg. Nga turpi dhe pikëllimi i madh që i doli tradhëtar djali i vetëm, u sëmur nga kanceri dhe vdiq. Qëkurse kam dalë nga burgu i falur, por jo i pafajshëm, nuk marr dot guximin t’i shkoj në varreza e ta vizitoj. Më jepni mundësi shoku Enver të më hiqet njolla e turpit të pamerituar, t’i bie mbi varr sime mëje, t’i kërkoj ndjesë për të keqen e madhe që i shkaktova e t’i them: “Nënë, falmë, falmë, për të gjitha, jo unë, por ata që ma nxinë jetën mua, dhe ta shkurtuan ty, ata janë tradhëtarët e vërtetë të Popullit e të Partisë. Që të mund të verifikohet me kohë saktësia e përmbajtjes së kësaj letre, dy javë më parë, me anën e Drejtorisë së Brëndshme të Tiranës, i kam dërguar një letër të këtill me hollësi më të mëdha edhe shokut Hekuran Isai. Si gjithnjë me bindje të patundur në drejtësinë e pagabueshme të Partisë, mbetem në pritje të marrjes parasysh të lutjes sime.

                     Përshëndetje revolucionare

                                        Telat Agolli 

 Tiranë 12.12.1982.

Të fundit

Trump-Zelensky, 20 minuta debat me tone të larta/ Reagon Moska: Historike!

Pas përplasjes mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka...

Berisha ka “shkopin magjik”!/ Premton të zhdukë varfërinë e skajshme brenda tre muajve!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur një plan të detajuar për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe zhdukjen e varfërisë ekstreme në Shqipëri,...

Berisha: Shqipëria ka pensione të barabarta me pagesën që bën gjermani për qenin!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër qeverinë, duke e akuzuar për dështime të theksuara në fushën e politikave sociale dhe përkeqësimin...

Mes fjalëve të rënda dhe akuzave personale/ Zbardhet i gjithë debati Trump-Zelensky

Eshte zbardhur i gjithë debatin në Zyrën Ovale, ku presidenti Trump dhe zëvendësi i tij Vance ushtruar një presion të shfaqur live në media...

Reagon Zelensky pasi Trump e përzuri nga Shtëpia e Bardhë

Presidenti Volodymyr Zelensky ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social "X", pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, me kërkesë të presidentit Donald Trump. "Faleminderit, Amerikë, faleminderit...

Lajme të tjera

Web TV