Tensionet në Veri, “ngrin” integrimi i Kosovës/ Hyjnë në fuqi masat ndëshkuese të BE-së

Bashkimi Evropian ka njoftuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi më 28 qershor.

Në një përgjigje për Klankosova.tv nga Bashkimi Evropian thanë se tashmë është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe programi i fondeve IPA.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje”.

“Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor. Komisioni ka njoftuar autoritetet e Kosovës më 28 qershor”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së për Klankosova.tv.

Më pas, ky zëdhënës tha se masat e marra ndaj Kosovës janë të përkohshme në varësi të zhvillimeve në veri, teksa paralajmëroi se BE-ja po e monitoron edhe përmbushjen e kërkesave nga Serbia.