Mbyllet në barazim derbi anglez mes Liverpool dhe United, dominimi i Reds nuk mjafton

Liverpool-Manchester United mbyllet me porta të paprekura, me “The Reds” që bënë një hap fals në garën për titullin, teksa “Djajtë e Kuq” nuk ia dolën të rikthehen te fitorja.

Takimi i luajtur në “Anfield” foli i gjithi për “The Reds”, të cilët dominuan nga fillimi deri në fund ndeshjen, por që nuk ia dolën të gjenin rrugën drejt rrjetës.

Pavarësisht tentativave të shumta të vendasve për të shënuar, Andre Onana-n zhvilloi këtë të dielë një nga ndeshjet e tij më të mira me fanellën e Manchester United dhe u bë i pakalueshëm.

Fundi i ndeshjes u shoqëruar edhe me tensione e ndërhyrje të gabuara, me Dalot që u ndëshkua me karton të verdhë e më pas edhe me karton të kuq në minutën e 90+4’, duke lënë “Djajtë e Kuq” me një lojtar më pak.

Kështu Liverpool ngec në kampionat pas tre fitoreve radhazi, teksa United merr pikën e parë pas humbjes ndaj Bournemouth javën e kaluar.

0-0 dhe Liverpool qëndron në vend të dytë me 38 pikë, një më pak se Arsenal-i kryesues, teksa Manchester United renditet në vend të shtatë me 28 pikë.