Milan mposht Fiorentinën dhe rikthehet tek fitorja në Serie A, Theo “nderon” kuqezinjtë

Milan-Fiorentina rezultoi një ndeshje shumë e luftuar, por që përfundoi me rezultatin 1-0, me “Djallin” që rikthehet te fitorja pas më shumë se një muaji.

Të dyja skuadrat tentuan që të gjenin rrugën drejt rrjetës, megjithatë goli i vetëm i këtij takimi u shënua nga pika e bardhë e penalltisë.

Theo fitoi penallti në minutën e 45+1’ pas një ndërhyrje të gabuar nga Parisi. Francezi e mori vet përsipër ekzekutimin e penalltisë, ndërsa shënoi duke e dërguar me shumë lehtësi topin në rrjetë në minutën e 45+2’.

Në fraksionin e dytë si nga “kuqezinjtë” ashtu edhe nga “violët” u tentuan portat respektive, megjithatë kjo pjesë nuk solli të tjerë gola.

Minuta e 83’ e kësaj sfide mund të konsiderohet si një moment historik, pasi 15-vjeçari Francesco Camarda, që u aktivizua në vend të Jovic, u bë lojtari më i ri që debuton në Serie A.

1-0 dhe Milan pas javës së 13-të të Serie A ngjitet në vend të tretë me 26 pikë, teksa Fiorentina renditet në vend të gjashtë me 20 pikë.