Ennio Morricone, tribuni i muzikës eternale

Nga: Bujar Meholli

Vërtet kushdo që ka një grimë erectioris ingenni nga muzika, pajtohet se ajo që ka bërë Ennio Morricone gjatë karrierës së tij shënjon një epokë të tërë ku muzika është simbioza e jetës, e humanitetit, zhbirilimit psikik, hapjes së portës për shpirtin që të bredh horizonteve me trajta misterioze pas së cilave fshihet diçka magjike, thellësisht pasionante, e flaktë, kreshpëruese, madhështore, eternale. Zaten, muzika është konsideruar si fe, ka arritur aq thellë depërtimin brenda qenies njerëzore saqë t’i marrë kredencialet e një besimi. Ennio Morricone, si bir i antikitetit grek, inkorporon muzikën në shtresëzimin e saj universal që bëhet fundament në të gjitha sferat kyçe të shoqërisë. Në Greqinë antike, muzika, si në martesa, funerale, ceremoni të ndryshme fetare, të përshpirtshme, luante rol integral në jetën shoqërore; jo vetëm si argëtim mejhaneve, muzika shërbente në kuptimin e formimit dhe edukimit të individit. Kozmosi është vetë muzika. Muzika është vetë kozmosi. Krejt universi është i ndërtuar në harmoni të tillë, muzikore. Muzikantët antikë grekë do të luanin një rol krucial, do t’i hidhnin themelet e muzikës perëndimore sipas konceptit se kompleksiteti i botës konsiston në harmoni, një harmoni hyjnore me Zotin si dirigjent dhe orkestrën natyrore/njerëzore në tokë. Mbi premisa të tilla muzikonte edhe Bahu e gjigantët tjerë të muzikës klasike. Për Pitagorën edhe zogjtë janë të ndërtuar pikërisht mbi premisa muzikore që janë komfor këtij sistemi të përsosur.

Muzika, kompozimet e Ennio Morricone-s lënë mbresa të jashtëzakonshme. Ato vijnë e shtrihen në brendësi, mbulojnë palcën e trurit, evokojnë kujtime, mirazhe, japin e marrin me përmallimin, nostalgjinë, besimin, të ardhmen, të përbotshmen, metafizikën… Këtë gjigant muzikor e solli në jetë toka italiane, e njohur për lavdinë e tingujve magjikë muzikorë. Ta përcaktosh muzikën e tij është mjaft e vështirë. Morricone gjithçkaje i jepte jetë, tingull, harmoni; natyrisht fanari i kompozimeve të tij ndriçoi filmin, së cilit i dha zë, e gjallëroi, e përjetësoi; janë diku përmbi pesëqind kompozime muzikore për filma ku përfshihet gamë e gjerë, e larmishme, e zhanreve dhe stileve që dallohen sinjifikativisht se janë krijesë, pjellë, e duarve dhe mendjes së tij prej mjeshtri. Morricone s’i dha fre eksperimentimit, novatorizmit, kurdoherë duke përpunuar e lëmuar tingullin aq përsosmërisht sa të tingëlloi morrikonçe. Njashtu siç Mantovani preku zenithin e muzikës easy listening dhe krijoi instrumentalë transcendentalë e të ëndërrt, Morricone, si tribun i antikitetit, muzikën e çoi në instanca të larta, pra, krijoi muzikë në vazhdimësinë e njohur tashmë të ngjizjes me kozmosin; itinerari i rendjes së tij në kërkim të eliksirit magjik tingullor gjithmonë çon në kërkim të një tjetri e një tjetri – nuk ngelet veç në film, shkon përtej: përfshin pjesë të ndryshme eksperimentale. Mbi njëqind pjesë muzikore janë pjesë koncertale “serioze” – vepra orkestrale, korale dhe muzikë dhome. “Gruppo di Improvvisazione Nouva Consonanza”, themeltar i së cilit qe, i ofronte mundësi ideale për të eksperimentuar, për t’i bërë improvizimet e tij avangarde, për ta përligjur imanencën e forcës muzikore. Në këtë grup, ku shquhej Morricone, ndërthurej muzika klasike me free jazz-in e avantgard jazz-i me funk-un, pop-in; Morricone, trumbetist, krijoi partitura avangarde, eksperimentale, konsiderohen si novatorizëm muzikor me një ndikim të madh te artistët tjerë që krijonin qarqe muzikore me prirje kah eksperimentimi, kah zbulimi i tingujve të rinj me kombinimin e pasurisë së pashtershme të muzikës klasike dhe ritmeve të reja, gjallëruese, plot ritëm e sharm – xhazit.

 

Morricone ishte njëri nga oshënarët e tempullit të muzikës. Providenca e saj, si shpërblim për përkushtimin e tij, i dha veçantinë, ia përsosi tingullin në atë mënyrë që të tingëllojë gjithmonë i dallueshëm e unik për veshin, instiktivisht, pavarësisht zhanrit apo eksperimentit që bënte. Muzika e tij shtrihet para teje porsi tepih magjik nga përrallat e lashta arabe dhe të fton të ecësh nëpër momente të bukura, nostalgji, të bën edhe melodramatik, edhe sentimental, edhe kurioz, edhe të mallëngjyeshëm, edhe optimist… bazamenti i muzikës së Ennio Morricone-s konsiston pikërisht këtu: te tonet ngandonjëherë të buta, deliktate, plot pasion, ngandonjëherë aventureske e ekzotike, herë të tjera ëndërrimtare, metafizike. Maestro Morricone gërsheton elemente nga muzika klasike, xhazi, popi e roku, në ngrehinën e tij eternale ku hapërdahen të përjetshme, kompozime si: “Once Upon A Time In The West Theme”, “Le vent, le cri”, “The Ectasy of Gold”, “The Good, the Bad and the Ugly”, “Cinema Paradiso”, “Chi mai”, “Malèna”, “Hamlet”, “For A Few Dollars More”, “C’era una volta il west”, “Gabriel’s Oboe”, “Il Buono, Il Brutto E il Cattivo, “Il Triello”… të cilat shkrihen në përvojën njerëzore ku qahet, qeshet, zemërohet, premtohet e shpresohet…

Lexo edhe :  Çmimi Vāslav Havel 2025 per Maksym Butkevych

 

Si një figurë kyçe e muzikës filmike, Maestro, fitoi çmime nga më të rëndësishmet gjatë karrierës së tij: ato natyrshëm ia përligjin punën kolosale: Dy Oscar, tre Grammy e Golden Globes, gjashtë BAFTA, dhjetë David di Donatello, njëmbëdhjetë Nastro d’Argento, çmime evropiane të filmit, Luanin e Artë, Polar Music Prize. Mbi shtatëdhjetë çmime për filmografinë e tij nga bashkëpunimet e frytshme me regjisorin e madh Giuseppe Tornatore, Dario Argenton e Sergio Leonen… Përfshihet në Hall of Fame Grammy. Bashkëpunon edhe me shkrimtarin e regjisorin Pier Paolo Pasolini. “The Good, The Bad and the Ugly” konsiderohet dendur si kolona zanore me ndikim të ndjeshëm në historinë kinematografike – për ithtarët e kinemasë klasike, kompozimet legjendare të Morricone-s variojnë filmave si: “Cinema Paradiso”, “Tie Me Up! Tie Me Down!”, “Once Upon a Time in America”, “The Mission”, “Bugsy”, ndër të cilët dhe “Malèna”, komedi-drama erotike, kryevepra e Tornatore-s, me sensualen, seks-simbolin Monica Bellucci, dhe këngëtaren ikonike italiane Lina Termini, vals-xhazi i së cilës, përzgjedhur nga Morricone, përmbush skenën romantike të vallëzimit voluptiv të Monica-s dhe vlimet e pubertetit të djaloshit sehirxhi që çdo natë thith veskun e trupit femëror dhe ëndërron për kënaqësira plot epsh & pasion.

 

Duke lënë shenjat e tij në secilën ndërmarrje artistike/muzikore, Morricone, si Charlie Chaplin-i i përjetshëm në aktrim pa zë e kompozim, si duo e xhazit Django & Grappelli, gdhendi emrin në historinë moderne të filmit, u shndërrua në legjionarin e muzikës filmike, por jo vetëm – ngase çfarëdo që merrte përsipër e shndërronte në gem artistik, amalgama e tingujve të tij shtrihej gjerë, përtej muziktimit filmik – bashkëpunoi me një numër të madh artistësh, këngëtarësh të mirënjohur të skenës; i kompozoi Paul Anka-s këngën e famshme “Ogni Volta”, Demis Roussos-it “I Like The World”, Alberto Lionello-s “La donna che vale” të cilat ngelen hite të vërteta, timeless, po të përdorim një term nga anglishtja. Nga Mina e Iva Zanicchi, te Françoise Hardy, Mireille Mathieu e Pet Shop Boys, Morricone do të kishte bashkëpunime të vyera në skenën e pop muzikës, shitje të shumta disqesh dhe famë ndërkombëtare.

 

Shprehje të shumta në superlativ nuk mungojnë për një punë vërtet kolosale që bëri Morricone gjatë gjithë karrierës; ai, përmes tingujve muzikorë, ka ndërtuar thurimën e përjetshme që mbulon trurin, prek prej aty krejt qenien, ngjizet me të, i flet secilit njeri të secilit vend, kalon cilindo kufi tokësor, si eliksir derdhet damarëve për ta hapërdarë gjakimin e lashtë me të cilin muzika koekziston shekujve: përafrimin e njerëzve, kulturave, skalitjen e momenteve të bukura dhe rendjen pas ëndrrave plot kolorit që i japin çdo dite uzdajë…/kb