Jo biznesi i vogël, taksa e re që shtohet nga 1 janari 2024/ Kush do tatohet

Nga janari i vitit 2024, për herë të parë mbi 16 mije te vetëpunësuar që ofrojnë shërbime profesionale, që ishin trajtuar deri më tani si biznes i vogël dhe nuk paguan tatim mbi fitimin, do të taksohen mbi të ardhurat vjetore.

Ligjin që mori vulën e Kuvendit, Ministria e Financave e ka qartësuar përmes një udhëzimi ku specifikohet se profesionistët e lirë do të taksohen në dy fasha.

15% tatim do të paguajnë ata që fitojnë deri në 140 milionë lekë te vjetra dhe 23% për xhiron mbi 140 milionë lekë te vjetra në vit. Me këto ndryshime ligjore diskriminohen profesionistët e lirë që do paguajnë si biznes i madh, ndërkohë që bizneset e vogla vijojnë me 0 taksa.

Ky vendim që penalizon 16.700 profesionistë të lirë (sipas shifrave të Ministrisë së Financave) krijon diskriminim të tyre në raport me biznesin e vogël, që aktualisht për fitimin deri në 140 milion lekë te vjetra, nuk paguan taksa.

Atëherë përse profesionet e lira për të njëjtën xhiro vjetore, deri në 140 milion lekë, duhet të paguajnë taksë 15%?

Me ligjin e ri, profesionistët e lirë që ofrojnë shërbimin e tyre pranë një ose më shumë kompanive do të paguajnë më shumë se biznesi i madh, i cili për xhiron vjetore mbi 140 milionë lekë te vjetra, paguan tatim 15% pavarësisht sesa para grumbullon, pa asnjë fashë tjetër./   S.M