Max Verstappen nuk ka konkurrencë në këtë sezon të Formula 1 dhe tashmë ka nisur një cikël fitoresh të cilat nuk dihet se kur do të ndalen. Në Holandë, pavarësisht shiut dhe të papriturave atmoferike, piloti i RedBull ia doli ta kalonte sërish i pari vijën e finishit në pistën e Zandvoort.
Ishte suksesi i nëntë radhazi për holandezin që barazoi kështu Sebastian Vettel. Edhe gjermani në vitin 2013 mundi të regjistronte nëntë suksese radhazi. Tashmë, në Itali në pistën e Monzas që është edhe gara e fundit europiane e këtij sezoni, Verstappen do të tentojë triumfin e radhës në mënyrë që këtë rekord ta mbajë i vetëm.
Askush më parë në botën e Formula 1 nuk ka mundur të regjistrojë 10 fitore radhazi. Verstappen e ka treguar se në pistë nuk fal asnjë centimetër dhe do të kërkojë me çdo kusht rekordin e radhës për të shkruar një tjetër faqe të historisë. Të zotët e shtëpisë, Ferrari, dhe Hamilton apo Alonso do të tentojnë ta ndalin, edhe pse duket më shumë një “mision i pamundur” pasi RedBulli i 25-vjeçarit ka një “marsh” më shumë.