Dokumentet sekrete / Zbulohet korespodenca e Ministrisë së Jashtëme në Tiranë, me ambasadën shqiptare në Ankara, në majin e vitit 1972, lidhur me aktivitetin e dy agjentëve të Zbulimit Shqiptar, Nevzat Koka dhe Lefter Sava, të cilët Turqia i akuzonte, se kishin mbledhur informata sekrete për instalimet raketore të NATO-s.
Relacioni: “Nevzat Koka nëpërmjet kasapit, Ramazan Bekollari, që në vitin 1961 është njohur me diplomatin shqiptar Gaqo Mborja dhe nëpërmjet tij edhe me konsullin, Lik Seiti. Kurse Lefter Sava, ka marrë udhëzime nga diplomatët, Mehmet Çaka dhe Simon Qirici”.
Nga DASHNOR KALOÇI
Arrestimi i pastorit amerikan, Andreë Brunson, në korrikun e vitit 2018, që shërbente prej rreth dy dekadash në Turqi dhe që u akuza se; “ka bashkëpunuar me grupin puçist, që organizoi grushtin e shtetit në 2016-ën”, apo ai i dy ushtarakëve grek, Angelos Mitrodis dhe Demetrios Kouklitzis, që u akuzuan për spiunazh në dëm të Turqisë, duket se nuk janë raste sporadike që kanë ndodhur me qeverinë e Ankarasë. Sidomos kur ato kanë ndodhur pas disa grushte shteti, gjë të cilat nuk kanë qenë fort të rralla në Turqi. Të tilla “probleme”, Ankaraja zyrtare ka pasur vazhdimisht edhe para viteve ’90-të, pothuaj me të gjithë fqinjët dhe vëndet afër saj, pa përjashtur këtu as Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, ku jo pak herë diplomatët e saj, akuzoheshin se mbështesnin, inkurajonin e financonin, agjentë të ndryshëm të rekrutuar rradhët e emigracionit shqiptar. Kjo gjë, veç të tjerash bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, të cilat i përkasin fillimit të viteve ’70-të, kur shërbimet sekrete turke, (MIT) dhe veçanërisht krahu i armatosur i saj, apo siç njiheshin ndryshe: “Uqërit gri”, (Kundër-Zbulimi i Turqisë, që merrej dhe operonte kryesisht ndaj aktivitetit të zbulimeve të vëndeve komuniste të Evropës Lindore), arrestuan dhe nxorrën para gjyqit ushtarak, dy shtetas turq me origjinë shqiptare. Ata ishin Nevzat Koka dhe Lefter Sava, të cilët akuzoheshin për aktivitet spiunazhi në dëm të Turqisë, duke zhvilluar propagandë dhe duke mbledhur informata me karakter tepër sekret, mbi instalimet raketore të NATO-s në Turqi. Madje jo vetëm kaq, por ata akuzoheshin se kishin zhvilluar veprimtari spiunazhi edhe në dëm të fqinjëve të Turqisë, siç ishin; Greqia, Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik. Arrestimi i Kokës dhe Savës, ka ndodhur pak kohë pas grushtit të shtetit që rrezoi qeverine turke ne vitin 1971, (pas muajsh dhune dhe trazirash në vend), ku gjenerali i ushtrisë, Memduh Tagmak, i dha ultimatum kryeministrit Sulejman Demirel, duke e detyruar ate të linte postin. Në këtë atmosferë, u zhvillua edhe gjyqi ndaj dy emigrantëve shqiptarë, i cili bëri bujë të madhe, pasi ai u përcoll rregullisht edhe nga shtypi vëndas, ku disa prej gazetave më të mëdha, si p.sh.: “Xhumhurjet”, apo “Aksham”, pasqyruan në faqet e tyre disa seanca gjyqësore, duke cituar edhe pjesën më të madhe të akt-akuzës së prokurorit ushtarak, Sirri Akbai, i cili bënte përgjegjës Shqipërinë komuniste, duke akuzuar me emra konkret, disa nga diplomatët shqiptarë të akredituar në përfaqësinë e Ankarasë, si: Gaqo Mborja e Mehmet Çaka (kuadro të lartë të Zbulimit Shqiptar, që në atë kohë drejtohej nga Jonuz Mersini), apo vetë Konsullin e Përgjithshëm, Lik Seiti. Dhe në mbyllje të këtyre shkrimeve, gazetat turke citonin edhe dënimet e dhëna nga prokurori Akbai, për dy të pandehurit “agjentë të Shqipërisë Komuniste”, përkatësisht, me vdekje për Nevzat Kokën dhe me 5 vjet burgim, për Lefter Savën. Po të kemi parasysh të kaluarën dhe aktivitetin e dy emigrantëve shqiptarë të vendosur në Turqi, që nga periudha e Monarkisë së Zogut, në pamje të pare, duket se dënimet që ka kërkuar prokurori ushtarak turk, janë dhënë në invers. Kjo pasi, sipas disa burimeve mjaft të besueshme, (ish-kuadro të Zbulimit Shqiptar), Nevzat Koka, ishte një i panjohur, ndërsa Lefter Sava, ishte një “aktivist” dhe emër mjaft i njohur i diasporës shqiptare në Turqi, (nënpunës i Shoqatës “Vëllazëria shqiptaro-turke”), i pranishëm në të gjitha festat apo pritjet e ndryshme që jepte ambasada shqiptare në Ankara. Po kështu, Sava ishte një nga krerët kryesorët e diasporës komuniste shqiptare në Turqi, që “luftonte” kundër grupimit të mërgatës antikomuniste në Turqi, të kryesuar prej Qazim Prodanit, ish-funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut, i vendosur në atë vënd pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste e Benito Musolinit, në prillin e vitit 1939. Nisur edhe nga këto, Lefter Sava, ishte një eskponent mjaft i preferuar i regjimit komunist të Tiranës, i cili thërritej dhe vinte në festat zyrtare apo përvjetorët e ndryshëm që zhvilloheshin herë pas here, në Shqipëri. Por për më shumë lidhur me këto, etj., na njohin këto dokumente arkivore që publikohen të plota (bashkë me faksimilet përkatëse), ekskluzivisht për gazetën FJALA.
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E AMBASADËS SHQIPTARE TË AKREDITUAR NË KRYEQYTETIN TURK, ANKARA, DREJTUAR MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME NË TIRANË, LIDHUR ME JEHONËN NË SHTYPIN VËNDAS, TË GJYQIT NDAJ DY SHQIPTARËVE, NEVZAT KOKA DHE LEFTER SAVA.
Ministrisë së Punëve të Jashtëme
T i r a n ë
I gjithë shtypi i sotëm turk, në faqe të parë me gërma të mëdha dhe të shoqëruara me fotografi të marra nga salla e gjyqit, shkruan mbi pretencën e prokurorit, ndaj të akuzuarëve Nevzat Koka dhe Lefter Sava si “agjentë të Shqipërisë” për “tradhëti të lartë kundra Turqisë dhe për veprime spiunazhi kundër Greqisë, Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik”.
Gazeta “Xhumhurjet”, ndërmjet të tjerave shkruan: “Prokurori, njoftoi për organizimin e aktivitetit të spiunazhit nga diplomatët shqiptarë. Për këtë çështje, prokurori foli: “Sado që Shqipëria me Turqinë nuk janë komshi, veçanërisht qenia e Turqisë në NATO dhe marrëdhëniet e afërta të Shqipërisë me Rusinë dhe tani me Kinën e kuqe, kanë bërë që nënpunësit shqiptarë, të merren me aktivitete spiunazhi, për t’u informuar me instalimet e NATO-s, detyra për t’u informuar mbi instalimet e NATO-s, u ishte ngarkuar personave me origjinë shqiptare, të ardhur aty prej kohësh në Turqi.
Ata janë urdhëruar të krijojnë lidhje me institucionet e NATO-s. Deri në vitin 1961, për zhvillimin e aktivitetit të tyre të Zbulimit, nënpunësit e përfaqësive shqiptare, i merrnin direktivat nga Bashkimi Sovjetik. Mbas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me të, ata hoqën dorë për një kohë, nga interesimi për të dhëna ushtarake. Duke filluar nga viti 1970, ata filluan të interesohen vetë për emrat dhe adresat, e personave që janë oficerë me origjinë shqiptare në ushtrinë turke. Për të vënë në jetë këtë veprimtari, ata bënë përgatitjet e rëndësishme”.
Gazeta “Aksham”, ndërmjet të tjerash shkruan: “Një prokuror ushtarak, Sirri Akbai, lexoi në gjyq akt-akuzën, të përbërë prej 25 faqesh. Për të pandehurin Nevzat Noka, në bazë të ligjit 56/1 të Kodit Penal turk, neni 133/2 dhe 12 që akuzohet për “tradhëti të mbrojtjes kombëtare”, kërkoi dënimin me vdekje. Prokurori ushtarak, në faqen 8, foli më gjerësisht për vënien në jetë të aktivitetit të zbulimit nga Shqipëria komuniste. Këtu më poshtë, po rreshtojmë këto aktivitete:
Aktiviteti propagandistik.
Aktiviteti për të mësuar sekretet ushtarake dhe politike mbi Turqinë.
Aktiviteti zbulimi kundër Greqisë.
Më tutje, akt-akuza jep hollësira mbi aktivitetin spiunazhit. Mbasi flitet shkurtimisht mbi të dhënat biografike të Nevzat Kokës, gazeta shkruan:
I pandehuri, është njohur me nënpunësin e ambasadës shqiptare, Gaqo Mborja, në vitin 1961, nëpërmjet kasapit Ramazan Bekollari. Me anë të Gaqo Mborjes, ai është njohur me Konsullin shqiptar, Lik Seiti. Më vonë, ai ka marrë udhëzime prej këtyre dy personave, për t’u informuar mbi sistemin e raketave në Turqi”.
Ndërsa për Lefter Savën, gazeta shkruan:
“Në vitin 1970, është bërë nënpunës i shoqatës “Vëllazëria shqiptaro-turke” dhe atje ka zhvilluar propagandë komuniste, për Shqipërinë. Për këtë, ai ka marrë udhëzime nga Mehmet Çaka dhe Simon Qirici. Në të njëjtën kohë, ai ka zhvilluar veprimtari spiunazhi, kundër komshive tanë, Bashkimit Sovjetik dhe Greqisë”.
Më poshtë, gazeta vazhdon: “Prokurori ushtarak, në bazë të ligjit të Kodit Procedurës Penale, Nr. 133 dhe 80, për zhvillimin e veprimtarisë së spiunazhit, në favor të një shteti të huaj, kundër shteteve të tjera të huaj, kërkoi për Lefter Savën, dënimin me 5 vjet burgim”.
Gazetat njoftojnë se seanca tjetër e gjyqit është shtyrë për më datën 22 maj 1972.
Ankara, më 12 maj 1972 Ambasada
RAPORT-INFORMACIONI I MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME NË TIRANË, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PARTISË PUNËS SË SHQIPËRISË, LIDHUR ME TAKIMIN E DIPLOMATIT MUSIN KROI, ME TË NGARKUARIN ME PUNË TË REPUBLIKËS SË TURQISË NË TIRANË, ARABAK, PËR PROBLEMIN E DY AGJENTËVE SHQIPTARË, TË DËNUAR NGA TURQIA
Drejtorisë së Dytë
Tiranë, më 18 maj 1972
INFORMACION TAKIMI
Më 18 maj 1972, shoku Musin Kroi, priti në takim të ngarkuarin me punë a.i. të Turqisë, Arbak, me kërkesën e tij.
Arbak tha se; e kërkoi këtë takim, në vijim të bisedës së parë që pati me shokun Musin. Ai vuri në dukje se, pas asaj bisede, dërgoi menjherë informacionet përkatëse qëndrës dhe se tani, ka përgjigjien e Ministrisë së tij, lidhur me çështjet që u ngritën nga ana e shokut Musin. Arbak tha se, ka marrë një përgjigjie të tillë, që mund të konsiderohet pozitive. Më poshtë ay tha:
Nga sa ma kanë njoftuar, çështja për të cilën ne biseduam, nuk është një rast i ri. Si pasojë e hetimeve të bëra nga autoritetet turke, kundrejt Lefter Savës dhe Nazmi Kokës, ata u arrestuan që më 9 gusht 1971, për aktivitet armiqësor spiunazhi. Gjatë hetimeve, ata kanë pranuar se kanë qenë në lidhje me Simon Qiricin. Tani rasti i tyre, i është paraqitur Gjyqit Ushtarak, për shkak të natyrës së tij dhe procesi gjyqësor vazhdon.
Përsa u përket gazetave, ato kanë shkruar, sepse gjyqi organizoi një seancë të re. Në fakt, lajmet e shtypit, nuk kanë qenë kurrë një fushatë kundër Shqipërisë dhe nuk kanë kaluar kufirin e lajmeve të përditëshme. Eshtë fakt se, gazetat nuk e kanë përmëndur këtë çështje përsëri, pas ditës kur u bë seanca e gjyqit. Dihet se në vëndin tone, gjyqet dhe shtypi janë të lirë dhe pavarur, prandaj një ndërhyrje në këtë çështje, nga ana e qeverisë, është e pamundur. Përveç kësaj, Ministria e Punëve të Jashtëme e jona, nuk është dakort në pikpamjen tuaja ekstreme, që fushata propagandistike, drejtohet kundër diplomatëve shqiptarë në Turqi dhe që këta janë objekt i kësaj fushate.
Marrëdhëniet e mira dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vëndeve tona, në fakt, krijojnë atmosferën e një propaganda antishqiptare në vëndin tonë.
Duke marrë fjalën, shoku Musin i tha të ngarkuarit me punë se, mori shënim për sa tha. I tha se; pikpamja e jonë; është ajo që është bërë e njohur në takimin e mëparshëm, dhe që i është paraqitur edhe sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtëme turke, nga ana e ambasadorit tonë atje, Ulvi Lulo, se nuk është mirë që të merren nën mbrojtje organet e shtypit, për ato që kanë shkruar kundër vëndit tonë e, diplomatëve tanë, të nxitura nga ato forca, që duan të fusin pyka në marrëdhëniet miqësore, që ekzistojnë midis dy vëndeve tona.
Shoku Musin, i përmëndi Arabakut se, në frymën e politikës parimore të qeverisë sonë dhe të marrëdhënieve miqësore, vëndi ynë ka përkrahur Turqinë, në çështjen e Qipros, kur shumë vënde të tjera, mbajtën një qëndrim kundër saj, dhe se ne kemi punuar gjithnjë, për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vëndeve.
Çështja e lartpërmëndur, nuk do të pengojë zhvillimin e mirë të këtyre marrëdhënieve dhe ato forca që duan t’i pengojnë këto marrëdhënie, nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Në këtë çështje, sikurse deklaroi edhe zoti i ngarkuar me punë, ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët.
Arabak, falenderoi për fjalët e shokut Musin. Ai tha se; ky rast, është bërë i qartë dhe njëkohësisht këtu tek ju, si dhe në Turqi, nga ana e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtëme, tek Ulvi Lulo. Ai tha se; ata e çmojnë qëndrimin miqësor të vëndit tonë edhe në momentet e vështira të tyre dhe se edhe ata nisen, nga dëshira e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore, midis dy vëndve.
Arabak ripohoi, se; çka ndodhur, i përket së kaluarës, dhe se ajo mbaroi dhe se kjo gjë, nuk mund të bëhet pengesë në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vëndeve. Ai vuri në dukje se, edhe ata që mëndojnë se ato forca që mundohen të krijojnë vështirësi në marrdhëniet midis dy vëndeve, nuk do t’ia arrijnë qëllimit të tyre.
Nga përgjigjia e Arabakut, duket se ndërhyrja tone, ka pasur efekt dhe se qeveria turke, duket se ka ndërhyrë që kjo çështje të mos shkojë më tej.
Alkyz Cerga