Tre liderët e opozitës Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulzim Basha në luftën mes njëri-tjetrit harrojnë betejat ndaj qeverisë Rama. Përçarja më e fundit që thellon ndarjen mes tyre është edhe Bashkia Kukës, ku palët as nuk tentuan të afrohen. Dyshja Berisha-Meta zyrtarisht e bashkuar, praktikisht e ndarë, ndërsa Basha vijon të shpresojë se “beteja tani nis”.
Në daljet e fundit publike, ish-kryeministri Sali Berisha po artikulon gjithnjë e më shpesh ftesën për protesta të qytetarëve kundër qeverisë Rama. Më i tërhequr duket Meta, që gjithsesi në të rrallë kap ndonjë temë për të mbajtur konferencë dhe më pas “fshihet” për ca kohë, duke mos pasur një qëndrim të prerë as për protestat sikurse thotë “aleati në letra” Berisha, por as qëndrim të ashpër ndaj qeverisë apo drejtësisë. Tërësisht më të ndryshme janë qëndrimet e Lulzim Bashës i cili nga 29 korriku deri më 15 gusht ishte aktiv thuajse çdo ditë, më pas nga ajo kohë edhe për të shkruar ndonjë status të shkurtër në facebook përton. Sfida e tyre e radhës janë zgjedhjet e parakohëshme lokale në Bashkinë Kukës. I pari që lëshoi sfidën por edhe gjeti personin e duhur si “figurë përbashkuese” ishte Lulzim Basha i cili përmendi emrin e Arif Rexhmatit si kandidat i përbashkët i opozitës. Emri tundoi Berishën, por jo qëllimet e tij, duke i dhënë fund çdo mundësie bashkëpunimi qoftë edhe në një bashki relativisht të vogël si Kukësi. Berisha hapi primaret, duke ndjekur praktikën e mëparshme që kandidati të marrë pëlqimin nga anëtarësia. Në këtë mënyrë preu hovin e Bashës.
Të tre drejtuesit e opozitës janë larg njëri-tjetrit, ku për momentin mbahet si për inertësi dyshja “Berisha-Meta” me koalicionin “Bashkë Fitojmë”, që nuk fituan në zgjedhjet lokale. Megjithatë të dy e kanë të qartë se erërat e forta në vijim mund të bëjnë që Meta të mos tregohet aq dashamirës me Berishën, duke tentuar të ruajë marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe nëse për shkak konjukturash i kërkohet prej tyre që t’i bëjnë dalje Berishës, atëherë Meta nuk do mendohet gjatë dhe për karrierën më të gjatë të tij në kohë, është gati të djegë Berishën. Paradoksalisht që të tre duan humbjen e njëri-tjetrit. Berisha do preferonte që Bashkinë Kukës tia linte sërish socialistëve sesa të fitonte kandidati i propozuar nga Lulzim Basha. Po ashtu edhe Meta emrin e Bashës do të dëshironte ta fshinte përgjithnjë, për ta pasur më të lehtë që të depërtojë në “PD-në e Berishës”, pse jo të quhet ai lideri opozitar, edhe de fakcto, pasi de jure ai është vulëdhënësi i Berishës, duke e mbajtur këtë të fundit ligjërisht në zgjedhje. Vulën e ish-LSI-së, të kthyer në “Partia e Lirisë”, Meta e shiti shumë shtrenjt në zgjedhjet lokale, duke i ofruar Berishës si vulën ashtu edhe kandidatët për kryebashkiakë, por mori një thelë të madhe në Këshillat Bashkiakë. Megjithëse në letra PL e Metës duket e madhe, e ka të qartë se me Berishën, sado që ta dëshirojë si aleat e ka davanë e humbur për shumë arsye. Së pari Berisha është person i sanksionuar nga SHBA dhe Britania e madhe duke u shpallur “Non Grata”, së dyti di të analizojë situatën se Berisha di të luftojë, por është gati në kufijtë e pamundurës që të frymëzojë.
Forca e tyre ka rënë ndjeshëm dhe sado që mazhoranca po ua shtron rrugën me aferat e saj, sërish si Berisha ashtu edhe Meta nuk janë në gjendje që të nxisin protesta, reagime, frymëzim apo shpresë tek opozitarët e shumtë, por të papërfaqësuar prej tyre. Më i qetë dhe pa shumë pretendime është Lulzim Basha, i cili pasi rimori drejtimin e partisë mjaftohet me pak. Ai kërkon që të jetë factor me një grusht deputetësh në zgjedhjet që do të vijnë. Një “ëndërr” e kahershme mbetet që ai të jetë gjithnjë i dyti i rëndësishëm, por me pushtet, pavarësisht se të tijëve që i rrinë afër u mbush mendjen se “shumë shpejt gjërat do ndryshojnë dhe vetë Basha do marrë pushtetin”, nën siglën e fortë të PD-së e cila është venituar kaq shumë në dy vitet e fundit. Në normalitet që të tre përfaqësuesit e opozitës kundërshtar duhet të kishin Ramën, por në të vërtetë ata kanë më shumë njëri-tjetrin, aq sa pasi Rama fiton, të paktën Berisha-Meta “ngushëllohen” se humbi Basha, apo ky i fundit se humbën Berisha-Meta.