Nga Bujar Meholli
Diku në skutat e Evropës dëgjohej një zë, jo çfarëdo zëri, por një potencë e jashtëzakonshme vokalistike që ngjizet me tekstin lirik, e absorbon thellë, e përligj përjetësisht, i jep jetën e frymën, gjallërinë. Ky është Joseph Schmidt. Historia e tenorit hebre është e trishtë. Pasazhet nga jeta e tij variojnë me ulje-ngritje porsi në tablotë dritë-hije me teknikën chiaroscuro. Një talent i madh si Schmidt-i, që prej fëmijërisë ishte ndër ata artistët electi nga providenca hyjnore. Me një vokal të jashtëzakonshëm që i skalitte premisat e një ylli të ardhshëm, një artisti që do t’i përjetësonte romancat, lirikat, këngët tradicionale hebraike, ariet e Puccini-t, Verd-it, Rossini-t… Schmidt ishte nga ata artistë që ma ndërmendin një personazh timin nga tregimi “Muzikanti manihean” që i duhet të muzikojë jashtë mureve shoqërore dhe përgjithësisht qendrës. Muzikant gjenial është ai që punon fort për ta përsosur veten; nuk ekziston asfarë doktrine që të bëjë artist e muzikant, ekziston pasioni dhe puna me të cilën vet artisti krijon itinerarin e vet, vërtitet andej-këndej me instrumentin derisa aktiviteti i tij të jetë imanencë krijuese e përsosur, jo pozë e përfshirje në turmë, gjegjësisht në shijet e masës. Joseph Schmidt, sikurse Frederik Rreshpja në letërsinë shqiptare apo Bruno Schulz-i në letërsinë polake, ishte “i mallkuar” me art, me gjenialitetin e tij shprehës ani pse me kufizime evidente që do t’i mohonin skenën; Schmidt nuk i përkiste artit të jetës karnavaleske, vaudevill-it, e lajleluleve të këtij soji alla hollivudian. Schmidt nuk ishte as amerikan as francez për t’u përfolur me pompozitet; lindi në fshatin Davydivka të provincës së Bukovinës, atëbotë pjesë e monarkisë Austro-Hungareze; kishte diçka që s’e kishin të tjerët, një thesar aq të lakmueshëm që olimpi muzikor ia kishte dhuruar, ai e ruante me devocion: zëri i tij i rrallë.
Sinagoga Czernowitz ishte vendi ku së pari kumboi zëri i tij. Aty u shfaq në recitalin solo. Midis gjermanishtes dhe gjuhës jidish që i zotëronte, rumanishtja, frëngjishtja dhe anglishtja plotësonin profilin e tij gjuhësor, ani pse në këto gjuhë nuk ishte i rrjedhshëm. Transferimi në Berlin, veç mësimeve për piano dhe këndim, do t’i mundësonte angazhimin në radio, në “Land so wunderbar”(Vasco da Gama); zëri i tij aq i përshtatshëm, mend, do t’i sillte famë dhe interesim por ç’e do që do ta privonte nga skena, gjegjësisht karriera skenike, shtati i vogël që ishte pengesë reale. Ai s’ishte më i gjatë se 1.50 cm por forca e zërit, notat e larta që mund t’i kap të honepsin. Nga ku buron gjithë ajo forcë vokale te ky njeri? Nga vjen gjithë ai melodiozitet në ngjyrën e zërit? Zelli i Schmidt-it për ta përvetësuar anën ndijimore është i hatashëm. Ai mundi t’i tejkaloi të gjitha barrierat duke shfrytëzuar armën e tij më të fortë, zërin, për t’u ngjitur shkallares së artit eternal të arieve operistike. Hermann Hesse, përmes personazhit Jozef Kneht, do të shpallte: “Muzika nuk përbëhet vetëm nga ato dridhje e figura tërësisht shpirtërore që përftojmë prej saj nëpërmjet abstraktimit, përkundrazi, gjatë rrjedhës së tërë shekujve ajo karakterizohej, në radhë të parë, nga gëzimi që ngjallnin mbresat shqisore, frymëmarrja, taktet, ngjyrimet, fërkimet dhe ngacmimet e shkaktuara prej kombinimit të zërave dhe prej harmonizimit të instrumenteve.” (Hermann Hesse, cit. nga “Loja e rruazave prej qelqi”, vol. I, përkthyer nga Aristidh Ristani) Përkitazi me këtë konstatim, në rastin e Joseph Schmidt-it, vokali i tij prek pikërisht anën ndijimore humane ngase tingujt e këtij zëri nëpër interpretime marrin ngjyresa të tilla që spërkatin brendësinë me njëfarë gjallërie e shprese, ngazëllimi, pa qenë fare nevoja për ta kuptuar gjuhën e atij teksti lirik (gjerman a jidish) – thjesht muzika ndjehet deri në imtësitë më të vogla. Një impakt i çuditshëm të cilin, zakonisht, mund ta përjetojmë kur dëgjojmë radion dhe krijojmë përfytyrimin tonë sipas zërit të atij që flet në mikrofon dhe ne s’e shohim, por s’para preokupohemi për asgjë tjetër që ka të bëjë me të, sall zërit dhe misticizmit që e mbulon.
Duhej të ndryshoheshin brezat, të kalonte kohë gjersa t’i vinte rendi shkëlqimit të Joseph Schmidt-it. Meqenëse ishte i pranishëm në radio, ai s’mund të gëzonte ndikim në qarqe të muzikës serioze. Vlerat e rralla që posedon si artist do t’i njihen tek më vonë; interpretimet që tingëllojnë natyrshëm, koloratura autentike, zëri i puthitur sensualisht me mikrofonin, tonet e larta dhe kontrolli magjepsës. Në Berlin, kur mori pozitë në sinagogën Adas Yisroel nisë të konsolidohet paraqitja e tij koncertale, repertori i tij përbëhet nga muzika kantoriale dhe këngët e vjetra napolitane e ariet e famshme operistike. Ngandonjëherë shoqëronte veten në piano; shfaqjet e shumta në radio, përfshirja në disa filma, incizimet e disqeve, koncerti në Palestinë do të ishin ajthi i krijimtarisë së tij muzikore/artistike. Ky njeri i veçantë, ky hebre delikat, një nga tenorët më të mëdhenj në histori, me trupin më të shkurtër, do ta përfundonte jetën, do ta mbyllte siparin duke u internuar në kampin Girenbad ku i përkeqësohet shëndeti ndjeshëm, ka probleme me mushkëritë dhe ndërron jetë. Joseph Schmidt e përligj devizën se njeriu lind me talent. Gjithsesi talenti duhet çuar tutje duke punuar, shpenzuar kohë e mund për t’i prek majat, zenithin. Një rrugëtim të tillë e kishte edhe ky hebre që fascinoi botën, madje edhe nazistët e dëgjonin dhe mrekulloheshin me talentin e tij, dhe përjetësoi emrin me modestinë e origjinalitetin interpretues, incizimet që janë tejkohore, po t’i dëgjosh sot, rezonojnë elegancë e bukuri të rrallë artistike që mund ta gjurmojnë e shijojnë vetëm shpirtrat e rafinuar…