Nga: Bujar Meholli
Kohë më parë pata shkruar një tekst mbi ndikimin e surrealizmit te dy rok bendet e mëdha britanike, Pink Floyd dhe Led Zeppelin. Ishin këngët respektive “Julia dream” dhe “No quarter” që i pata analizuar. Skena muzikore e viteve ’60 prek kulmin e aktivitetit artistik e angazhimit mbi çështje sociale e politike.
Emra si Bob Dylan, Jim Morrison, Beatles-at, Pink Floyd, Led Zeppelin, mes të tjerëve, prekin zenithin e interpretimit dhe përsosmërisë artistike. Kthehen në gjenezën e poezisë, në Greqinë antike, ku Pindari apo Anakreonti i këndonin lirikat e tyre nëpër mejhane duke i shoqëruar me lyrë. Poezia, droga, seksi, veshjet shik, gjenerata beat, hipizmi, përbënin konglomeratin e kësaj epoke, që gjithsesi s’mund t’i mohohet lavdia për sa i përket arritjeve artistike. Me grupin Pink Floyd jam njoftuar herët.
Gjatë studimeve të mia për letërsi. Tërheqja ndaj këtij grupi, përveç muzikës, padyshim mbruset me dimensionin letrar, ngaqë Pink Floyd është projeksioni më i madh i rokut psikadelik, ndaj dhe ndikimi i letërsisë (surreale) është evident. Ata gërshetojnë rokun e poezinë, surrealizmin e transcendencën, metafizikën… Pikërisht rreth kësaj teme do të përpiqem të shkruaj në këtë artikull. Psikadelika dhe ndërlidhja me muzikën e djemve britanikë të këtij grupi muzikor.
Një nga drogat e preferuara të artistëve, rokerëve, ishte LSD. Kjo substancë psikadelike evokon imazhe halucinative. Drogëra të tilla përdornin yjet e skenës botërore, qoftë në formë pluhuri apo tablete. Natyrisht që është ilegale dhe e dëmshme. Por hipotezat që janë ngritur mbi të janë të shumta. P. sh, si arrin të ndikojë tek artisti? Vërtet e prek anën kreative brenda trurit?
Fjala vjen, Aldous Huxley, shkrimtari i madh i romaneve distopike, në librin e tij autobiografik “Dyert e perceptimit” rrëfen përvojat e tij me drogërat, meskalinën, dhe efektet e saj kreative, gjithsesi duke rrëfyer edhe efektet anësore, negative, karshi transformimit të trurit dhe hapjen e horizontit të ideve artistike. Ndër efektet që jep kjo drogë, shumë e leverdishme për këta artistë, mund të përmenden: stimulimi i sistemit nervor, mendimi kreativ, krijues, ngritja e disponimit gjegjësisht sensi i humorit, euforia, e qeshura, pastaj sensualiteti/ndjeshmëria ndaj artit, të bukurës, muzikës, pra, vrulli i përjetimeve spirituale.
Shumë prej dëgjuesve të thekur të Pink Floyd konstatojnë se dëgjimi i këngëve të këtij grupi është përvojë në vete, njëfarë “drogimi”, pa qenë nevoja marrja e tabletave apo pluhurit. Pink Floyd shënjon kulminacionin e rokut progresiv.
Ai lindi në Angli, më 1965. Ishte Syd Barrett, themeluesi i orëve të para, i cili për problemet mendore të mëvonshme, përjashtohet nga grupi. Pink Floyd (emri i grupit u vendos po nga Barrett i cili kombinoi emrat e dy artistëve blues, favoritët e tij: Pink Anderson dhe Floyd Council) u krijua duke e pasuruar skenën e muzikës rok britanike, një projeksion i madh dhe novator i muzikës rok progresive e psikadelike që ironizon politikën, trajton probleme të ndryshme sociale.
Tekstet e tyre muzikore absorbojnë surrealizmin dhe poetikën e tij të nënvetëdijes. Ishin grupi më i madh i eksperimentimeve tingullore duke zhbiriluar nëpër ritmet e muzikës klasike, bluzit dhe xhazit të orëve të para, për t’i kombinuar dhe “nënshtruar” stilit të tyre potent e të dallueshëm. Grup që shiti mbi 200 milionë albume dhe u përfshi me kohë në Rock and Roll Hall of Fame.
Surrealizmi ndërtohej mbi atë që njihet si automatizëm psikik, ky do t’i jep hovë imagjinatës e cila do të hapërdahet krejt shpenguar. Imazhet që krijon truri në këtë gjendje nënvetëdije janë potencë emocionale që ngjizet me psikikën e njeriut. Brenda këtyre honeve bëhet “zhvendosja” e njeriut i cili krijon një realitet të ri brenda realitetit. Dualizmi arsye-jo arsye është krejt bota, gjeneza e njerëzimit.
Surrealizmi është ai që i zhbirilon skutat e thella psikike njerëzore, e rrënon hendekun mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës; në letërsi, shkrimtarët surrealistë ndikoheshin nga halucinacionet dhe e shkrinin këtë dualizëm. Surrealizmi është konsideruar humanizëm për faktin se njeriun e nxjerr lakuriq, këtu në kuptimin ekspresionist të fjalës. Pra, ai projektohet si i lirë nga të gjitha robëritë ngase nuk përfillë kurrfarë sistemi apo hierarkie.
Nga kjo perspektivë vjen edhe përafrimi i bendeve me të; roku është protestues, jokonvencional, anti-dogmatik, tolerant dhe human. Barrett shfaqi interesin e tij qysh në rini për surrealizmin, misticizmin lindor; kjo yshtje çon në atë që njihet si “muzikë spirituale”, e brendshme.
Këngët e Pink Floyd, në fillimin e karrierës, përçojnë atmosferë psikadelike, tekste surrealiste me imazhe fantastike, përdorimin e instrumentit sitar (i përdorur në muzikën klasike hindu dhe i bërë popullor në muzikën perëndimore) që e glorifikojnë përjetimin artistik krejt ndryshe. P. sh, te “Julia dream” edhe videoklipi i ngjason ëndrrës. Por ëndrrën e Julia-s në realitet askush nuk mund ta dijë.
Ajo mbetet mister. Në këtë atmosferë gotike, hamendësohet se ëndrra e Julia-s mund të jetë ndjekja e heronjve të saj të romaneve apo një dashuri e largët që e thërret… Mund të themi që kjo këngë është metaforë e humbjes së dashurisë sepse Julia shfaqet e trazuar, ajo bie në gjunjë pranë një varri përbri të cilit qëndron një kryq.
Çfarë ka humbur Julia vallë? Kjo humbje dashurie, qoftë përmes vdekjes apo ndarjes tragjike simbolizon konfuzionin jetësor dhe gjërat e mjegullta që e rrethojnë atë, jetën. Julia çapitet në një botë transcendentale të krijuar në mendjen e saj, aty i ikë realitetit apo më saktë, makthit që ai i krijon. Roger Waters na ka dhënë një personazh që jeton në sferat e ëndrrave…
Fjala vjen, albumi i famshëm i tyre The Dark Side of the Moon krijon amalgamën e trajtimit të shumë temave kruciale si: koha, lakmia, filozofia e jetës, tëhuajsimi, sëmundjet mendore, vdekja… “Ke mjaft kohë që ta vrasësh meqë të grafullon rinia tani, por seç e kupton nji ditë se le dhjetë vjet prapa… ahere ia merr vrapit, diellin synon por ai syrgjynoset qiejve, ai ngelet po i njëjti, por jo ti, ashtu i mplakur vdekjen s’e ke dhe aq larg…” shkruan Waters te “Koha”.
(Bujar Meholli) Natyrën e teksteve meditative grupi mëtojë ta ruaj përherë. Nga ana muzikore, novatorizmi hetohet në eksperimentin me kitarën, sintisajzerin, efektet e zgjatura zanore që amplifikohen në këngë; ulërima e qenve, zëri i derrave apo blegërima e deleve te këngët respektive, pjesë e albumit “Animals”. Pink Floyd përmes psikadelikës në rok e çoi një hap më tej protestën ndaj shoqërisë fragjile, luftës, imperializmit, terrorit, përhumbjes e zhgënjimit.
Disa nga këngët zgjatin gjer në 20 minuta. Interpretimi është krejt unik. Koordinim mbresëlënës vokalesh. Ndërfutje e jehonave të tejzgjatura, përshtatje e efekteve zanore sipas temës së trajtuar, solot dehëse të Gilmour-it, qeshjet lunatike hahahaha…
Pink Floyd është produkt i, le të themi, post-surrealizmit. Janë vitet ’60. Djemtë interesohen për surrealizmin e Breton-it, gjumin hipnotik, shkrimin automatik, kështu krijojnë amalgamën e rokut nën ndikimin psikadelik; njeriu është epiqendra, me gjithë hovet gazmore, rinia, pastaj kompleksiteti i së brendshmes, frika, ankthi, fragjiliteti, mungesa, vetëdija për fundin, vdekjen, amshimin… krejt kjo bartet në muzikë, përçohet përmes larushisë tingullore e shprehjeve artistike.
Njashtu si dhe jeta, plot larushi ngjyrash, poetike, e ëmbël dhe e hidhur, komplekse, por e dashur, e nevojshme. Ndaj dhe muzika e Pink Floyd është përvojë jetësore, refleksion spiritual…