La kombëtaren shqiptare për atë greke, UEFA i jep “dritën jeshile” Andrea Ndojit

Andrea Ndoji, mbrojtësi 20-vjeçar i Olympiacos ka marrë dritën jeshile nga UEFA dhe tanimë është gati të luajë për kombëtaren greke të futbollit. 

Djaloshi i lindur në Athinë ka qenë pjesë e moshave të Shqipërisë, duke luajtur edhe në një ndeshje për ekipin U-21.

Pak muaj më parë, ish-trajneri Reja e ftoi Ndojin në Kombëtaren A, me këtë të fundit që refuzoi duke zgjedhur Greqinë. 

Ndoji nuk mundi të ishte pjesë e helenëve në ndeshjen e parë kualifikuese të Euro 2024, teksa Report Tv mëson se pak ditë më parë UEFA i ka dhënë dritën jeshile lojtarit për të luajtur me Greqinë.

Këtë sezon Ndoji ka qenë titullar me Olympiacos, duke zënë vend në qendër të mbrojtjes. Për ndeshjet e radhës në qershor, Greqia e trajnerit Gustavo Poyet do mund të aktivizojë edhe shqiptarin Ndoj.