Rritet ekonomia, ulet inflacioni, projeksioni i komisionit Evropian për Shqipërinë

Ekonomia shqiptare pritet të ketë një ecuri më pozitive gjatë këtij viti. Sipas projeksioneve të Komisionit Europian gjatë këtij viti rritja ekonomike parashikohet të arrij në rreth 3% nga 2.6 që ishte parashikuar më herët. Po ashtu edhe për vitin e ardhshëm, pritshmëritë janë më optimiste dhe parashikohet që rritja ekonomike të rikthehet në nivelin 3.8%.

Komisioni Europian vlerëson se edhe inflacioni do ti afrohet objektivit të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Në raport thuhet se gjatë këtij viti inflacioni do të qëndrojë nën nivelin 5%.

Kjo pritet të ndodhë si pasojë e ngadalësimit të çmimeve të produkteve të importit si dhe forcimit të lekut. Gjatë këtij viti monedha shqiptare ka fituar epërsi ndaj monedhave të huaja kryesisht ndaj euros e dollarit.

Nisur nga këto tregues thuhet në raport Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti mund të nisë politikën e normalizimit të normave të interesit e cila tashmë është në nivelin 3%.

Por pavarësisht përmirësimit të projeksioneve të ecurisë ekonomike për këtë vit nëse e krahasojmë më vitin që lamë pas rritja është më e moderuar.

Gjatë 2022 ekonomia shqiptare pati një rritje me 4.8 % edhe pse inflacioni preku nivelin më të lartë të regjistruar në dekadat e fundit.