Meta konfirmon pjesëmarrjen në protestën e 20 shkurtit: Mundësi e shkëlqyer

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta konfirmon pjesëmarrjen në protestën e thirrur nga PD, të martën e 20 shkurtit.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i Partisë së Lirisë, e cilëson protestën si mundësi të shkëlqyer që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

Ai thotë se sot mbushen dy vjet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e vendimit të “Kuvendit monist” për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Ky vendim parandaloi në atë kohë një puç të mirëfilltë shteti të iniciuar nga Edi Rama me qëllim asgjësimin e pavarësisë dhe rrëmbimin e të gjitha institucioneve dhe pushteteve te pavarura, me pasoja shumë të rënda për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri.

Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, duke u dhënë të drejtë të gjitha vendimeve dhe qëndrimeve të mia gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës, treguan shumë qartë se cili është armiku më i madh i shtetit ligjor, demokracisë, pluralizmit dhe të drejtave të njeriut.

20 shkurti është një mundësi e shkëlqyer, që zëri i qytetarëve të dëgjohet!”, shkruan Meta./  S.M