Spektakël në Cincinnati, Djokovic përmbys dhe triumfon në finale ndaj Carlos Alcaraz

Një finale që i pati të gjitha, kështu rezultoi të ishte ajo e Cincinnatit mes Carlos Alcaraz dhe Novak Djokovic. Tashmë, jemi mësuar me këtë dyshe që dhuron emocione të jashtëzakonshme dhe sfida në Centre Court i pati të gjitha teksa pas më shumë se tre orësh ai që triumfoi duke shtuar një tjetër titull Masters në “CV” ishte tenisti serb.

Në fakt, dukej një takim që do të shkonte në favor të Alcaraz. Tenisti nga Murcia fitoi setin e parë me shifrat 7-5 teksa Djokovic po vuante diellin që kishte pushtuar Centre Court. Në setin e dytë, Nole shfaqi probleme të shumta fizike dhe sërish 20-vjeçari kishte avantazhin dhe mund ta dërgonte ndeshjen në shifrat 5-3, por papritur numri dy i botës fitoi në shërbimet e Alcaraz dhe barazoi në 4-4.

5.jpg

Kjo ishte pika e kthesës jo vetëm për setin e dytë, por për krejt takimin me Djokovic që në atë moment nisi një tjetër ndeshje. Seti iu drejtua tie break, ku edhe aty Alcaraz shpërdoroi një mundësi për të fituar ndeshjen.

Në fund, 36-vjeçari e fitoi tie break me shifrat 7-9 dhe ndeshja shkoi në set final. Ishte Djokovic që mori kryesimin me shifrat 3-5 dhe pati në më shumë se një rast mundësinë për ta mbyllur ndeshjen. Por, Alacaraz nuk u dorëzua, luftoi, mori disa pikë spektakolare dhe barazoi sërish.

6.jpg

Edhe njëherë u desh ndihma e tie break dhe kur u duk se Alcaraz do të shfrytëzonte freskinë fizike, eksperienca e Djokovic bëri diferencën. Serbi nuk fali dhe fitoi tie break me shifrat 4-7 duke shfrytëzuar edhe gafat e spanjollit, që ndryshe nga ajo që na ka mësuar, këtë ndeshje bëri shumë gabime që peshuan në fatet e takimit.

Lexo edhe :  Turpi i "Los Blancos", Atletico fiton 5-2 në derbin madrilen

2-1 në total dhe festa ishte legjitime për Djokovic që nuk ngurroi të griste edhe bluzën duke marrë edhe “hak” për atë finale të humbur në Wimbledon. Për Djokovic ishte titulli i tretë në Cincinnati ndërsa nga ana tjetër, numri një i botës nuk mundi t’i mbante lotët. Për fat të mirë, bëhej fjalë për një titull Masters 1000 dhe jo për një titull Grand Slam.

Alcaraz ka kohën e duhur për të nxjerrë mësimet nga kjo përballje, pasi në horizont është US Open, titulli i fundit Grand Slam i sezonit dhe sërish projektohet një tjetër përballje me Djokovic.