Ballkani dhuron spektakël, Suharekasit mposhtin pastër Lincoln Red në “Fadil Vokrri”

Ballkani vuajti në pjesën e parë, por bëri gjithçka mirë në të dytën dhe fitoi 2-0 kundër Lincoln Red Imps (Gjibraltar) falë dy supergolave.

Skuadra e Ilir Dajës siguroi rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të raundit të tretë në Conference League, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në “play-off”.

Albin Berisha gjeti golin në 45 minutat e para, por u anulua për pozicion të parregullt. Sfida u zhbllokua pas një ore lojë. Super aksion i kampionëve të Kosovës.

Asist i bukur i Nazmi Gripshit dhe finalizim i saktë i Meriton Korenicës. Tri minuta më vonë u ndez sërish atmosfera në “Fadil Vokrri”.

Me Lorenc Trashin që realizoi një kryevepër me të majtën e tij, duke i dërguar të gjithë në delir. Përfundimisht 2-0 për Ballkanin, që vijon të marshojë drejt grupeve të Conference League.