Nga Nasip Kaçi
Shqipëria, jeta dhe lufta e popullit shqiptar për liri, njohja e çështjes shqiptare nga opinion publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshët e Italisë, janë disa nga temat kryesore të penës së saj. “Ajo me publikimet e saj, erudite dhe gjeniale, ka shkruar poeti arbëresh Zef Serembe, ia bëri të njohur popullin shqiptar botës së qytetëruar “.
Elena Gjika me pseudonimin Dora d’Istria, lindi në Konstancë të Rumanisë më 22 dhjetor 1829. Mësimet e para i mori në Konstancë e më pas në Bukuresht. Në vitin 1841 ajo filloi studimet e larta në Vjenë dhe pastaj i vazhdoi në Drezden e në Berlin. Është mirë të bëjmë të njohur se si ka ndodhur që familja e saj nga Shqipëria ka shkuar në Rumani dhe kur kanë shkuar atje. Po t’i referohemi historisë, dihet se Skënderbeu në shekullin e XV me Jankun e Hunedoarës ka patur një pakt, një aleancë midis ushtrive të tyre. Mihail Viteazul, sundimtar i trevave rumune, më 1595 pret 15 mijë shqiptarë , me gra, me fëmijë dhe me bagëtitë e tyre nga Cervena Voda dhe nga fshatrat e tjera fqinje të banuara nga shqiptarë, që të vendosen në trevat rumune. Shqiptarët merreshin me bujqësi, blegtori, ishin barinj të zotë, merreshin me ndërtime, ruanin pasuritë e pronarëve, tregëtonin bagëti etj., në luftë shquheshin për trimëri, shpirtin e lartë të sakrificës, për aftësi ushtarake dhe besnikëri. Në shekullin e 16 dhe të 17 në Vllahi dhe Moldavi shqiptarët forcohen ekonomikisht, zënë poste të rëndësishme dhe dominonin në ushtrinë e vojvodëve (princërve). Nikolla Koçi, me origjinë shqiptare, i pasuruar shumë, zë poste në këto principata, bëhet pjesë e aristokracisë dhe një nga djemtë e tij, Vasile Lupu, arriti të bëhej sundimtar i Moldovës. Ai gjatë sundimit të tij bëri shumë punë të mira, ndërtoi kjsha, themeloi Akademinë dhe është quajtur Vasile Shqiptari. Vasile Lupu futi në oborin e principatës Gjergj Gjikën dhe familja shqiptare Gjika nga viti 1849 deri 1856 ka nxjerrë dhjetë sundimtarë principatash të trevave rumune. Në Vllahi nga viti 1849 deri 1856 sundimtar ishte Aleksandër Gjika, pra një tjetër princ shqiptar. Me pak fjalë kjo është historia e ardhjes në Rumani e familjes Gjika, nga ku rrjedh edhe Elena Gjika, që është bija e Nikollaq Gjikës, vëllai i dy sundimtarëve të Moldovës, të thirrur edhe Gjikë Arnauti (Shqiptari). Paraardhësit e zonjës Elena Gjika jetonin prej mbi 150 vjetësh në trevat rumune.
Elena Gjika, që mbante pseudonimin Dora d’Istria, ishte krenare për prejardhjen e saj shqiptare, ajo në letërkëmbimet me De Radën, sa herë që binte fjala për Shqipërinë i shkruante me fjalët “ Ne shqiptarët”. Ajo ishte përkrahëse e vendosur e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe e Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit, çështjen shqiptare e mbrojti dhe e bëri të njohur në kancelaritë e Europës. Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Europës, si kundërshtare e rregjimit despotik, monarkik dhe shtypjes kombëtare. Në punimet e librat e saj të shumta, midis së tjerash, studioi kombësinë shqiptare nëpërmjet këngëve popullore të folklorit shqiptar dhe në shumë studime vuri në dukje luftën shekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Ajo mbajti lidhje me Jeronim De Radën, Zef Seremben, Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Dhimitër Kamarda, etj dhe në veprat e saj ngrë lartë rolin e arsimit dhe kulturës në zgjimin dhe çlirimin e kombit shqiptar. Është e para grua që dha mendime për rëndësinë e studimit të historisë, kulturës dhe mësimit të gjuhës amtare si dhe hapjes së shkollave shqipe, jo vetëm në Shqipëri por dhe në vende të tjera ku ka ngulime shqiptarësh. Asaj i takon mendimi i guximshëm për themelimin e një Akademie Shqiptare në kuadrin e organizimit të institucioneve arsimore dhe kulturore në Shqipëri. Ajo njihte mirë shtatë gjuhë: frëngjishten, italishten, gjermanishten, rusishten, greqishten, rumanishten dhe shqipen. Martesa me Aleksandër Kolcov Masalskin e lidhi atë me normat e jetës së mbyllur të aristokracisë së lartë ruse në Petërburg. Por shkrimtarja Elena Gjika, e formuar me ndjenjën e lirisë dhe me ide përparimtare për kohën, nuk mundi të jetonte në atë ambient, prandaj më 1855 ajo e zgjidhi martesën me të dhe shkoi në Belgjikë e pastaj në Zvicër, në Venedik e në Firence, ku bëri një jetë të pavarur si dijetare e si publiciste. Ajo bashkëpunoi me organe të njohura të shtypit të asaj kohe si e përkohshmja franceze “ Revue des deux mondes”, “Orient” e Brukselit, revistat italiane “Europea”, “Illustrazione”, “La Republika “ etj. Punimet e saj ngjallën interesimin e shumë lexuesve. Ato shquhen për thellësinë e mendimit, për rrjellshmërinë dhe elegancën e shprehjes dhe për stilin e zgjedhur. Dora d’Istria i ndoqi së afërmi ngjarjet në Shqipëri. Ajo punoi me një ndjenjë të zjarrtë dashurie e me ideale të larta patriotike për të ardhmen e Shqipërisë. Krahas çështjes sonë kombëtare Elena Gjika nuk u shkëput nga problemet e kohës që shqetesonin shoqërinë në Ballkan dhe Europë. Ajo ishte mbrojtëse e parimit të lirisë së kombeve dhe e zhvillimit demokratik të shoqërisë. Këto ide shihen në artikujt që u botuan në organe të ndryshme të shtypit francez, Italian, gjerman, austriak etj, Gjatë tridhjet vjetëve, 1858-1888, ajo ka botuar 150 artikuj dhe studime, për të cilat u vlerësua me shumë tituj nderi nga shoqata e instituçione shkencore, letrare dhe artistike të shumë vendeve të Europës. Elena Gjika, kjo figurë e njohur në shkallë botërore, zuri një vend të merituar në historiografinë tonë, sepse qe një militante e denjë e çështjes shqiptare. “Një popull si yni, – i shkruante ajo nga Livornoja e Italisë atdhetarit arbëresh, Jeronim De Rada, më 14 qershor 1866 – nuk mund të vdesë dhe unë dua të besoj se ne nuk do të vdesim pa e parë atdheun të çliruar nga zgjedha e robërisë”. Në letërkëmbimin e Jeronim De Radës me personalitete të huaja, arbëreshe dhe shqiptare që ndodhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranes, gjënden edhe 108 letra të Elena Gjikës, dërguar Jeronim De Radës nga Zvicëra, Livorno, Venedik, Gjenova, Torino, Rapalo, Firence gjatë viteve 1859 – 1887. Këto letra hedhin dritë mbi veprimtarinë e saj në të mirë të çështjes shqiptare dhe sidomos për shpëtimin e vendit nga copëtimi. Në qendër të vëmendjes së saj gjatë periudhës 1859 – 1887, që ajo i kaloi në Venedik, në Firence, në Rapalo etj. mbetet çështja shqiptare. Pjesën më të madhe të kohës së saj që kaloi në Itali ajo ka banuar në Firence.
Më 15 korrik 1870 ajo njoftonte De Radën se do t’i dërgonte pjesën e dytë të punimit” Berat dhe Janinë “sapo ta botonte. Në letërkëmbim del gjithashtu dhe përpjekja e gjithanshme që ka bërë Helena Gjika për njohjen dhe popullarizimin e veprave letrare, shkencore e politike të Jeronim De Radës, Zef Jubanit, Zef Serembes, Thimi Mitkos, Dhimitër Kamarda, Vinçens Dorsa dhe arbëreshëve të tjerë.
Studimet dhe sidomos krijimet poetike të De Radës u mirëpritën që në vitet 40-të të shekullit XIX nga shkrimtarë të shquar francezë si Alfons Lamartin, Viktor Hygo etj. Por ajo ia arriti qëllimit që punimet e De Radës të vlerësohen në qarqet më të gjera letrare e shkencore në Europë. Elena Gjika si aktiviste e pa lodhur e lëvizjes kombëtare shqiptare, bënte çmos edhe për botimin në shtypin Italian të artikujve të Zef Jubanit, që çështja shqiptare të njihej sa më shumë në Itali dhe veçanërisht te arbëreshët. De Rada, Jubani, Serembe, Elena Gjika qenë të të njëjtit ideal për një Shqipëri të lirë e të përparuar. Arbëreshët e Kalabrisë dhe të Sicilisë përpiqeshin për mëkëmbjen e Shqipërisë. Lëvizjen kulturore e arsimore arbëreshe Dora d’Istria e shikonte si pjesë përbërëse të lëvizjes kombëtare shqiptare. Në atë kohë në Shqipëri krahas lëvizjeve të mëdha të armatosura kundër sundimit osman vinte duke u rritur edhe lëvizja për përhapjen e gjuhës shqipe dhe diturisë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare në masat e gjera popullore shqiptare. Ajo demaskoi hapur synimet e Fuqive të Mëdha dhe vendeve fqinje për copëtimit e Shqipërisë. Vepra studimore e saj “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore “që u përkthye në italisht nga Emanuel Artom, dhe u botua në fletoren “Ilustrazione universal” u bë e njohur nga lexuesit italianë. Vepra “Rapsodia e një poeme arbëreshe “, mbledhur në kolonitë napoletane, e shkruar dhe përgatitur nga Jeronim De Rada e botuar në Firence më 1866, që Dora D’Istria e quan Poema nacionale, e ngriti lartë De Radën si poet i madh i temës shqiptare që u mirëprit në Itali, Gjermani, Austri, Francë. Më 9 prill 1867 Dora d’Istria e falenderonte poetin De Rada për ekzemplarët që kishte marrë prej tij dhe e njoftonte se do t’ua dërgonte “dijetarëve dhe burrave politikë” në Itali dhe në Europë, nga të cilët shpresonte të kishte përfitime. Me padurim e priti poemën në prill të atij viti poeti austriak Frederik de Holm. Një kopje të kësaj vepre Dora d’Istria ia kishte dërguar atë muaj dhe albanologut J.G. Hahn. Kjo vepër, sikurse del nga letrat e Dora d’Istrias, u prit me shumë interes nga redaksitë e organeve të shtypit evropian. Drejtori i organit “Revue internatonale” i shfaqte asaj gatishmërinë për të botuar në të përkohshmen e tij përkthimin e disa këngëve të kësaj vepre shqiptare përkthyer në gjermanisht nga poetesha austriake, Xhusepina Knorr, mikesha e Dora d’Istrias, për t’u dhënë lexuesve gjermanë një ide për një poezi fare të pa njohur, që vjen nga një gjuhë e moçme, si çështë gjuha shqipe. Xhusepina Knorr ishte nga Viena, një nga përkthyeset dhe popullarizueset e veprave të De Radës, e cila ka qënë bashkëpunëtore e revistës “Fjamuri i Arbërit”.
Dora d’Istria kur mori dhurim Gramatikën shqipe, botuar nga De Rada në Firence më 1871(në emrin e djalit të tij, Xhusepe), u prek shumë nga kënaqësia që pati dhe e vlerësoi si vepër shkencore dhe patriotike. Ajo theksoi se ky studim do të ndihmonte filologët, të cilët, për fat të mirë, çdo ditë e më shumë po merren me njërën nga gjuhët më të moçme të Evropës. Për gramatikën shqipe, për sa njoftonte ajo, shkroi “Rivista Europea “. Dora d’Istria e shikonte të arsyeshme e në dobi të çështjes shqiptare që t’u dërgohej Gramatika e gjuhës shqipe edhe personave të rekomanduar prej saj, si Eduart Frankos, profesor i sankërsishtes në Kolegjin e Parisit në Francë, Maks Mylerit, professor në Universitetin e Oksfordit në Angli, baronit Shlektor, president i Akademisë në Kolberg, Dr.Juliam Shvarcit, anëtar i Akademisë Hungareze, e personave të tjerë të shquar. Ia kam dërguar Gramatikën shqipe Z.L Padhorskit në Paris, që është një nga linguistët më të ditur dhe që merret tani me gjuhën shqipe. Ai është studiues dhe personalitet politik, një nga anëtarët e grupit të radikalëvë hungarezë të emigruar në Francë dhe mik i De Radës. Gramatika kishte filluar të mirëpritej në qarqet politike e shkencore si një manifest kombëtar shqiptar, që dëshmonte për zhvillimin e gjuhës sonë të lashtë. Gramatika kërkohej me interesim nga albanologë e studiues të gjuhës shqipe. Ajo do të ndihmonte edhe fëmijët shqiptarë dhe arbëreshë për të mësuar gjuhën amtare, në atë kohë kur në Shqipëri nuk ishin hapur ende shkollat shqipe. Këtë popullarizim patën nga Elena Gjika edhe veprat e tjera të mëvonshme të De Radës si Skanderbeccu i pafaan, etj. Nëpërmjet Dora d’Istrias veprat e De Radës dhe të arbëreshëve të tjerë u njohën nga albanologët dhe shkrimtarët Lui Benlëv, Teofil Shtir, Xhusepina Knor, Herman Buholç, me të cilët De Rada pati lidhje me letra të shpeshta dhe këmbeu mendime mbi problem me karakter letrar, gjuhësor dhe politik lidhur me çështjen shqiptare. Dora d’Istria bënte çmos për kthimin e kolegjeve në vatra të vërteta arsimore kombëtare shqiptare, ajo merrte pjesë edhe në hallet e jetës së përditshme të arbëreshëve. Ajo këshillonte që shqiptarët por dhe arbëreshët të mos largoheshin nga vendi i tyre, të merreshin me bujqësi në tokat e tyre. Për bashkimin kombëtar shqiptar, një nga format për t’ia arritur këtij qëllimi, mendonte ajo, ishte zgjerimi i lidhjeve dhe takimeve të shpeshta të intelektualëve shqiptarë e arbëreshë me albanologë e me personalitete të ndryshme politike të vendeve të Evropës, të cilët e shikonin me simpati çështjen shqiptare. Ajo shtroi nevojën e krijimit të Akademisë shqiptare në Kalabri, ky instituçion i lartë shkencor do të merrej me hartimin e Fjalorit Kombëtar. Akademia, shkruante ajo, do të bëhet shpirti i popullit shqiptar që do të fuste pa pushim frymën e bashkimit. Më pas ajo shtroi nevojën për shndërrimin e kolegjit të Shën Adrianit në një instituçion të lartë arsimor për shqiptarët, i cili do të përgatiste kuadro arsimore për hapjen e shkollave në gjuhën amtare në Shqipëri, ide kjo që ishte menduar më parë nga De Rada, i cili punoi dhjetë vjet drejror i gjimnazit të Koriliano – Kalabros, ku punoi shumë për edukimin e bijve arbëreshë. Elena Gjikë ka shfaqur dëshirën për një alphabet shqip me gërma latine si më praktike dhe më e përshtatshme për shqipen. Ajo i këshillonte shqiptarët që të hiqnin dorë nga alfabeti sllav dhe ai grek, të cilët i quante të vjetëruar. Dora d’Istria e shikonte të domosdoshëm krijimin e alfabetit shqip mbi baza latine si një çështje e rëndësishme që ndihmonte shumë në lëvizjen për forcimin e unitetit kombëtar shqiptar.
Elena Gjika mbante lidhje e marrëdhënie miqësore me të gjithë figurat dhe autoritetet e shquara politike në Itali dhe në Evropë, që e shikonin me dashamirësi lëvizjen kombëtare shqiptare. Heroi i popullit Italian Xhusepe Garibaldi e çmoi shumë ndihmën që dhanë arbëreshët e Sicilisë dhe të Kalabrisë në luftën për bashkimin kombëtar të Italisë. Forca të shumta vullnetare arbëreshe kanë luftuar me heroizëm, në krah të Garibaldit, kundër mbretit të Napolit. Në këto rrethana, i pushtuar nga ndjenja e simpatisë që kishte për arbëreshët e Italisë, Garibaldi, me një dekret të veçantë i dha kolegjit arbëresh kompetenca të gjera, me qëllim që të bëhej një qendër e vërtetë arsimore. Në letërkëmbimin me Dora d’Istrian, Garibaldi e pa me simpati luftën e drejtë çlirimtare të popullit shqiptar. Në një letër dërguar shkrimtares Dora d’Istria, Garibaldi, pasi zotohej për ndihmën që do të jepte për çështjen shqiptare, shkruante: Çështja e shqiptarëve është imja. Vërtet unë do të isha i lumtur ta përdor jetën që më mbeti, për të mirën e këtij populli trim”. Garibaldi ishte i intersuar nga afër për kryengritjen e përgjithëshme të armatosur që do të shpërthente në Shqipëri në mars të vitit 1866. Dora d’Istria porosiste Jeronim De Radën, që t’i thoshte shkrimtarit arbëresh Vinçenç Dorsa, “se ne kemi 15.000 deri 20.000 pushkë pesëmbëdhjetë frangshe të një cilësie shumë të mirë, të cilat unë mund t’i kem në dorë, sapo ai të më lajmërojë”. Tanimë ajo (Elena Gjika) merr pjesë aktive e me vendosmëri në lëvizjen çlirimtare të popullit tonë në Shqipëri.
Elena Gjika, më 7 qershor 1878 njoftonte De Radën se kishte botuar në “Revue Geografique” të Parisit një letër proteste kundër vendimeve që kishte marrë Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit, që i shitën popujt sikur të ishin bagëti, shkruan ajo. Ky Traktat famëkeq, nënvizon ajo me zemërim, morri vendime në dëm të Shqipërisë, prandaj ajo godiste qëndrimin që mbanin diplomatët e Fuqive të Mëdha me në krye Bismarkun ndaj popullit shqiptar. Ajo i kritikonte ata për pazarllëqet që bënë në kurriz të Shqipërisë. Ajo, gjithashtu, vinte në dijeni De Radën mbi vendosmërinë e shqiptarëve për mbrojtjen e vendit nga copëtimi në ato çaste kritike. Ajo këshillonte se shqiptarët duhet të ndërhyjnë me shpejtësi në lidhje me caktimin e kufijve të Shqipërisë në Kongresin e Berlinit të 14 korrikut 1878. Në atë kohë, rusët shpifnin se shqiptarët janë sllavë, grekët e “megaliidesë” i quanin helenë. Dora d’Istria, thotë se u duhet ditur shumë për nder shkrimtarëve të rrallë si zoti Benlëv, dekan i Fakultetit të Letrave në Dizhon, që vazhdoi të flasë e të shkruajë me simpati për çështjen shqiptare dhe Shqipërinë, që u botuan në gazetat e Parisit, dhe që Dora dIstria ia dërgoi De Radës. I pushtuar nga një ndjenjë respekti e dashurie për popullin shqiptar, në vitin 1878, profesori Benlëv mbajti në Dizhon të Fances një cikël konferenvash, nëpërmjet të cilave ai hodhi poshtë shtrëmbërimet dhe padrejtësitë që bënin ndaj vendit tonë disa studiues e politikanë të huaj. Benlëv njihej si studiues i zellshëm i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Studimet e tij janë mirëpritur në qarqet shkencore albanologjike dhe itelektuale shqiptare dhe arbëreshe. Nëpërmjet letrave dërguar De Radës gjatë viteve 1871- 1884 ai ka shfaqur mendime me vlerë njohëse për çështjen shqiptare. Ai ka bashkëpunuar gjithmonë me Dora d’Istrian.
Dora d’Istria ndiqte hap pas hapi lajmet mbi çështjen shqiptare. Vizita e Abdyl Frashërit në kryeqytetet e disa vendeve të mëdha të Evropës dhe takimet e tij me zyrtarë të lartë, ku ai shtronte kërkesën për njohjen e të drejtave të popullit shqiptar, ishte një ngjarje historike në kuadrin e veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dora d”Istria i jepte De Radës lajmin se Abdyl Frashëri sapo ishte larguar nga Roma. Këtë informatë ajo duhet ta ketë marrë nga shtypi. Ajo shkruan se pavarësisht nga çdo kurth politik, që përgatitej në dëm të vendit tonë, lëvizja tonë kombëtare çan përpara. Po gëzohem shumë që shoh se punët e Shqipërisë janë duke marrë një rrugë të mbarë, i shkruan ajo De Radë nga Firencia. Botimi i revistës “ Fjamuri i Arbërit” më 20 korrik 1883 në Koriliano – Kalabro, e më pas në Kozencë të Italisë, gjatë viteve 1883 – 1887, nën drejtimin e Jeronim De Radës, Elena Gjika e priti me kënaqësi dhe e quajti atë si një symbol të emrit që përfaqëson kombin shqiptar dhe shprehu bindjen se nuk do të jetë vonë kur flamuri i Shqipërisë ka për të marshuar triumfues për ta udhëhequr popullin në beteja të reja.
Lidhur me Zef Jubanin, që ishte shkodran dhe që banonte në Shkoder, por që ka bashkëpunuar shumë ngushtë me arbëreshët e Italisë, Elena Gjika shkruan që është një nga burrat më të shquar të Gegërisë. Ajo e quan atë dijetar dhe patriot, i cili ka përgatitur një koleksion me këngë gege, por që fatkeqësisht sapo e humbi nga përmbytja e shkaktuar prej Bunës. Shumë shkrime të Zef Jubanit, që ajo i vlerëson lart për frymën patriotike dhe bukurinë letrare, ka bërë çmos për t’i përkthyer në italisht nëpërmjet Inxh. Emanuel Artom, një nga përkthyesit më të njohur në gjuhën italiane të veprave të De Radës dhe të Dora d’Istrias. Shkrimet e Zef Jubanit, artikujt e tij politikë, patriotikë dhe letrarë ajo ndihmoi të botoheshin në organe të shtypit Italian dhe në fletë të veçanta shtypi për arbëreshët e Italisë por edhe për t’u njohur italianët me gjëndjen në Shqipëri të popullit shqiptar. Zef Jubani qe një ndër shqiptarët që çmoi dhe ngriti lart meritat patriotike të bashkëkohëses së tij Elena Gjika. Ashtu sikurse De Rada, Serembe e të tjerë arbëreshë, të cilët thurrën vargjet më të bukura për Elena Gjikën, edhe Zef Jubani, në një vjershë kushtuar asaj, portretizon gruan e ndritur që shprehu me pendë në dorë aspiratat për një Shqipëri të lirë e të përparuar.
Dora d’Istrria ka shkruar për disa figura politike italiane por për arbëreshin Françesk Krispi, kryeministër dhe ministër i qeverisë së parë italiane, fill pas bashkimit kombëtar të Italisë, nuk shkruan ndonjë gjë që të tërheq vëmendjen, ose dhe kur shkruan e kritikon me emër si më posht: “Është për të ardhur keq që z. Krispi nuk merret aq shumë me çështjet e Akademisë. Është e vërtetë se të vësh në vijë një çështje në këtë vend është njëlloj si të bësh të kalojë një deve nëpër vrimën e një gjëlpëre. Megjithatë, do të ishte mirë të përpiqeshim të merrnim vesh çka bërë gjer tani Z. Krispi, ose çfarë mendon të bëjë “. Siç shihet Elena Gjika përpiqet ta ingranojë Krispin, në hallet e arbëreshve siç ishin në atë kohë fondet për Akademinë, apo kthimin e Kolegjit arbëresh të Shën Adrianit në një qendër të vërtetë arsimore, në një universitet të gjallë veprues, me qëllim që të bëhet për shqiptarët e gadishullit një vatër e arsimit të lartë për të përgatitur kuadrot e ardhëshme për kombin tonë. Ajo ndoshta përpiqej që Krispin, si arbëresh që ishte, ta afronte më shumë për mbështetjen e arbëreshëve, por edhe për çështjen shqiptare. Krispi ishte kryeministër i Italisë dhe kishte në dorë të bënte më shumë për ta mbështetur Shqipërinë, por historia tregoi se nuk bëri gjë. Edhe kur, pas shumë vitesh, i shkoi Ismail Qemali dhe i kërkoi mbështetje e ndihmë për Shqipërinë, përsëri nuk bëri gjë, ishte plakur krejt. Në një letër që i dërgon Dora d’Istria, De Radës nga Venediku i thotë si më poshtë: Jam e mendimit që disa nga krerët arbëreshë t’i drejtojnë një lutje qeverisë për të kërkuar që t’u jepen fondet e caktuara për ta kohët e fundit. Lutja duhet të mbështetet nga zotërinjtë Garibaldi dhe Krispi. Në një letër që i dërgon ajo Dhimitër Kamardës, shkrimtar dhe gjuhëtar arbëresh nga Sicilia (1821-1882), i cili ka hyrë në historinë e gjuhës shqipe si një studiues me aftësi të shquara shkencore, Dora d’Istria e përgëzon për veprën “Sprovë gramatologjie krahasuese mbi gjuhën shqipe”. Më 1870 Kamarda botoi një përmbledhje vjershash nga autorë të ndryshëm shqiptarë për nder të Dora d’Istrias. Kamarda, thotë ajo, po merret me një fjalor shqiptar, që porsa e ka filluar me shkronjën A, po e bën vetë këtë, në vend që ta marrë nga Hahni. Dora d’Istria ka mbajtur qëndrim kundër pretendimeve të padrejta të qarqeve monarkiste greke ndaj Shqipërisë dhe i quan tuafllëqe të panhelenizmit. U habita fort, shkruan ajo, kur pashë që një burrë si zoti Krispi, i cili duhet të njohë historinë e vendit të tij, u dhënka zemër atyre me anën e letrës bashkëngjitur, të botuar nga fletoret e Athinës, letër në të cilën ai e shpall veten “me prejardhje greke”.
Krahas artikujve të saj në mbrojtje të çështjes shqiptare që botoi në disa gazeta dhe revista evropiane, Dora d’ Istria botoi edhe studime të thelluara siç është: Shkrimtarët arbëreshë të Italisë së Jugut, që u përkthyen në italisht dhe gjermanisht, ku paraqet disa shkrimtarë arbëreshë si studiuesin Bernard Belushi, Anton Santori, Jeno de Korenei etj. Tani kam ndërmen të përfitoj nga udhëtimi i zotit Zef Jubani për të futur në Shqipëri Poemën nacional. Ekzemplarët e veprës “La nationalite albanaise “ (Kombi shqiptar ), që më kish dërguar z.Artom, u janë dorëzuar disa personaliteteve politike dhe letrare të Francës, Gjermanisë, Italisë etj. I kam dorëzuar zotit Jubani disa ekzemplarë të prospektit të Poemës nacionale dhe të veprës Lashtësia e kombit shqiptar dhe afëria e tij me helenët dhe latinët, që e botoi Jeronim De Rada në Napoli më 1864. Ai (Jubani) më ka treguar përmbledhjen e këngëve të Gegërisë, që ka filluar të përgatisë. Ndër punimet me të rëndësishme te Dora d’Istrias mund të përmendim edhe studimin: “Shqiptarët në Rumani”, që e shkroi në Firence, në vitin 1873. Krijimet e saj letrare ishin bërë të njohura jo vetëm në Evropë, por deri në Amerkë dhe deri në Tiencin të Kinës. Në ditarin e saj të datës 29 qershor 1867 në Venedik, Dora d’Istriia shkruan: Kam mundur më në fund të gjej adresën e zotit Teofil Shtir, albanolog gjerman dhe mik i De Radës, ai është drejtor i gjimnazit të Kolbergut në krahinën e Pomeranisë në Prusi, i kam dërguar Poemën nacionale dhe Principi di estetica, (Parimet e estetikës) të Girolamo De Radës, të botuar në Napoli më 1861.
Në punën e saj patriotike me arbëreshët e Italisë Dora d’Istria bashkëpunon me figurat më të shquara, dhe në këtë plejadë figurash të shquara radhitet edhe Domenik Mauro, shkrimtar dhe publicist revolucionar dhe shok i afërt i De Radës, si dhe Pjetër Kjara, avokat dhe publiçist arbëresh, autor i librit Albania, 1868 dhe i librit tjetër : Epiri, shqiptarët dhe Lidhja e Prizrenit, 1880,ai pati rastin të vizitojë Shqipërinë dhe të përshkruajë në këto dy botime gjendjen politike, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve. Në plejadën e figurave të shquara me të cilët bashkëpunoi Dora d’Istria bëjnë pjesë edhe Nikolla Kamarda, si dhe gjuhëtari arbëresh Andrea Dara etj. H. V. Longfellou, poet amerrikan, që lindi më 1807 në Portland (Maine) dhe vdiq më 1882 dhe që krijimet e tij si tregimi poetik-historik Evangeline dhe poema Skënderbeu janë përkthyer në mjaft gjuhë, na ka lënë këtë histori me Helena Gjikën – Dora d’Istria: E kam marrë letrën tuaj në Amerikë, i tha Helenës poeti Longfellou dhe jam fare mirë me shëndet. Ata u takuan në një udhëtim të mrekulleshëm në det, ku ai, thotë Elena, më ftoi për darkë, ai më premtoi se do të shkruaj së shpejti një poemë mbi Skënderbeun. Porsa ta kem shkruar do t’ua dërgoj. Unë, në muajin tetor do të kthehem në shtëpinë time në Firence, i tha Helena Gjika. Duhet të themi se poemën mbi Skënderbeun, Longfellou e shkroi dhe këtë poemë në shqip e ka përkthyer në mënyrë të përkryer Fan Noli. E etur për lirinë e Shqipërisë, Elena Gjika, në vitet e fundit të jetës shkruante: shpresoj se ne do jetojmë gjer atë ditë kur flamuri i Skënderbeut do të ngrihet mbi kullat e Rozafës. Ajo në moshën 60 vjeçare, më 17 nëntor 1888, i mbylli sytë, në një kohë kur lëvizja kombëtare shqiptare kaloi nga lëvizje kulturore, në lëvizje të armatosur.