KQZ merr vendimin, më 23 korrik përsëriten zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë të përsëriten më 23 korrik 2023. Në garë do të jenë sërish Edison Memolla, kandidati i Partisë Socialiste, i cili kërkon mandatin e tij të dytë, e përballë tij do të jetë sërish, Shkëlqim Hoxha i ‘Bashkë Fitojmë’.

Ky vendim u dha pasi Kolegji Zgjedhor urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Rrogozhinë duke shpallur të pavlefshëm rezultatin e votimeve të 14 majit. Dje, po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, i propozuar nga Partisë Socialiste pasi Kolegji Zgjedhor dhe KAS rrëzuan ankimimet e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ dhe kandidati Lefter Maliqi. Për Kuçovën, u rinumëruan 18 kuti, por rezultati nuk ndryshoi në favor të opozitës.

Në fund të mbledhjes së sotme, u dha “ok” edhe për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Tiranë, me kandidaten nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Kamela Banushi. “ Projektvendim “Për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë”;  Projektvendim “Për dhënien e mandatit të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, Qarku Berat z. Kreshnik Riza Hajdari, të propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”; Projektvendim “Për miratimin e formatit dhe specifikimeve të vulës së Komisionit të Qendrës së Votimit, vulës së kryetarit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe vulës rezervë të Komisionit të Qendrës së Votimit, të KZAZ-së nr. 43, Bashkia Rrogozhinë, që do të përdoren në datën 23 korrik 2023, për përsëritjen e zgjedhjeve për Kryetar Bashkie”; Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Tiranë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, zj.

Lexo edhe :  Belind Këlliçi: Rama talli menderen me shqiptarët

Kamela Ferdinant Banushi”, thuhet në njoftimin e KQZ. Kujtojmë se zgjedhjet e më pas numërimi në Bashkinë e Rrogozhinës u kthye në temë diskutimi e kontestimi nga ‘Bashkë Fitojmë’. Fitorja me vetëm 21 vota më shumë e Edison Memollës së socialistëve në Rrogozhinë, pas zgjedhjeve, e zhvendosi betejën për këtë bashki në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” e ankimoi, duke kërkuar rinumërim dhe shpalljen të pavlefshme të kutisë së burgut të Rrogozhinës, që vulosi fitoren e Memollës. Por pavarësisht se ankimimi i tyre u rrëzua me votat e 3 anëtarëve të KAS, dy të tjerët, Elvis Cefa dhe Ledio Braho shfrytëzuan hapësirën që i jep ligji, për të kërkuar rinumërim të të gjitha kutive të votimit në Rrogozhinë, përfshirë edhe atë të burgut.