Nga Leonard Veizi
Pak bojë, ca talent por më shumë iniciativë e vullnet. Sepse do bësh diçka që vërtet do të bjerë në sy, dhe do të të japë emocion, por nuk do përfitosh asgjë materiale. Kështu po ndodh sot dhe me Bledar Çakallin, një “artist në rrugë”, nëse do të mund të shprehesha kështu. Sepse ai pikturon në anë të rrugës, pikërisht aty ku makinat e shpejta, autobusët dhe kamionët riportabël të ngarkuar dëng shkojnë me shpejtësi e të mbysin me pluhurin që ngrenë dhe erën e karbonit të djegur.
Pikturat murale, në Shqipërinë e sotme, janë jo vetëm një modë. Masivet e betonit dhe faqet e suvatuara të pallateve shpesh janë bërë streha e zhgarravitësve anonimë. Gjen në to gjithfarë shprehjesh nga markata e sentencave erotike dhe nga ato të racizmit pa kufi. Por pikturat masive në mure, jo vetëm mbulojnë halabakllëkun e qenieve amorfe, po e kanë gjallëruar së tepërmi pamjen e qyteteve.
Ndërsa Bledar Çakalli, një piktor i ri, nga korpusi i vullnetarëve, është ofruar për ta ndryshuar dizajnin e këtij kompleksi rrugor. Dhe ia ka arritur.
“Ura e Dajlanit” në Durrës, nga një vend historik, tanimë është kthyer në një arterie të rëndësishme infrastrukturore, ku mbikalimi e tejkalon urën e dikurshme lidhëse, pasi është një kompleks që lidh më shumë se dy brigje. Por këmbët e urës prej betoni, gjithsesi ose kanë mbetur si fasada gri ose janë keqpërdorur nga abuzuesit, qejflinj të simboleve shoviniste.
Bledari Çakalli është një artist që ndjenjës patriotike i ka dhënë forcën edhe pushtetin e penelit të tij, për t’i shndërruar faqet e 8 kolonave mbajtëse të Urës së Dajlanit, në një hapësirë tërheqëse dedikuar figurave historike të kombit tonë. Dhe kjo të bën ta ndalësh makinën, qoftë dhe në respekt të kësaj pune, por dhe të shkëmbesh dy fjalë me autorin.
Kërkoj të shoh nga afër ndryshmin që po ndodh nën këmbët e urës gjigante. Piktori vazhdon punën i patrazuar. Madje është e vështirë ta tërheqësh për të dredhur një cigare e për të bërë një dorë muhabet. Sepse ai është i përkushtuar në punën e tij. Dhe nuk do të humbasë kohë, qoftë dhe me një gazetar.
Prej më shumë se një muaji ai punon me bojë e penel për ta kthyer zonën e hyrjes në rrugën e plazhit, në një vend atraktiv, ku syri mos të të kapë më shkarravina dhe sharje vulgare, por të shohë fytyra shqiptarësh që kanë bërë epokë.
Gjithkush ka kaluar në këtë korridor rrugor nuk mund të mos e ketë vënë re angazhimin pozitiv të artistit. Kjo është një iniciativë e madhe, sepse siç thotë vetë piktori janë jo pak, por 12 kilometra rrugë të cilat duhen zbukuruar me penelin e tij.
Kalimtarët kanë reaguar dhe kanë treguar ndjeshmëri. “E duan njerëzit këtë gjë që po bëj. Por thjesht është ajo që duhet t’i ngacmosh pak shqiptarët që të arrish diçka”, thotë autori.
Për Bledarin në Shqipëri ka shumë pak informacion për historinë, sidomos atë të ilirëve, ndaj ai thotë se ia nisi prej historisë së ilirëve me mbretëreshën Teutë, Pirron e Epirit dhe Bardhylin e Dardanisë. Por natyrisht që duke ardhur në kohë ka vendosur figurat kryesore të historisë tonë kombëtare.
Ndërkohë që shton se ka qenë aktiv në të gjitha trevat shqiptare, tek shqiptarët e Malit të Zi, Preshevë e Çamëri. “Në Çamëri?”, – e pyes i habitur. “A je ndjerë në rrezik?” “Kam pasur probleme, – sqaron ai. – Siç dihet, në shtetin grek Çamëria nuk ekziston, dhe të shkruash diçka për Çamërinë… Nuk ishte e mundur ta përfundoja portretin siç duhej. Kam vizatuar një shqiptar me veshjen popullore çame në Pilat”.
Me siguri tani i kanë futur një bojë për ta zhdukur dhe këtë gjurmë. Ku të lë greku vëlla. E pastaj nis e proteston për të drejtat njerëzore…
Në një nga muralet qëndrojnë bashkë Gjergj Kastrioti dhe Adem Jashari. “Janë dy idhujt e mi dhe ishte e pamundur që të mos i bëja”, – thotë Bledari. “Çdo figurë e bëj me kënaqësi dhe e kam për nder që e bëj dhe talentin tim kam vendosur që t’ia shpërblej Shqipërisë”.
Në fillim të sezonit turistik gjithçka do të jetë gati, dhe Ura e Dajlanit do të marrë pamjen e një mozaiku historik arti, i cili që gjatë procesit ka marrë miratimin e të gjithë njerëzve që e kanë parë.
Po më tej se kaq…? e pyes. “Kryesisht cek pjesët më të dhimbshme të trevave shqiptare siç është sot Manastiri, Lugina e Preshevës, Bujanovci, Plava, Gucia… janë shumë treva që kanë nevojë për këtë frymë patriotike”.
Pushka top or trim. Sepse duam apo s’duam jemi shqiptarë dhe ndjenjën e patriotizmit nuk duhet me e shpalos vetëm në rrjetet sociale.
Mendon se e ke dhënë një mesazh? e pyes teksa ndahemi. “Po, – thotë ai me bindje. – Mesazhi i veçantë është që ne shqiptarët mund të bëhemi bashkë edhe pa politikën, vetëm nëpërmjet artit”.