Ministria e Drejtësisë e Rusisë ka paraqitur një mocion në Gjykatën e Lartë të vendit për të ndaluar aktivitetet e asaj që ajo e quan “lëvizja publike ndërkombëtare LGBT” si ekstremiste. Në njoftimin e saj, ministria nuk specifikoi nëse synonte lëvizjen LGBTI+ në përgjithësi apo organizata të caktuara ekzistuese.
Gjykata e Lartë ruse pritet ta shqyrtojë këtë kërkesë për ndalim më 30 nëntor. Ministria tha se “paraqiti një kërkesë administrative në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të listonte lëvizjen sociale ndërkombëtare LGBTI si ekstremiste dhe të ndalonte aktivitetet e saj në territorin e Federatës Ruse.”
Sipas ministrisë, lëvizja ka shenja të “aktivitetit ekstremist”, përfshirë nxitjen e “përplasjeve sociale dhe fetare”. Ndalimi do të bënte të pamundur funksionimin e organizatave LGBT dhe do t’i vinte aktivistët në rrezik të ndjekjes penale, tha një nga aktivistët e paktë LGBT ende brenda Rusisë.
Presidenti rus Vladimir Putin ka ndjekur prej vitesh një politikë që është karakterizuar si homofobike dhe transfobike nga shumë përfaqësues të komunitetit LGBTI+ dhe OJQ-ve.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, autoritetet ruse kanë rritur masat konservatore anti-LGBTQ+, duke thënë se duan të eliminojnë sjelljen devijuese dhe duke e paraqitur veten si një “mburojë morali” kundër një Perëndimi në rënie./