Barcelona “thyen” pa problem Shakhtarin, Feyenoord i jep “shuplakë” Lazios në Rotterdam

Barcelona vuan por merr 3 pikët në shtëpi ndaj Shakhtar Donetsk, në një sukses 2-1, në një “betejë” mjaft emocionuese. Në minutat e para ukrainasit rezistuan mjaft mirë, madje provuan të befasonin kundërshtarin edhe me kundërsulme.

Gjithsesi, katalanasit zhbllokuan takimin në minutën e 28-të. Një goditje e bukur e Ferran Torres shkoi pas shpinës së Riznyk, por VAR ndërhyri dhe për konfirmimin e golit, u nevojit ndërhyrja e teknologjisë.

Brenda pjesës së parë, të besuarit e Xavit dyfishuan me Fermin Lopez. Për Lopez ishte goli i tij i parë në kompeticionin më të madh për klube.

Në minutën e 62të, një asist magjik nxjerr blof mbrojtjen e Barcelonës, me Sudakov që ia del të ngushtojë shifrat.

Spanjollët u hodhën në sulm për të siguruar fitoren. Fillimisht ishte një shtyllë që “tronditi” portën e Shakhtar, e më pas një gol i anuluar i Barcelonës. 7 minutat shtesë nuk sollën asgjë dhe në fund festuan vendasit!

Me këtë rezultat, Barcelona koleksionon 9 pikë në 3 ndeshje dhe është në vendin e parë. Shakhtar renditet në vendin e 3-të me 3 pikë.

Në grupin E, mbrëmje për t’u harruar për Lazion. Italianët e drejtuar nga Maurizuo Sarri pësuan disfatë 3-1 në Rotterdam nga Feyenoord. Elseid Hysaj me shokë ishin të pafuqishëm përballë holandezëve, me këta të fundit që triumfuan falë dopietës së Gimenez dhe golit të Zerroukit.

Goli i Pedros erdhi tepër vonë, vetëm në fund. Sa i takon situatës në grup, lacialët janë në vendin e 3-të me 4 pikë, ndërsa Feyenoord kryeson me 6 pikë.