Rama takohet me Vuçiç, diskutojnë për tensionet në veri

Situata në veri të Kosovës është një ndër temat kryesore në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) që po mbahet sot në Kishnjev të Moldavisë.

Ka pasur dhe një takim mes Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të diskutuar mbi situatën në veri të Kosovës. Të pranishëm ka qenë edhe presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe anëtaren serbe të kryesisë së Bosnje Hercegovinës, Željka Cvijanović.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzon presidentin Vuçiç se po mbështet bandat kriminale në veri të Kosovës dhe kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve të ndihmojnë për të ndalur veprimet destabilizuese të Serbisë.

Nga ana tjetër Vuçiç u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, “kryetarët e supozuar” nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet që kanë shkaktuar dhunë.

Deri tani në tri komuna e veriut të Republikës së Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, raportohet se situata është e qetë. Serbët janë grumbulluar para ndërtesave të komunave për të kërkuar sërish largimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave dhe të njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri për të shmangur tensionet ka vijuar punën nga një tjetër godinë në fshatin Çabër të kësaj komune.