Shqiptarët vijojnë të preferojnë më së shumti blerjen e automjeteve të përdorura nga jashtë, për shkak edhe të çmimeve më të favorshme që kanë në krahasim me makinat e reja që shiten në koncesionare.
Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, tregojnë se zëri i automjeteve të përdorura renditet në vendin e katërt për të ardhurat doganore që sjell në buxhetin e shtetit, në raport me të gjitha mallrat e importuara. Konkretisht në 2023 ky zë ka sjellë afro 10 miliardë lekë të ardhura, me një kontribut prej 4.59 % në raport më të ardhurave totale doganore.
Por ndërsa deri vonë dy tregjet kryesore të importit të automjeteve të përdorura kanë qenë Gjermania dhe Italia, tashmë një tjetër shtet ka fituar terren të konsiderueshëm në Shqipëri. Interesi i qytetarëve shqiptarë për të blerë automjete të përdorura me çmime shumë më të lira se vendet evropiane, është zhvendosur në Korenë e Jugut.
Të dhënat e INSTAT të analizuara nga SCAN tregojnë se importi i mjeteve të transportit nga Korea e Jugut ka pësuar një rritje të konsiderueshme nga viti në vit, ku në 2018 regjistroheshin në vetëm 869 milionë lekë dhe në 2023-shin importet kanë arritur në 8.5 miliardë lekë. Nëse do të marrim në konsideratë dy vitet e fundit, në 2023 ka një trefishim të importit në raport me 2022-shin./ S.M