Zoja e Lul Prognit

Nga ROLAND QAFOKU
Për ata që e njohin pak ose aspak, Luljeta Progni është një gazetare pa shumë famë, por punëshumë. Nuk është pjesë e Tiranës së luksit, e aq më tepër pjesë e këshillave të ndrikullave në media që japin mend, por vetëm mend nuk kanë. Nuk është as pjesë e koketave të televizioneve që paguhen me shumë zero, por vlera profesionale e tyre është vetëm 0. Nuk duket në ekrane dhe i ngjan asaj bletës punëtore që prodhon mjaltë dhe nuk kërkon as fjalë të mira, e as famë. Dje isha i ftuar prej saj në shfaqjen premierë të dokumentarit të saj të radhës “Zojë” në kinema Millenium. Shkova me shumë dëshirë. Pritshmëria ime ishte se nuk do befasohesha me një produkt mediatik dhe kinematografik të Lulit, sepse e njoh mirë cilësinë e punës së saj. Kur drejtoja gazetën “Panorama”, Luli ishte gazetare politike që mbulonte Partinë Demokratike dhe unë e vlerësoja si gazetaren e parë të politikës në gazetën që atë kohë u bë më e madhja në Shqipëri. Po jap vetëm një fakt nga puna e saj. Luljeta Progni është e para gazetare në Shqipëri ka që bërë një intervistë të gjatë jete me Liri Berishën, të botuar po në gazetën “Panorama”. Për një pjesë të gazetarkave të sotme kjo ndoshta nuk përbën ndonjë gjë të madhe për një vajzë, por unë këtë po e përmend për ato që kanë bërë ndonjë punë në media dhe e dinë mirë se çfarë do të thoshte kjo në vitin 2004.
Por mbrëmja e djeshme, pavarësisht këtyre vlerësimeve mi kapërceu të gjitha. Në vetën e parë dhe përmes një produksioni tejet profesional, Luli na paraqiti një dokumentar që është pak të thuash se theu çdo tabu, çdo gjini dhe çdo produksion. E titulluar “Zojë”, Luli, si skenariste dhe producente shfaqi një dokumentar për nënën e vet. Po, po e lexuat mirë. Zoja e dokumentarit është nëna e Lulit. Historia e saj në Nikaj Mërturi të Tropojës është simbolika e një vajze, gruaje, nëne shqiptare që ngjadhnjon ndaj tmerreve të shkaktuara nga regjimi komunist dhe pavarësisht kësaj mbijeton. Ndoshta kjo fjalë merr kuptimin e saj më real vetëm në këtë histori dhimbjeje dhe force.
Nuk e harroj frazën e skenarit në film: Nuk kishte mbetur njeri pa u bërë i lig. Dhe nga kjo, Zoja përjetoi në jetën e saj vrasjen e të atit, vrasjen e kunatit, arrestimin dhe dënimin e bashkëshortit, Gjeloshit, me 25 vjet burg, vdekjen e foshnjës së sapolindur sepse nuk kishte me çfarë ta ushqente, vuajtjet mizore në kampin e Tepelenës, ecejaket e saj nga Nikaj Mërtur për në Burgun e Burrelit për të takuar burrin e shumë të tjera. Dhe kjo grua që mbeti e vetme me dy fëmijë të vegjël mbijetoi vetëm për një arsye të përmbledhur: Dashurisë për familjen, dashurisë për fëmijët, dashurisë për burrin, dashurisë për jetën dhe më e madhja dashurisë për Zotin. Vetëm mbrëmë kuptova përse Lul Prognin e çmoja shumë në redaksi si unë dhe kolegët e mi. Ajo vajza shumë e heshtur, por punë shumë që kurrë nuk ankohej dhe vetëm punonte. Vetëm mbrëmë kuptova pse ato orët e gjata të punës dhe plot stres që ne i përmendimn në redaksi, Lulit i dukeshin lule. Sepse pas mesnate, teksa mbaronim gazetën, ajo shkonte në shtëpinë e saj dhe takonte nënën e saj Zojën. Ajo grua që kishte kaluar tmerret e jetës, por kurrë nuk ishte dorëzuar dhe Luli te ajo merrte nektarin e fortë të jetës së saj. Vetëm pasi pashë këtë dokumentar them se e njoh plotësisht Lul Prognin. Është pak të thuash gazetare profesioniste, producente profesioniste dhe vajzë e një sokoleshe që tashmë është futur në historinë e atyre grave shqiptare që luftuan dhe fituan jetën në atë regjim gjaksor. Shumë urime Lul Progni! Mbrëmë na tregove shumë për nënë tënde Zojën. Por, për mua ke treguar më shumë për vehten! Suksese me këtë superproduksion!/kb