Spektakël në Holandë mes Ajax dhe Marseille, AEK ”shokon” Brightonin në shtëpi

Shumë gola për një pikë në “Johan Cruijff Arena” të Amsterdamit, me Ajaxin dhe Marseillën që ndanë nga një pikë falë barazimit spektakolar 3-3. Vendasit e nisën vrullshëm dhe shënuan dy gola brenda 20 minutave me Forbs e Berghuis, por francezët rikuperuan gjithçka në fundin e pjesës së parë me Clauss e Aubameyang, për t’u kthyer në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-2.

Edhe në pjesën e dytë ishte Ajaxi që shkoi i pari në avantazh me anë të Taylor, por sërish Aubameyang shënoi, duke rikthyer baraspesëhn dhe duke i dhënë një pikë me mjaft rëndësi Marseille, në një moment kaosi për klubin.

Fitore pa probleme për Atalantën, që triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj polakëve të Rakow. Belgu Charles De Ketelaere konfirmoi se ka rilindur nën drejtimin e Gasperinit, pasi shënoi në fillim të pjesës së dytë, ndërsa më pas Ederson shënoi edhe golin e dytë, duke vulosur fitoren dhe tre pikët.

Bëri surprizën AEK-u i Athinës në transfertën angleze ndaj Brighton, ku ia doli të fitojë me rezultatin 2-3. Grekët shënuan me Sidibe e Gacinovic në pjesën e parë, duke kaluar në avantazh të dyfishtë, ndërsa në pjesën e dytë Joao Pedro ekzekutoi saktë dy penallti për skuadrën e De Zerbit, duke rikthyer baraspeshën.