“Shtëpitë e barit” ferri i të rinjëve shqiptarë në Angli

Erblin Jaku

Takimi me Fatbardhin nuk shkon aspak siç e kishim menduar. Është e vështirë të bindësh për intervistë një të ri të larguar nga kthetrat e krimit të organizuar në Angli. Në gjuhën zyrtare ata quhen “skllevër modernë”. Po flasim për historitë e dhimbshme të emigrantëve të pa ligjshëm shqiptarë që detyrohen të punojnë në kultivimin e kanabisit/hashashit në Mbretërinë e Bashkuar.

Të shtyrë nga një ëndërr e madhe, më e madhe se vëtë ata dhe nga një dëshirë për tu pasuruar shpejt, një pasuri si në filma, shumë të rinj kanë hedhur pas jetën e tyre në Shqipëri drejt një mundësie të artë në “shtëpitë e barit” në Angli.

Fatkeqësisht pas shumë pak kohësh e kuptojnë se ëndrra e madhe nuk ekziston më, dëshira për tu pasuruar është transformuar në një shpresë për të fituar lirinë, ndërsa mundësia e artë është kthyer në një ferr.

E lashë shkollën në vit të dytë dhe vendosa të vij në Angli tregon Fatbardhi, jeta e të cilit nuk ka asnjë lidhje me emrin e bukur shqiptar. I lindur në një familje të thjeshtë në Burrel, fëmija i madh i dy prindërve të përkushtuar dhe vëllai i vetëm i dy motrave më të vogla të cilat kanë dy vite pa e takuar. Tregon se nuk ishin një familje e pasur por me punën e babait asgjë nuk iu mungonte në shtëpi.

“Mami nuk ka punuar asnjëherë sepse është kujdesur për rritjen dhe shkollën tonë” tregon i riu që sapo ka mbushur 19 vjeç. Nuk e kishte menduar kurrë ikjen dhe ndërtimin e jetës larg familjes. I ndikuar nga kushurinjtë që vinin çdo verë për pushime dhe shoqëroheshin nga makina të shtrenjta e duke shpenzuar sasi të mëdha parash ëndrrat e adoleshentit mund të realizoheshin vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

“Unë nuk kisha lekë, babit nuk i kam treguar që do iki në Angli. Përmes disa shokëve i kam gjetur njerëzit që do të më sillnin këtu” thotë i riu që mendonte se ëndrrat e tij do të realizoheshin shumë shpejt. Trafikantët i kishin ofruar ta sillnin në Angli ndërsa pagesën mund ta shlyente duke punuar për ta në “bizneset” e shumta që kishin në Londër.

I bindur se e ardhmja do të ishte si emri i tij, 17-vjeçari braktis shkollën dhe niset në rrugën e cila do të kishte gjithçka përveç ëndrrave të tij fëminore. Sapo mbërrin në Angli e dërgojnë në vendin e përgatitur për të, punëtor në një shtëpi ku ishte mbjellur hashash. I bindur se ditët do të kalojnë shpejt ai nis punën e re e cila nuk ka asgjë nga fjalët e bukura që i ishin premtuar.

“Unë nuk kam dal asnjë ditë gjatë gjithë kohës që kam punuar aty. Flisja në telefon me familjen vetëm kur më jepnin leje ata dhe kurrë nuk ju kam treguar se çfarë isha duke bërë” thotë me zërin që i dridhet.

Ai nuk e kupton se çfarë do të thotë “skllavëria moderne” por kur tregon historinë e tij është në fakt një plagë e kohës që po jetojmë. I kishin premtuar 10 mijë pound për çdo here që do të nxirrnin në treg lëndën narkotike, por nuk i dhanë asnjë para.

Lexo edhe :  Ekstaza kolektive

Tregon se nuk ishin korrektë dhe se punoi aty gati një vit, pa u larguar asnjë ditë nga shtëpia. “Gjithmonë ma hidhnin fajin mua. Nuk ke punuar mirë prandaj nuk ka shumë prodhim” thotë Fatbardhi të cilat ëndrrat i janë shuar dhe botën e shikon me një tjetër sy.

Vendimin për të ikur e mori kur shtëpia ku ai punonte u sulmua dy herë nga banda kriminale për të vjedhur prodhimin që mund të gjendej aty. “As vetë nuk e di si kam shpëtuar dhe kam ikur nga shtëpia. Fatmirësisht atë ditë ishin edhe shefat aty dhe e panë vetë se si u bë gjendja” rrëfen Fatbardhi me një hije dyshimi gjatë gjithë kohës.

Thotë se aktualisht është i arratisur nga “shefat” që e sollën në Angli megjithëse koha që ka punuar për ta është më shumë se sa çmimi i transportit nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar. Sapo nisë të tregojë jetën e re si punëtor në lavazh, ndërtim apo ku të ketë mundësi largohet sepse me sa duket dikush në lokalin ku jemi takuar e njohu.

“Nuk e di a do të kthehem, nuk e di çfarë do të bëj këtu” dhe me këto fjalë Fatbardhi largohet për të vazhduar jetën si emigrant ilegal larg familjes, shtëpisë dhe Shqipërsë.

Trajtimi nga trafikantët e qenieve njerëzore për individët që tentojnë të emigrojnë ilegalisht është shpesh çnjerëzor dhe shfrytëzues. Raportet dhe hetimet mbi aktivitetet e trafikantëve në Shqipëri dhe gjetkë kanë dokumentuar abuzime të rënda, duke përfshirë dhunën fizike dhe psikologjike, sulmin seksual, punën e detyruar dhe privimin e nevojave bazë si ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor.

Trafikantët shpesh shfrytëzojnë dobësitë e viktimave të tyre, duke manipuluar shpresën e tyre për një jetë më të mire. Ata që tentojnë të migrojnë ilegalisht shpesh paguajnë shuma të mëdha parash për ta bërë këtë, dhe ata janë veçanërisht të cenueshëm ndaj trafikimit pasi mund t’u mungojë mbrojtja ligjore dhe shpesh janë të dëshpëruar, duke i bërë ata të ndjeshëm ndaj mashtrimit dhe detyrimit.

Për më tepër, viktimat mund të kërcënohen me dhunë ndaj tyre ose familjeve të tyre, nëse përpiqen të arratisen ose të rezistojnë. “Skllavëria e borxhit” është një tjetër taktikë e zakonshme e përdorur nga trafikantët, në të cilën emigrantëve u thuhet se kanë një borxh për transportin e tyre dhe detyrohen të punojnë në kushte të mjerueshme derisa të shlyhet, një shumë që shpesh fryhet në mënyrë arbitrare dhe e pamundur të shlyhet.

Është e rëndësishme të theksohet se përvoja e secilës viktimë është unike dhe shkalla e shfrytëzimit mund të ndryshojë, por ajo që i bashkon të gjitha këto raste është shfrytëzimi çnjerëzor që ndodh ndaj të gjitha këtyre fatkeqëve.

Autori është student në Master of Public Policy në The London School of Economics and Political Science./   S.M