Është ndeshja e spektaklit, përballja e emocioneve, dueli që “ngre në peshë” të gjithë Anglinë, sfida ‘’vitrinë’’ e futbollit ishullor. Është Liverpool-Manchester City. Një takim teatral mes dy skuadrave më të mira të Premier League në dekadën e fundit, që do të mbërthejë pas ekranit miliona tifozë në mbarë botën të dielën në mitikun ‘’Anfield Road.’.
Do të diskutohen verdikte të rëndësishme për kurorën e artë të futbollit britanik. Liverpool me 63 pikë dhe Manchester City me 62, distancat nuk mund të ishin më të ngushta se kaq mes rivalëve të ashpër të viteve të fundit. Një kampionat deri më tani i paprecedentë i Premier League, me tre skuadra me pretendime serioze për titullin, pasi edhe Arsenali kandidon fuqishëm në krahun tjetër.
Infermieria i është përgjigjur në momentin e duhur ekipit të “The Reds”, me Mohamed Salah që pritet të jetë i gatshëm ndaj Man.Cityt, një ekip që e ka shndërruar në viktimën e preferuar me realizimet në përballjet e zhvilluara, plot 11. Dhe ndërsa Salah pritet të luajë rol të rëndësishëm në këtë takim, Jurgen Klopp do të jetë pa shërbimet e lojtarëve kyç si Alexander-Arnold, Allison, Diogo Jota, Curtis Jones, Granveberch dhe Thiago që mungon prej disa muajsh.
Nga ana tjetër, dyshimet e vetme për Pep Guardiolën janë Jack Grealish, Jeremy Doku dhe Matheus Nunes, por dy provat e fundit në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve ndaj Manchester United dhe Copenhagen konfirmuan se Citizens mbeten një ekip që bëjnë shkëlqyeshëm edhe me mungesën e disa ingranazheve.
Përballja e fazës së parë në “Etihad” ishte shumë taktike dhe shumë e kujdesshme nga të dyja palët, një barazim 1-1 që ishte krejtësisht surprizë nëse u referohesh ndeshjeve spektakolare të viteve të fundit. Por zhvillimi i duelit në “Anfield” është gjithmonë një recetë për spektakël dhe emocione. Tre përballjet e fundit në shtëpinë e 19 herë kampionëve janë mbyllur 1-4, 2-2 dhe 1-0, ndërsa Manchester City ka fituar vetëm një nga 20 ndeshjet e fundit në “Anfield” dhe të vetmin triumf e ka siguruar Pep Guardiola me rezultatin 1-4 në 2021, kur Liverpool vuante nga mungesa e shumë titullarëve.
Një përplasje taktikash, idesh dhe filozofish të ndryshme. Jurgen Klopp kundër Pep Guardiolës. Këtë herë do të jetë akoma edhe më speciale, pasi do të jetë hera e fundit që do të shohim Jurgen Klopp në pankinë kundër “the Citizens”, ndaj një kundërshtari që ka ndarë shumë rivalitet, beteja dhe emocione.
Mohamed Salah kundër Erling Haaland, pa dyshimin më të vogël, kanë qenë udhëheqësit e skuadrave të tyre në këtë sezon. Egjiptiani me 15 gola të shënuar, ndërsa norvegjezi me 18. Ndërsa sulmuesi i Man.City i ka shënuar vetëm një herë në pesë sfida Liverpoolit, me Virgil Van Dijk që gjithnjë është ngritur në lartësinë e detyrës në përballjet kundër “the Citizens”.
Të dielën në 16:45, miliona sy do të jenë nga kryesfida Liverpool-Manchester City. Jurgen Klopp do të kërkojë lamtumirën e duhur nga përballja më epike e kohëve moderne, sigurisht i shoqëruar nga koret e ‘’You’ll never walk alone’’ në “Anfield Road”.