Organizata kryesore e monitorimit të zgjedhjeve në vend, KRIIK Albania, publikoi dje raportin mbi procesin e rinumërimit të një të dhjetës së kutive të votimit në të gjithë vendin. Problematikat e hasura dhe “mania” e numëruesve për të tjetërsuar votën për këshillat bashkiakë.
Rinumërimi i pjesë të kutive të votimit të zgjedhjeve lokale të 14 majit nga KQZ ka konfirmuar edhe një herë problematikën si për mënyrën e administrimit zgjedhor, ashtu edhe në tjetërsimin e votës, kjo e fundit e theksuar sidomos në Këshillat Bashkiakë.
Një e mirë e këtij procesi është se nuk ka diferencë që mund të bëjë ndryshime në tjetërsimin e votave për kryetarë bashkie.
Auditimi paszgjedhor konsiston në këqyrjen e fletëve të votimit e të materialit zgjedhor, si dhe të pajisjeve të teknologjisë së informacionit të përdorura në zgjedhje, për 10% të qendrave të votimit të çdo Zone të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), të përzgjedhura në mënyrë rastësore.
Organizata kryesore në monitorimin e zgjedhjeve në vend, KRIIK Albania, arrin në përfundimin se procesi zgjedhor lokal i mbajtur më 14 maj dhe më pas edhe në dy bashki ku u ripërsëritën zgjedhjet konstatoi disa problematika serioze.
“Nga monitorimi i bërë prej KRIIK, auditimit paszgjedhor 2023, u evidentua se diferencat në të dhënat statistikore të votave ishin më shumë prezentë në rezultatet për anëtarët e këshillave bashkiake dhe shumë më pak në ato për kryetar bashkie. Rezultoi se 61 qendra votimi kishin diferenca nga 3 – 56 vota krahasuar me rezultatet e numërimit të procesit të 14 majit 2023.
Ndërsa përsa i përket verifikimit cilësor të procesit, u evidentua sërish se administrimi i prej komisionerëve zgjedhorë të niveleve të ulta vuajti nga të njëjtat problematika të konstatuara në të dy proceset e mëparshme zgjedhore të audituara 2022 e 2021”-thuhet në raport.
Po ashtu, lidhur me modelet e procesverbaleve të cilat duhet të gjendeshin në kutinë e materialeve zgjedhore, u konstatua një nivel i lartë i mungesës së tyre, si dhe i rasteve kur formulari ishte futur në kuti i paplotësuar, në kundërshtim nga sa ligji parashikon. Ndërkaq edhe në këtë proces zgjedhor u evidentua problematika e pranisë së votave të pavlefshme, të cilat u konstatuan në rreth 96% të Qendrave të Votimit.
Gjithashtu, në raport me pavlefshmërinë e votave të konstatuara, në gjykimin e KRIIK, nevojitet që KQZ-ja të bëjë një shqyrtim të plotë të rrethanave të pavlefshmërisë, sidomos në rastet kur kjo votë është bërë e pavlefshme jo nga vetë votuesi, por nga mungesa e vulës në të, si pasojë e sjelljes aspak korrekte të komisionerëve.
Partitë politike “indiferente” për shkeljet
Auditimi paszgjedhor vlerësohet si një proces shumë domethënës në funksion të ligjzbatimit, i cili është pranuar dhe dakordësuar nga vetë këto forca politike për tu bërë pjesë e mekanizmave garantues të Kodit Zgjedhor, por që tashmë duket se është totalisht jashtë interesit të tyre .
Kjo në një situatë kur partitë politike opozitare kanë kryer denoncime publike të vazhdueshme duke kërkuar hetime të thelluara nga organet kompetente, ndërkohë që vazhdojnë të kenë pjesë të përditshme të diskursit të tyre publik pikërisht manipulimet e ndodhura në procesin zgjedhor.
Ndërsa gjerësisht dhe vazhdimisht shprehet shqetësimi dhe nevoja për sigurimin e integritetit të zgjedhjeve, konstatohet me shqetësim se ndaj procesit të auditimi paszgjedhor pati një indiferencë totale nga tërë aktorët, politikë e jopolitikë, jo vetëm duke mos e vëzhguar apo ndjekur atë, por edhe duke mos treguar asnjë interes për gjetjet e dala në përfundim të tij.
Në gjykimin e KRIIK, kjo indiferencë përbën një tregues shqetësues, i cili evidenton mungesën e interesit real, veçanërisht të partive politike, për cilësinë e zhvillimit dhe të administrimit të procesit zgjedhor, duke u fokusuar në mënyrë të kufizuar vetëm në rezultatin zgjedhor apo edhe në shqetësimet e evidentuara në periudhën përpara shpalljes së tij.
Nga ana tjetër, duket qartë se kjo mungesë interesi është në linjë me qasjet e mëparshme politike për të minimizuar apo edhe mohuar shkeljet e bëra prej përfaqësuesve të partive politike si anëtarë të komisioneve zgjedhore pas shpalljes së rezultatit zgjedhor, duke nxitur ndërkohë moszbatimin e ligjit dhe fenomenin e pandëshkueshmërisë.
KRIIK, si një aktor i cili ndjek në mënyrë të pandërprerë prej më shumë se një dekade tërë zhvillimet politiko-institucionale me efekt integritetin e zgjedhjeve, ka theksuar dhe vazhdon të sjellë në vëmendje se integriteti i zgjedhjeve është i lidhur ngushtësisht me sigurimin e integritetit të tërë proceseve përbërëse të tij, përfshirë integritetin e kontributeve të të gjithë institucioneve që kanë rol në proces, integritetin e ofertave elektorale përfshirë integritetin e kandidatëve e të partive politike, integritetin e vendimmarrjeve dhe funksionimit të vetë institucionit të KQZ-së, etj.
Në tërë këto procese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol kyç. Ai është një Institucion i Pavarur i krijuar me ligj por me një rëndësi dhe natyrë të veçantë, i cili nevojitet të konsiderohet dhe trajtohet si i tillë.
KQZ-së i duhet jo vetëm të organizojë e administrojë tërë procesin zgjedhor, por është i ngarkuar edhe me detyra të tjera shumë të rëndësishme si procesi i dekriminalizimit, apo edhe ushtrimi i rolit si mbikqyrës dhe kontrollues i financimit të partive politike e fushatave zgjedhore.
Nga të dhënat paraprake rezulton të jenë konstatuar
– 2 kuti votimi të pavulosura siç duhet
– 14 QV me kutitë e votimit të dëmtuara ;
– 8 QV ku mungon Libri i Protokollit të Mbledhjeve ;
– 13 QV ku kopja origjinale e procesverbalit të hapjes nuk është gjendur në asnjë prej kutive;
– 9 QV ku kopja origjinale e procesverbalit të mbylljes nuk është gjendur në asnjë prej kutive;
– 97 QV ku mungonte raporti i hapjes së procesit të identifikimit elektronik;
– 11 QV ku raporti i hapjes së procesit të identifikimit elektronik është gjetur i pa nënshkruar nga asnjë prej anëtarëve të komisionit të QV-së;
– 118 QV ku raporti i hapjes së procesit të identifikimit elektronik është gjetur i pa vulosur nga sekretari i KQV-së;
– 88 Qendra Votimi ku mungonte raporti i mbylljes së procesit të identifikimit elektronik;
– 90 Qendra Votimi ku mungonte procesverbali i mbylljes së PEI, madje ai nuk është gjetur në asnjë nga kutitë e tjera;
– 48 Qendra Votimi ku mungonte zarfi i vërtetimeve të identifikimit elektronik;
– 5 Qendra Votimi ku mungonte lista e zgjedhësve;
– 13 Qendra Votimi ku mungonte regjistri i posaçëm i zgjedhësve;
– 153 Qendra Votimi ku vendimet nuk ishin të vulosura me vulën e KQV-së.