1959 – Sovjetikët ulin të parët në Hënë sondën e tyre kozmike
Një sondë sovjetike arriti të ulet në sipërfaqen e Hënës, duke u bërë objekti i parë i krijuar nga njeriu i dërguar nga Toka.
Ajo ngjarje e rëndësishme u dha sovjetikëve një avantazh jetëshkurtër në “garën e hapësirës” dhe i nxiti akoma më shumë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar programin e tyre hapësinor.
Dy vite më parë, sovjetikët tronditën SHBA-në duke u bërë vendi i parë që lëshoi një satelit në orbitë përreth Tokës. Suksesi i “Sputnik” trembi shumë amerikanë, të cilët besonin se shumë shpejt sovjetikët do të zhvillonin një lloj të ri armësh që mund të gjuanin nga hapësira.
Më të shqetësuar ishin sigurisht zyrtarët amerikanë, pasi suksesi i “Sputnik” ishte një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj pretendimeve amerikane për epërsi teknologjike dhe shkencore ndaj regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik.
Dhe në fakt, ajo ngjarje ishte një fitore e madhe propagandistike për sovjetikët, që u dha atyre avantazh në tërheqjen në orbitën e tyre të vendeve më pak të zhvilluara përmes premtimeve për ndihmë ekonomike dhe teknologjike.
Shtetet e Bashkuara u kundërpërgjigjën duke e përshpejtuar programin e tyre hapësinor. Dhe vetëm disa muaj pas lëshimit të “Sputnik”, në orbitë u lëshua një satelit amerikan. Por në shtator të vitit 1959, sovjetikët e ngritën shumë lart stekën kur njoftuan se një sondë që mbante flamurin e Bashkimit Sovjetik ishte ulur në sipërfaqen e Hënës.
Nga Uashingtoni pati një urim formal për shkencëtarët sovjetikë që menaxhuan operacionin.
Por në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Bashkimin Sovjetik se dërgimi i flamurit rus në Hënë nuk u jepte sovjetikëve të drejta territoriale mbi trupin qiellor më pranë Tokës.
Zëvendëspresidenti Riçard Nikson i siguroi amerikanët se “SHBA është shumë më përpara” në garën hapësinore. Në vitin 1960, kandidati presidencial Xhon F.Kenedi e bëri atë një nga temat qendrore të fushatës së tij. Pasi fitoi zgjedhjet, Kenedi rriti ndjeshëm shpenzimet për programin hapësinor dhe u zotua se Amerika do të dërgonte një njeri në Hënë deri në fund të asaj dekade. Dhe në vitin 1969, astronauti amerikan Neil Armstrong u bë njeriu i parë që eci në Hënë.
Ngjarje të tjera të rëndësishme:
1321 – Vdes shkrimtari i madh italian Dante Aligeri, shkrimtari i kryeveprës botërore “Komedia Hyjnore”.
1638 – Vdes Xhon Harvard, themelues i universitetit më të famshëm sot në botë.
1812 – Një javë pasi arriti një fitore të përgjakshme në betejën e Borodinos, ushtria e madhe e Napoleon Bonapartit, hyn në qytetin e Moskës. Qyteti ishte i shkretë, pasi rusët ishin larguar drejt lindjes.
1911 – Kryeministri rus, Pjotër Stolipin, plagoset për vdekje gjatë një atentati në Operën e Kievit.
1960 – Iraku, Irani, Kuvajti dhe Arabia Saudite formojnë OPEC-un.
1979 – Vritet gjatë një grushti shteti presidenti afgan Nur Muhammed Taraki./ Përshtatur nga Fjala.al
( S.M )