Nga: Bujar Meholli
Kredencialet avangarde shtresëzohen në skepticizmin historik që absorbohet nga izma-t e aurës moderniste të pjesës së parë të shekullit XX.
Dadaizmi, si lëvizja më radikale e mohimit tradicional, plekset me nihilizmin radikal; duke mohuar logjikën in rerum natura, kemi të bëjmë me rikthimin apo, të themi, shndërrimin e njeriut në fëmijëri, në kuptimin frojdist të fjalës, ku pavetëdijshëm bredh honeve të botëve spektakolare, fantastike, që i krijon; një interpretim i emrit dada (belbëzime ferishtesh) lidhet pikërisht me këto indicie që patën artistët t’i përbuzin ornamentet solemne të Artit, ngase “uji i djallit cikërron shi mbi arsyen time”. Dada kështu bëhet antiletrare e antipoetike, antiartistike e anti-eternale. Në spektrin e saj mohues hidhen parimet e patundshme, konceptet abstrakte, të logjikës e palëvizshmërisë së mendimit.
Ajo i heq frerët spontanitetit, kontradiktës, anarkisë, por jo përsosmërisë. Atë e përbuzë. Kjo shprehje e tillë, nëse mund ta quajmë artistike, priret drejt mohimit ekstrem të secilit dogmatizëm e secilës hierarki.
Ngase jeta po shfytyrohej nga lufta e mjerimi, letërsia po bëhej përherë e më tepër oficiale dhe hipokrite, dada krijonte stimujt e neverisë, kthimit të shpinës ndaj këtij konglomerati intelektual.
Ndaj Tristan Tzara në manifestin e tij, plot tension intelektual do të deklamonte: “Morali atrofizon, si tërë kamzhikët e inteligjencës. Kontrolli i moralit dhe i logjikës na kanë vënë pakalueshmërinë përballë agjentëve të policisë, shkak i skllavërisë sonë, minj të qelbur, me të cilët borgjezia ka mbushur plëncin, që kanë infektuar të vetmet korridore prej kristali të tejdukshëm e të kulluar që rrinin ende hapur për artistët… Çdo njeri duhet të gërthasë. Është një punë e madhe shkatërruese, mohuese, për t’u bërë.
Të fshish, të ripastrosh. Përkryerja e individit afirmohet në vijim, në një gjendje çmendurie agresive e tërësore kundër një bote besuar duarve të banditëve që na cfilit e shkatërron shekujt… çdo formë neverie e ngjallur për t’u bërë një mohim i familjes, është Dada; protesta me grushte e tërë qenies e nisur drejt një veprimi shkatërrimtar, është Dada… shfuqizimi i çdo hierarkie e i çdo ekuacioni social të instaluar prej shërbëtorëve tanë, Dada; shfuqizim i profetëve: Dada; shfuqizim i së ardhmes: Dada; besim i padiskutueshëm në çdo zot, prodhim i atypëratyshëm i spontanitetit: Dada… Liri: Dada, Dada…”
Dadaizmi i hapi rrugën një lëvizjeje tjetër, më të konsoliduar dhe më pak ekstreme, Surrealizmit. “Grumbulli i karrigeve të zbrazëta sodiste me nji vëmendje të zellshme spektaklin madhështor që s’e shihja dot”, shkruante Robert Desnos. Të tilla formulime përgatiteshin në fabrikën e automatizmit psikik që njësonte kontradikta të logjikshme brenda poetikës së pavetëdijes a subkoshiencës. Këtë model krijimi të pavullnetshëm e përligji sidomos arti i pikturës.
George Grosz, artisti gjerman që skaliti indin e jetës urbane të Berlinit të viteve ’20, është nga emrat eminentë të avangardës pamore. U integrua shpejt në Dada, pastaj priret drejt Ekspresionizmit dhe më pas Objektivizmit të Ri i cili refuzonte idealizmin romantik dhe përgjithësisht shkarjet ekspresioniste në romantizëm.
Ndër eksperimentet më potente të lëvizjes artistike dada i bëri Grosz, një art tranzicioni, amalgamë e futurizmit, ekspresionizmit dhe dada-surrealizmit; imanenca artistike e këtyre revolucionarëve artistikë ngjizej te lufta ndaj shoqërisë borgjeze. Berlini i viteve ’20 me kabaretë, prostitutat, luftën e klasave, tronditjet, dramat njerëzore, shpresat… skalitet me një humor tejet domethënës e vizion trandës.
Grosz mëton t’i krijoi stimujt e një projeksioni artistik që buron nga liria shprehëse, qesëndis artin bulevardesk dhe instrumentalizimin politik që, vite me vonë, do të jetë determinues i katastrofës më të madhe humane. Një pikëtakim i Grosz-it dhe Bulkës është satira. Tablotë e Grosz-it rezonojnë dozë të madhe satire; ky është edhe thelbi i artit të tij.
Grosz nuk e ravijëzon satirën sall si tallje soji, ajo depërton thellë, shpon fuqishëm dhe krijon brenda amalgamën e një përjetimi rrëqethës. Grosz është i pamëshirshëm në natyrën e tij satirike. Tallës mizor, hipernatyralist, me energji të pashterueshme që zbulon shëmtinë dhe e hedh sheshazi, pa teletisje, duke ekstraktuar realitetin, në paharmoninë e llahtarshme të kësaj bote.
Substrati i tablove groszian duhet të kërkohet te furia vetshkatërruese që plekset me indinjatën dhe cinizmin radikal. George Grosz, revolucionar arti, imazhit moral ia krijoi konturet e një reflektimi pasqyror – aty është njeriu që shëmbëllen me skeletin, pre potenciale për zhvatësit përreth që ulërijnë me zërat kërcënues e brutalë të vdekjes. Kur i ushqen sytë me tablotë e tij, kritika e zjarrtë të depërton brenda kokës, fuqia e jashtëzakonshme shprehëse, paturpësia, seksizmi, infantilizmi, skepticizmi i thellë që buron nga natyra satirike, mohuese.
Arti modern e përligj një arratisje honeve fëmijërore, brenda primitivizmit dhe ëndrrave të pafajshme që thuren. Evropa qe e predestinuar për një konvulsion kulturor – lumenjtë e pafajësisë qenë përlyer me gjak, ndaj lindi dhe mori formë dada revoltuese, me pathosin e naivëve – po të duam – të marrëve e të krisurve që ndjekin doktrinën e Tzara-s.
Mohimin, zhbërjen, si karakteristikë dadaiste, Grosz-i e ndërton si koekzistencë me mizorinë, kaosin – gama e personazheve të tij përfshinë gjeneralë barkmëdhenj që pinë e dehen, gota të mëdha birrash në mejhanet kaotike që pleksen me trupa femrash nudo, gazeta të zhubravitura, mish të pjekur, fanatikë të luftës, bordello llamburitëse me kolorit të hatashëm… një shfytyrim i aurës nacionaliste gjermane, një depërtim në indin e trivialitetit, orgjive në emër të ndershmërisë, disiplinës shterpë e mendjeve të ndenjura që po kalbeshin shpejtazi… ashtu siç në letërsi i përshkruan me hollësi Heinrich Mann te kryevepra “Nënshtetasi”.
Në vrullin e viteve ‘20-‘30 nis e dëgjohet një zë mjaft i fuqishëm në publicistikën shqiptare. Nonda Bulka shfaqet krahas emrave të Petro Markos, Andrea Varfit e Dhimitër Shuteriqit. Boton te “Gazeta e Korçës”. I sjell lexuesit shqiptar një ekspresivitet të pahasur më parë, një stil lakonik e potencë admiruese të satirës.
Ai depërton po ashtu në indin e jetës triviale, me prizëm kritik gjurmon temat me karakter shoqëror duke u bërë kronikan i jetës socio-kulturore shqiptare. Me finesë humoristike, Nonda Bulka ndërton karikaturën e aparatit shtypës, qoftë religjioz a politik.
Ngjarjet e ditës që përcillen me inflacion, shitje njerëzish, papunësi, mjerim, stagnim, janë pjesë përbërëse e veprës së tij. Bejlerë, tregtarë, deputetë analfabetë, gra që shiten, allishverishxhinj, kumarxhinj, fajdexhinj, janë pjesë përbërëse e veprës së Bulkës, gjegjësisht ata bluhen si mokra nga makineria e mprehtë kritike e demaskuese.
Nga një perspektivë skepticiste e deprimuese, Bulka shpall se “mëshira private nuk e zgjidh problemin shoqëror” duke analizuar objektivisht luftën e klasave, shfrytëzimin, regjimin, paralelisht me qëndrimet autoriale anti-klerikale, antifashiste, e anti-imperialiste. Shkrimet e tij në shtypin shqiptar mund të merren në trajtën e tablove; ato skalitin realitetin, nganjëherë janë krejt të shkurtra por të mbrusura me mendime e ide, me qesëndi të pamëshirshme për klerin, për politikanin e korruptuar, për gruan e pandershme…
Fjala vjen, në “Karnavali” Bulka shkruan: “Zati po të visheshin karnaval, ditën e karnavalit duhesh gjithkush të dinte si të vishesh. Për shembull, politikanët e mëdhenj duhej të visheshin si engjëj parajse, me krahë të bardhë; mbi çdo krah të qëndronte nga nji pëllumb..
Deputetët e tërë botës, përgjithësisht, dhe të Tiranës veçanërisht, duhej të visheshin siç u ka hije baballarëve të kombit: domethënë lakuriq. Jo vetëm trupërisht, por edhe shpirtërisht; se kështu mileti do të mundej t’i gjykojë dhe t’i votojë sipas veprimeve që kanë bërë”. Është një sarkazëm e hatashme të cilën do ta skaliste me larushi ngjyrash e trandjesh artistike George Grosz-i.
George Grosz dhe Nonda Bulka krijojnë artin si pikëvrojtim karshi realitetit të zymtë socio-politik e kulturor. I pari përmes ngjyrave, montazhit, mbrusur me satirë të pamëshirshme, dekadente, shfytyron panoramën oficiale gjermane, ojnat artistike; një dadaist revolucionar që e mohon in toto artin me A të madhe për protestën që i kundërvihet ekuacioneve sociale të hierarkive absolutiste.
I dyti përmes kritikës therëse, humorit ekspresionist, shndërrohet në zë përparimtar që proteston, demaskon, sistemin monarkik shqiptar duke e zhveshur realitetin, damkosur bejlerët e pronarët e tokave që krijojnë parajsa mbi kurriz të popullit.
Nonda Bulka herë me tone satire, herë me tone tragjike, pikas, në baza ditore, gjallimin e njeriut shqiptar në zgrip të krizës, me psikikë të rënduar, i privuar nga jeta e lirë dhe mirëqenia, i shndërruar në mjet përfitimi, i lënë në amulli sociale.
Të dy artistët janë, pa mëdyshje, ndër zërat avangardistë, tribunë, revoltues ndaj makinerive shtypëse e sistemeve politike autokratike që sillnin luftë e terror, pa rënë në deliret e pacifizmit utopik.