Nga Shpendi Topollaj
Kur në 29 janar të vitit 1860 lindi në qytetin provincial Taganrog, Anton Pavlloviç
Çehovi, Rusia kishte njohur lavdinë e penave të mrekullueshme si ajo e Pushkinit,
Lermontovit, Gogolit, Turgenievit, Gonçarovit, Tjtutçevit, Dostojevskit e Tolstoit
dhe po zgjohej e ndërgjegjësohej nga orientimi filozofik i mendimtarëve të
mëdhenj si Bjelinski, Herceni, Nekrasovi, Dobrolubovi e Çernishevskij, vepra e të
cilëve bëri që ajo kohë të njihet anë e mbanë rruzullit si “shekulli i artë”.
Pavarësisht kësaj dhe fatit të keq; që tuberkulozi ja dorëzoi vdekjes në moshën 44
vjeçare, asgjë nuk i pengoi si lexuesit e panumërt, ashtu dhe kritikët e mirëfilltë që
ta quanin atë një ndër novelistët, pse jo edhe dramaturgët më të mëdhenj të të
gjitha kohrave. Dhe ndofta më mirë se kushdo e ka përcaktuar talentin e tij, miku i
tij Maksim Gorki, kur thosh se: “Çehovi poshtërsitë dhe prapësitë i paraqiti me
gjuhën fisnike të poetit dhe me buzagazin e hollë të humoristit”. Për këtë
shkrimtar, që duke mos trashëguar asgjë nga ashpërsia e të jatit, gjë që më vonë e
detyroi të pohonte se “Në vogëli unë nuk kam pasur fëmijëri”, dhe që mbeti simbol
i të shkruarit thjeshtë, me edukatë të spikatur, humanizëm dhe pa asnjë banalitet,
njeriu vihet në vështirësi po t`i kërkohet se ku duhet ta rendisë atë, krahas Gi de
Mopasanit, Prosper Merimesë e Stefan Cvajgut. Pas vdekjes së të atit, që merrej
me një farë tregtie, i detyruar nga ngushtica ekonomike, qëndroi në vendlindje
gjersa mbaroi gjimnazin, sistemoi disi atë çka ai u kishte lënë dhe më pas iu
bashkua familjes që kishte shkuar në Moskë. Këtu, në vitin 1879 fillon studimet në
fakultetin e Mjekësisë, por edhe nis e shkruan me organet humoristke. Emrin e tij
të butë e zbuti akoma më shumë, duke nënshkruar: Antosha Çehonte. Studimet për
mjek i vlerësonte seriozisht, duke u kushtuar shumë më tepër rëndësi se talentit të
tij letrar. Në dy – tre vjet pas përfundimit të Universitetit, ai boton dy librat e parë:
“Tregime laragane” dhe “Shkrime të pafajshme”, të cilat lajmëruan se ai ishte
mjeshtër i tregimit të shkurtër. Në vitin 1884 boton “Tregimet e Melpomenës”.
Qysh në këto krijime bije në sy, butësia, ngrohtësia dhe ëmbëlsia e këtij shkrimtari,
çka me të drejtë indetifikohet me shpirtin e vetë atij. Ajo që i dallon ato, është
respekti për njeriun, lirinë dhe dinjitetin e tij. I joshur nga pritja mjaft entuziaste e
publikut, ai vijon të shkruaj pa reshtur. Ngjarjet të cilat i përshkruan Çehovi marrin
spunto nga të vërtetat jetësore. Ato, në vetvete duket se nuk kanë ndonjë peshë të
madhe, janë fare zakonshme, por tepër njerëzore dhe të mbrujtura ose më mirë të
qendisura nga një dorë mjeshtri të lindur, nga një magjistar i fjalës së bukur, i cili
sikurse thotë vetë: “Arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit”. Këtu, duhet të
sqarojmë diçka: vetëm një vit para se të lindte Çehovi, Ivan Aleksandroviç
Gonçarovi (1812 – 1891), që nuk ka lënë asnjë krijimtari të shkurtër, kishte botuar
romanin e bujshëm “Obllomovi”, një vepër madhështore, ku ai kishte derdhur
gjithë artin superior, paçka se të shkruarit e zgjaste pa fund. Pra, ashtu sikurse edhe
vetë Tolstoi (1828 – 1910), me fjala vjen “Lufta dhe paqja”, “Ana Karenina” apo
“Ringjallja” etj. tregoi se talenti i gjeniut nuk kushtëzohet nga zhanri që zgjedh. Po
le të vazhdojmë me jetën e Çehovit. Në moshën 24 vjeçare e emërojnë mjek
bashkie në një qytezën e Voznjesenskut, pranë Moskës. Këtu punon me mjaft
përkushtim për t`ju gjindur njerëzve në nevojë, dhe i njohu mirë ata dhe
shqetësimet e tyre, gjë që pasqyrohet edhe në tregimet që shkroi. Që këtu, sapo
mbushi 30 vjeç, ndërmori një udhëtim drejt Sahalinit, ku kolera po merrte shumë
jetë njerëzish. Por, pikërisht në këtë kohë, ai sëmuret nga tuberkulozi. Ai, më mirë
se kushdo e dinte se si do përfundonte, pasi aso kohe kjo sëmundje ishte e
pashërueshme. Heq dorë nga profesioni i mjekut dhe mendja i tij i përkushtohet
vetëm letërsisë. Kuptohet, se pas kësaj, gjendja e tij shpirtërore trazohet dhe kjo
reflektohet në ato që shkruan; kuptohet dëshpërimi dhe ajo që quhet “psherëtima
çehoviane”, pavarësisht se ai nuk hoqi asnjëherë dorë nga e qeshura e sinqertë dhe
humori fin. Tipike mbetet novela “Pavioni nr. 6” të cilin e shkroi nën përshtypjet e
vizitës në Sahalin dhe ku me një zemëratë të pazakontë stigmatizon ligësitë dhe
arbitraritetet, si shtysa drejt padrejtësisë shoqërore. Por njeriut e keqja mund t`i vijë
edhe nga vetja. Kjo duket te “Murgu i zi”, ku ndjenja e madhështisë, e nxitur nga
psikika e turbulluar, e fut Kovrinin në ëndërrime haluçinante, derisa mendon se
është i zgjedhur i Zotit, dhe nga njeri pa vese, u hap telashe edhe të tjerëve. Tani,
Çehovi që shkruan aq këndshëm për çaste dashurie e flirtesh, qoftë dhe për disa
oficerë artilerie që hutohen para dritares së një kompartimenti treni që ka ndaluar
në një stacion, nga hiret e një vajze që bën sikur nuk i vë re (“Bukuroshet”), arrin
në përfundimin se shoqërisë nuk i duhen më profetët, por ata që veprojnë
konkretisht. Dhe a nuk e ka shprehur mjaft mirë këtë Xhon Belushi ynë, kur thotë:
“Nëse jeta bëhet e fortë, atëherë të fortët duhet të përballen me të”. Veç novelave të
paharruara si “Vdekja e nëpunësit’, “E bija e Albionit”, “Në det”, “Kameleoni”, “I
trashi dhe i holli”, “Nënoficeri Prishibejev”, “Armiqtë”, “Zonja me kone”, “E
fejuara” etj. ai shkroi dhe gjashtë drama si “Kopshti i qershive”, “Tri motrat”,
“Xhaxha Vanja” e “Pulëbardha”… nga të cilat, dy të fundit, të vëna në skenë nga i
madhi Kostandin Sergejeviç Stanislavski në teatrin Artistik të Moskës, i dhanë një
kënaqësi të veçantë. (Drama të Çehovit ka vënë në skenë edhe Teatri ynë
Popullor). Ai, gjithmonë lë të kuptohet se shpëtimin e shoqërisë duhet ta kërkojmë
te ideja e punës së lirë. E parë kështu, edhe pse ishte mik me të, ai nuk ka asgjë të
përbashkët me këndvështrimin e Gorkit, pra zor se besonte te revolucioni, e ca më
shumë asqë e predikoi ndonjëherë atë. Ai ishte i butë, ndaj shpresonte në evolucion
dhe se jeta pas 20 a 50 vjetësh do të qe më e mirë, por gjithmonë duke pastruar dhe
duke e bërë më të mirë shpirtin. Këtë e kanë theksuar edhe autorët që kanë shkruar
ma aq dashuri kujtimet e tyre për të, si e shoqja Ollga Kniper, e dashura Lidia
Avillova, i vëllai Mihali dhe miku i tij M. Gorki, për mospranimin e të cilit si
anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 1902, ai dorëzoi në mënyrë
demonstrative titujt e nderit. E megjithatë, ky njeri që kishte si devizë; “Njeriu
duhet të ketë gjithçka të bukur: edhe fytyrën, edhe shpirtin, edhe mendimet, edhe
sjelljen, edhe veshjen” dhe që ishte i tillë edhe vetë, paradoksalisht, kur mbylli sytë
më 2 korrik të vitit 1904 në Badenvajler të Gjermanisë, ku kishte shkuar për kurim,
trupin e tij të mbyllur në arkivol e sollën në një vagon ku shkruhej “Për midhjet”.
Dhe për atë që në vogëli nuk kishte pasur fëmijëri, trillet e jetës bënë që të mos
kish as pleqëri. Por ashtu sikurse për Gogolin që vdiq po në moshën e tij dhe ju bë
një varrim madhështor, “njësoj ditët do të kalojnë, kurse ndikimi i veprës së tyre në
botë do të mbetet i madh dhe kurdoherë në rritje”