Nga Sebi Alla
Nismat në dukje të mëdha mund të përfundojnë në koshin e vogël të një zyre që mban letrat e zhubrosura pa vlerë. I tillë ishte edhe “Ballkani i Hapur”, i pompuar me daulle folkorike e cila shërbeu për një valle “Sllavo-Shqiptare” dhe në fund u mbyll pa bujën e nisjes. Kryeministri Edi Rama në mënyrë të njëanshme lajmëroi se nuk do të jetë më funksionale nisma “Ballkani i Hapur” ku bënin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa u refuzua qartësisht që në nisje nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.
Më 1 korrik, Rama deklaroi në media se kjo nismë lindi për të çuar përpara Procesin e Berlinit, dhe sipas tij, ky mision është kryer. Pas deklaratës së Ramës që mbylli portën e “Ballkanit të Hapur”, reagoi shkurtimisht edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. “Nuk mund të besoj se Rama ka thënë një gjë të tillë”… Në fakt duhet besuar dhe shkaku duhej parë disa ditë para se Rama të vendoste kyçin e një gjysmë dere që e ndërtoi vetë. Më 23 qershor, Rama deklaroi se situata në veri të Kosovës ishte e rëndë dhe ngrinte çdo marrëdhënie me Serbinë nëse nuk do të lironte menjëherë tre policët kosovarë që dyshohet se u rrëmbyen në kufi. Plani që diskutohej ishte që Rama të ndikonte tek Vuçiç, (të cilin shpesh në deklarata publike e konsideronte mik), që ai të lironte tre policët Kosovarë. Duket se Vuçiç nuk mund t’i “shiste” kaq lirë tre efektivët e arrestuar dhunshëm. Në mes u fut kryeministri hungarez Viktor Orban, një figurë interesante që vlerësohet në vendin e tij, por nuk shihet aspak me sy të mirë nga liderët e të gjithë vendeve të BE-së. Mes Ramës dhe Orbanit, ndoshta me të drejtë dhe me ‘dhimbje’, Vuçiçi zgjodhi Orbanin, duke lënë qejfbetur “mikun shqiptar”. Për çfarë do i vlente Ramës ndikimi për lirimin e tre policëve kosovarë dhe a ishte një gjest i rëndësishëm për të? Padyshim që po. Së pari Rama do shihej në sy të publikut si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë si një shtetar që ka ndikim, edhe atje në vatrën e shkjaut. Për një çështje kaq humane dhe politike, Rama do merrte bekimet e familjarëve të tre efektivëve fatkeqë që nga burgjet serbe do shkonin bash e në votrën e tyre. Nga ana tjetër, me të drejtë do shërbente si një ndërmjetës i besuar i faktorit ndërkombëtar për të ulur tensionet Kosovë-Serbi. Nëse do kish ndodhur që Rama me ndikimin e tij të bindte Vuçiçin të lironte policët kosovarë, minimalisht spektakli asesi nuk do mungonte dhe ajo vallja “Sllavo-Shqiptare” me cyrlet dhe daullet e “Ballkanit të Hapur”, do të ngjante vepër e madhe artistike që do e kishte vendin e nderit në “UNESCO”.
Thyrja e Ramës me të “pabesin” Vuçiç
Me protagonizëm Rama ka dhjetë vite në pushtet. Me shitjen e një produkti që reklamën e ka të mirë, pavarësisht cilësisë ndoshta të keqe, sërish Rama mban pushtet dhe me gjasë do mbajë aq sa të dojë vetë, paçka datës së skandencës. Kostumi i një “politikani lokal” të paktën në bindjen personale të tij, kryeministrit i rri ngushtë. Duke parë rajonin, sytë e Ramës shkojnë ca më tej, për të qenë ai mashinisti i një treni me “gjashtë vagona” (sa vendet e Ballkanit Perëndimor), që gjithsesi lokomotivën do e ketë të dhuruar nga BE dhe SHBA. Me inat apo me mirëmendim, Rama i dha fund Ballkanit të Hapur, duke i refuzuar dorën të paktën përkohësisht mikut Vuçiç që nuk iu gjend në “ditë të vështira”. Nëse Rama dhe Vuçiç do bënin mërrëveshje të vogla (si lirimi i policëve) dhe më pas do të vijonin me takimet e parashikuara të “Ballkanit të Hapur”, vëmendja e mediave botërore do ishte pikërisht aty. Kjo nuk ndodhi as në ëndrrat më të bukura të verës, ndaj i “pabesi” Vuçiç sot duhet ndëshkuar duke i mbyllur portën e një shtëpize që mbante vetëm tre liderë, Ramën, Vuçiçin dhe Zaevin dikur. Me mbylljen e “Ballkanit të Hapur”, Vuçiç nuk është më pjesë e një shfaqjeje ndërkombëtare dhe se rruga e tij në takimet e rëndësishme do jetë maksimumi drejt Brukselit, ku e presin ca burra të nervozuar dhe të lodhur shumë, si Jozef Borrell, ashtu edhe Miroslav Laiçak, të dërguarit e BE-së dhe SHBA-ve për zgjidhjen e krizës Serbi-Kosovë. E njëjta vlen edhe për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, por të paktën ky i fundit refuzoi që në fillim pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” dhe tani duket sikur snobon veçanërisht Ramën, duke i lënë të nënkuptuar se bindja e tij që ky projekt nuk do ecte dhe se fuqizonte vetëm Serbinë tashmë është realitet.
Iku “Ballkani i Hapur” të kap “trenin e Berlinit”
Me mbylljen e “Ballkanit të Hapur” po del në skenë Procesi i Berlinit. Një nismë e artikuluar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Qëllimi është që të gjashtë vendet e Ballkanit Përëndimor të përfshihen në projekte të përbashkëta në zhvillimin ekonomik, kryesisht infrastrukturë dhe më pas edhe politik, gjithnjë nën monitorimin e BE-së. Ndërsa ky projekt daton në vitin 2016, zhvillimi saj mbeti disi në mes për shkak të situatave të ndryshme politike por edhe nga pandemia Covid 19. Tashmë risjellja e Procesit të Berlinit konsiderohet si nevojë dhe vijuesi është kancelari aktual gjerman Olaf Scholz. Për shkak të tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës kjo nismë bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Më 16 tetor pritet që Procesi i Berlinit të mbahet në Tiranë dhe ka mjaftuar kaq që Rama të mendojë se është koha e tij për të rimarrë protagonizmin që më shumë se Vuçiçi ia ka hequr Kurti… Rama lajmëroi një “tur ballkanik”, teksa ndalesat kryesore do ishin në Beograd dhe Prishtinë, për t’u takuar me krerët e këtyre vendeve. Në temën kryesore të diskutimeve sipas planit të Ramës do ishte pikërisht 16 tetori i Tiranës. Edhe këtë protagonizëm momental Ramës po ia prish Kurti. Kryeministri i Kosovës tha se e pret Ramën vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive për të nënshkruar marrëveshjet dypalëshe të lëna pezull pas refuzimit të Ramës dhe se nuk do të takohet me të kokë më kokë. Inaçorët shqiptarë Rama-Kurti nuk dinë të tërhiqen, kur në dukje “fiton” njëri, pezamtohet tjetri dhe mezi pret rastin për t’ia kthyer gurin, por ende nuk e kanë kuptuar se humbës janë të dy, për aq kohë sa Tirana dhe Prishtina zyrtare janë kaq larg në ide dhe aq më larg në veprime. Ndërsa Rama mendon seriozisht të marrë rolin parësor në Procesin e Berlinit, Kurti nga ana tjetër do duhet të zgjidhë çështje të mëdha siç është ajo e vendosjes së disa sanksioneve të buta nga BE, por në të ardhmen mund të cilësohen të rënda për fatin e Kosovës. Megjithatë qeveria kosovare dhe veçanrisht Kurti tashmë janë në një situatë me të qetë, sepse butësisht mund të plotësojë kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve për shtensionimin në veri, por duke parë sesi kërbaçi do fshikëllejë edhe Serbinë, e cila u paralajmërua nga BE se edhe për të sanksionet janë gati. Në politikën e vogël Ballkanike, çdo kryeministër i radhës mund ta konsiderojë veten fort të rëndësishëm dhe se bota “vërtitet” rreth tyre. Vëmendja ndërkombëtare aktualisht është kthyer nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të cilët në pamundësi për të qenë “faktor i rëndësishëm” ekonomik, politik, apo shembull i demokracisë së zhvilluar, kërcënojnë hapur se janë factor i rëndësishëm destabilizues. Vend për gjashtë gjela në një kotec nuk ka, pa një kryegjel që t’i bëjnë që të heshtin… SHBA dhe BE u detyruan të kthejnë sytë nga Ballkani Perëndimor, duke i lënë të “rëndësishmit” liderë ballkanik të vetëkënaqen se janë fort të rëndësishëm. Portat që hapën vetë i mbyllën po vetë!