Humba në Bathore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

NGA EDISON YPI

Muzg.
Nga Kamza drejt Tiranës.
Deri te Instituti Bujqësor nuk e vuajta dhe aq trafikun e dendur. E kalova duke kqyrur aeroplanat që ulen e ngrihen nga Rinasi si pikat e shiut.
Sa kalova Institutin, më kapi bezdia.
Kur udhëtoj në këtë rrugë në këtë orë për të ardhur në Laprakë ku banoj, trafikun nga Ura e Kamzës te Casa Italia e evitoj duke u kthyer majtas pa hyrë në urë, te kthesa e Paskuqanit. Ky variant më i gjatë dhe me më pak trafik nuk ma kursen gjithmonë kohën. Por e përdor sepse ndjehem më mirë të kaloj duke ecur se sa duke pritur i ngecur.
Këtë herë, nja dyqint metra pa arritur te Ura dhe Kthesa e Paskuqanit, u ktheva majtas te një rrugë e asfaltuar pa trafik paralel me rrugën ku kthehem zakonisht, atë që të çon në Paskuqan.
U futa pa merak. Prej aty e deri te Liqeni i Paskuqanit është një rrjet rrugësh të asfaltuara të lidhura me njëratjetrën që të çojnë gjithkund. U futa në këtë rrugë pra, dhe vazhdova nëpër kthesa si ma rroku rradakja.
Ndërkohë ishte errur.
Nga një kthesë në tjetrën, mu duk se po vija rrotull si kali në lëmë. Por nuk u epa. Vorbulla e kthesave, dritave, reklamave, më thithi në një shetitje ëndërrash prej Walt Disney.
Kthehu e rrotullohu mes vilave dhe kangjellave, e humba fare fillin.
Të pyes për vendndodhjen njërin nga dy navigatorët, atë të celularit apo atë të makinës ?
Tu thaftë gjuha. Unë mezi pres t’i thyej t’i bëj copa.
Të marr në telefon ndonjë mik që e njeh më mirë këtë zonë ? Jo. E vret ëndrrën. Si thotë i ububushmi Oscar Benton; Po të flemë te i njëjti shtrat, nuk shohim të njëjtën ëndërr.
Sillu e sillu, një herë më dukej sikur ndodhesha te Fresku, pastaj te Astiri, pastaj te Blloku.
Benza dhe Toyota pa numurim.
Majtas, djathtas, para, mbrapa, markete, karburante, supermarketa, kafenera, restorante, shërbime nga më të ndryshmet, gjithfarë ndërlikimesh që i sheh vetëm nëpër metropole.
As Parajsa s’mundet me qenë kaq llamburitëse, me kaq ngjyra, drita, shirita, gërma, figurina, forma të sheshta dhe hapsinore, reklama kompanish dhe produktesh anglisht dhe Italisht.
Nga t’ja mbaja mes kësaj zallamahije shumngjyrëshe marramendëse ?
Thash se luajta mendsh.
Ditën në këtë zonë orientohem me lehtësi.
Natën krejt tjetër gjë.
Pash ç’pash, diku ndala makinën në pritje të asgjëje, kot, pa e ditur çfarë.
Kur papritmas shoh dikend që vjen më këmbë përballë. I therres.
-Hë, tha Shën Marku, mbrojtësi dhe ndihmësi i udhëtarëve në hall, që kanë humbur rrugën, si e ke hallin.
-Ku ndodhem ?
-Në Bathore.
Ma ftofi trurin.
Un kujtova se ndodhesha në Milano ose në Londër. Shenjtori shpëtimtar më thotë se jam në Bathore.
Unë dua ëndërra të mos ndalet, ky ma ther gjumin. He ç’më gjeti.
Rruga e Bathores në njërin skaj del te Bulevardi Blu, në tjetrin te vorrezat e Bathores në Zallherr.
E thjeshtë me dalë nga Bathorja
Por un shyqyr që humba. Nuk du me dalë nga deti i dritave dhe ngjyrave.
Për mos me e përgjak ëndërrën, lujta rolin e budallait, jo se s’jam.
-Më ndihmo të dal në Laprakë.
-Me kënaqësi.
Hyri brenda.
Qefull. Pa pik dhjami. Njeri i punës Nja dyzet. Si ata që vijnë në Tiranë ndërtojnë vilë, bëjnë biznes, ikin e vijnë në kurbet.
-Nga je ?
-Nga Kalaja e Dodës.
-Po ju të Kalasë së Dodës sikur jeni të gjithë në Angli, apo gabohem ?
-Nuk gabohesh. Jemi të gjithë njëkohësisht në dy vende, edhe në Angli dhe në Shqipëri.
-Ke bërë Vilë, basen të kaltër, panel diellor, kopësht, kangjella ? A ke Benz me timon djathtas ?
-I kam bërë këto dhe të tjera. Kam Benz me timon djathtas dhe majtas. Eja te vila ime ta pimë një kafe. Kam njerëz në Angli. Shkoj dhe vetë kur më teket.
-Keni bërë ndonjë Shtëpi Bari andej nga Londra, Birminghami, Manchesteri ?
-Jo. Ne të Kalasë së Dodë nuk bëjmë nga këto pisllëqe.
-A më shoqëron deri në Laprakë se s’po di nga t’ja mbaj ?
E rrejta për mos me mu ndal ëndërra.
E kapi në ajër hilen.
Më rrotulloi nja një orë nëpër një lukuni rrugë e rrugica e kthesa, edhe më të llamburitura, edhe më magjike sa Bathorja. Diku më tha,
-Ik drejt, kthehu djathtas nën urën e madhe që po ndërtohet mbi lumin e Tiranës. Shtëpinë gjeje vetë. S’di me ta tregu ku e ke.
E falenderova. Ika.
Unë që vdes të humb por nuk humb dot, unë që nuk humb edhe me më zhyt në fund të detit, edhe brenda një bunkeri betoni, edhe mbyll në një kafaz plumbi, humba në Bathore.

Të fundit

Depresioni pas lindjes: Si ndikon në zakonet e të ushqyerit të fëmijës

Deri në 25% e nënave të reja vuajnë nga depresioni pas lindjes , i cili mund të ndikojë ndjeshëm...

TikTok mbyllet në celularë, cili do të jetë hapi i radhës!

Tik Tok, platforma më e njohur e rrjeteve sociale mes të rinjve nga dje nuk mund të hapet në rrjetet mobile në Shqipëri. Në një...

Skandali në Shtëpinë e Bardhë, a po ngushtohet laku kabinetit të Trump?

Laku po ngushtohet rreth Mike Waltz dhe Pete Hegseth, dy nga figurat kyçe mes dhjetëra burrave dhe grave të afërt me presidentin amerikan, të...

Ardit Bido i kundërpërgjigjet Berishës: Doktor, mos dil më bllof!

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ka reaguar me një deklaratë të fortë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike,...

Reagon Veliaj: Mbi 110 mijë përfitues të Kartës së Studentit nga 2019-a

Në rrjetin social Facebook të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj janë postuar foto të studentëve që janë pajisur me Kartën e Studentit. “Karta e...

Lajme të tjera

Web TV