Sulm me armë në Tel Aviv, plagoset rëndë një polic izraelit

Paniku mbizotëroi në një rrugë qendrore në Tel Aviv pasi një oficer policie, gjatë një demonstrate kundër reformës gjyqësore në Izrael, u qëllua nga një person i armatosur, i cili më pas u “neutralizua”.

Policia izraelite e përshkroi të shtënat si një sulm terrorist dhe sulmuesi u identifikua më vonë. Sipas mediave izraelite, bëhet fjalë për një palestinez 22-vjeçar i cili “i përket një organizate terroriste dhe është larguar nga një kamp refugjatësh në Bregun Perëndimor”.

Të shtënat vijnë një ditë pasi një adoleshent palestinez u vra në një sulm nga civilët izraelitë në një fshat palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Vihet re se dy izraelitë u arrestuan pas vdekjes së adoleshentit palestinez i cili u qëllua kur kolonët sulmuan një fshat në Bregun Perëndimor.

Banorët e fshatit palestinez Burka thanë se kolonët hebrenj hynë në komunitet të premten mbrëma, hodhën gurë dhe u vunë flakën makinave. Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez njoftoi se një 19-vjeçar u vra.

Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se në bazë të elementeve të para të hetimit, përleshjet nisën kur izraelitët shkuan për të kullotur delet e tyre pranë fshatit dhe palestinezët tentuan t’i përzinin. Pasoi një konfrontim që u përshkallëzua në luftime me gurë “nga të dyja anët” dhe “të shtëna dhe gjuajtje me fishekzjarre nga palestinezët”.

“Gjatë konfliktit, civilët izraelitë qëlluan mbi palestinezët. Si pasojë e konfrontimit, një palestinez mbeti i vrarë, katër të tjerë u plagosën dhe një automjet palestinez u dogj”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, pasditen e sotme, të paktën një izraelit u qëllua dhe u plagos rëndë në një rrugë qendrore në Tel Aviv. Policia izraelite tha se po hetonte incidentin si një sulm “të mundshëm”.

Lexo edhe :  Vullnetarët e Flotiljes Globale “Sumud” nisin grevë urie në burgjet izraelite

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e sulmeve nga kolonët hebrenj në fshatrat palestineze në Bregun Perëndimor, ku dhuna është përshkallëzuar prej një viti, me bastisjet e ushtrisë dhe sulmet palestineze ndaj izraelitëve në rrugë.