Gobseku, ky fajdexhi i tmerrshëm që dinte të të shpëtonte nga robëria e mirënjohjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Ai ishte i tmerrshëm. Fajdexhi që nuk të falte asnjë qindarkë, meqenëse dhe në parimet e jetës së tij ishte një adhurues i parave dhe i arit. Dhe ishte nga ata që ta tërhiqte lakun deri në fund nëse nuk i shlyeje detyrimet.

Nga e gjithë novela “Gobseku”, – një libërth me format të vogël, i lexuar shumë e shumë vite më parë, – më kanë mbetur në mendje vetëm fjalët e fajdexhiut fort të urryer, por që në vetvete, përveçse një lakmitar për të pasur sa më shumë para, ishte dhe një filozof.

Teksa avokati Metre Dervil, – në një ambient të borgjezisë parisiene, ku kishte një konflikt mes nënës dhe vajzës për arsye të dashurisë së kësaj të fundit me një kont të falimentuar, – për të shuar debatin detyrohet të tregojë mes të tjerash për marrëdhënien e tij të ngushtë me një fajdexhi i cili e kishte zgjidhur problemin në fjalë. Dhe ky ishte Zho-Ester van Gobsek. Kështu avokati Dervil rrëfen dhe një episod:

Ditën që i shpura shumën e fundit që i detyrohesha, e pyeta se çfarë ndjenje e kishte shtyrë që t’i paguaja interesa aq të larta dhe për ç’arsye nuk kishte dashur të më bënte me të vërtetë një të mirë mua, që isha miku i tij.

-Biri im, – më tha, – desha të të shpëtoja nga barra e mirënjohjes, duke të dhënë të drejtën të besosh se nuk më detyroheshe asgjë dhe, për këtë arsye, ne jemi miqtë më të mirë në botë.

Dhe kaq duhet që ndonjëherë të gjesh shumë më tepër botëkuptim njerëzor në shpirtin e një fajdexhiu  të gdhendur letrarisht si krejtësisht negativ.

Ti mund të mbetesh peng i mirënjohjesh, për faktin se dikush në një çast të caktuar të ka bërë një nder. Por fajdexhiu Gobsek nuk ishte i këtij mendimi. Sepse nëse duhet të bësh jetën tënde, duhet të jesh i çliruar nga fenomeni i mirënjohjes së tepruar që vendos një barrierë mes teje dhe atij tjetrit që ta ka bërë këtë të mirë.

Ky libër ndoshta është vepra më e mirë e shkurtër, shkruar nga Balzak, dhe e quajtur thjesht sipas personazhit kryesor të novelës: Gobsek.

Gobsek ishte fajdexhiu më i njohur në Paris. Një nga ata që vendoste fatet e mijëra njerezve dhe të të gjithë shoqërisë. Dhe veç se fajdexhi ishte dhe fort koprac. Aq sa pas vdekjes së tij, përveç një pasurie shumë të madhe në para, tek bodrumet e shtëpisë iu gjendën edhe mallra ushqimore, mish e peshk, të sekuestruara në formë fajdesh të cilat kalbeshin në ambientet e brendshme për shkak se nuk kishte kush t’i konsumonte. Por për fajdexhiun kjo nuk kishte rëndësi. E rëndësishme për të ishte që ai ua kishte zhvatur borxhlinjve paratë që u kishte dhënë dhe kamatën mbi to. Dhe gjithashtu të sekuestruara në arsenalin e tij kishte dhe shumë orendi prej metali të çmuar, ar dhe argjend. Dhe e gjithë kjo pasuri, meqenëse nuk kish të afërm, i kaloi një mbese të gruas së tij.

Ky ishte Gobseku.

Darvili ishte i vetmi që Gobseku i rrëfehej. Sepse në çastet njerëzore të tij edhe Gobseku i ftohtë, i kalkuluar e i pamëshirshëm, kërkonte një njeri që t’i besonte të fshehtat e errëta të skutave të tij. Ata ishin fqinj. Dhe për më tepër Gobsekut i duheshin dhe këshilla juridike, por pa pagesë. Sepse ai nuk paguante për asgjë. Vetëm merrte. E ku gjente më mirë se fqinji i tij, ende pa përvojë, një këshillë me vlerë që kishte jo pak kosto nëse do t’i drejtoheshe një zyre konsulence. Kështu ai i tregon avokatit për jetën e nëndheshme të një qyteti magjepës siç ishte Parisi, për zonjat e shtresës së lartë që firmosnin kambiale në zyrën e tij, pasi i ishin lutur në gjunjë. Ai dinte gjithçka. Jo jetën e gënjeshtër të ballove mondane, por atë reale ku fisnikët ishin zhytur në baltë deri në grykë dhe ishte po ai që mbante fijen e tyre të shpresës. Por Gobseku nuk ishte nga ata që i dhimbsej ndokush.

Lexo edhe :  “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” vazhdon të magjepsë me versionin e plotë në italisht

Gobseku ishte në një betejë të vazhdueshme e të përhershme midis vesit dhe lakmisë. Dhe tek ai vinin njerëz të vesit që jetonin jetë të dyfishtë. Pikërisht kjo e bënte Gobsekun të ishte i fuqishëm, aq sa të drejtonte botën e errët të kryeqendrës franceze të shekullit XIX. E gjithë shtresa e lartë shoqërore, detyrohej të kërkonte para hua tek ai, për shkak të shpenzimeve të pamata që bënin, sidomos kur këto shpenzime nuk duheshin të binin në sy të të tjerëve. Merrnin para dhe jepnin kamatat. Ky ishte trendi i kohës. Gobseku ishte në krye të kësaj veprimtarie, që herë dukej komike dhe herë prodhonte tragjedi.

Gobsek ishte njeri i pashoqërueshëm, por të vetmen marrëdhënie miqësore që vendosi ishte ajo me fqinjin e tij, avokat të ri të quajtur Metre Dervil. Por edhe mikut të tij që i qëndronte pranë dhe i jepte këshilla juridike falas, nuk i bëri asnjë lëshim. Dhe pikërisht këtu ai tha dhe shprehjen e tij lapidare: “desha të të shpëtoja nga barra e mirënjohjes”.

Me novelën e tij, – të famshme tashmë, – Honore de Balzak na ka dhënë një pikturë të realitetit të atëhershëm borgjez por dhe të tanishmit. Sepse novela e shkruar prej tij gati 200 vite më parë, është po aq aktuale.

“Gobseku” është nga ato libra që nëse lexohet nuk mund të harrohet. Kjo ka ndodhur edhe me mua. Ndaj dua ta rekomandoj për një brez që ndoshta nuk ia ka idenë se në botën letrare ekziston një kryevepër e tillë. Kjo vepër erdhi në shqip në vitin 1944, fillimisht i përkthyer nga Tajar Zavalani me titullin “Fajdexhiu Gobsek”. Më pas pati një variant tjetër përkthimi, këtë herë nga Vedat Kokona, botuar në vitin 1970 nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” me një numër prej 130 faqesh. Sot ka disa variante të këtij libri, nga disa përkthyes dhe disa shtëpi botuese. Por nëse ju duhet një variant korrekt, gjithmonë duhet drejtuar nga certifikata më e mirë e mundshme: nga përkthimi i Vedat Kokonës.

Honoré de Balzak, romancier i famshëm francez i shekullit të XIX ka një korpus të shkruar prej tij ku përfshihen të paktën 100 tituj veprash të ndryshme e të përmbledhura nën okelion “Komedia Njerëzore”. Shkrimtari na ka dhënë një panoramë të jetës franceze të pas vitit 1815 që përkon dhe më rënien e Napoleon Bonapartit dhe që u quajt si: koha e restaurimit Francez.

Të fundit

Ngjela komenton lojën e Greqisë në Shqipëri: Ata nuk kërcënojnë dot, janë tërhequr

Avokati Spartak Ngjela ndau sot (3 Shkurt) mendime për zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë, rajon dhe gjeopolitikën ndërkombëtare në...

Shenjat që tregojnë se trupi juaj është plot me toksina

Toksinat janë prezente në çdo gjë që na rrethon, në ajër, ujë madje edhe në ushqimin që hamë. Ato grumbullohen në trup nga ushqimi...

Strehimi në Tiranë/ Si do funksionojë programi për kreditë dhe banesat sociale!

E dyndur nga individë e çifte të reja që kanë zgjedhur të nisin jetën në kryeqytet, Tirana ka sot jo vetëm numrin më të...

Të mërzitur pse po u realizohet para kohe programi

Nga Mero Baze Lulzim Basha ka akuzuar Edi Ramën se i ka vjedhur idenë për shkollat 9-vjeçare me drekë, ku fëmijët do të qëndrojnë për...

Loredana e kurorëzuar jashtë shtëpisë së BBV 4? Rozana habit me deklaratën

Shtëpia e “Big Brother VIP 4” ka hyrë në një periudhë tensioni dhe përplasjeje pas dasmës që u zhvillua mes Jozi-t dhe Loredanës. Megjithatë, dasma...

Lajme të tjera

Web TV