A do ta miratojë Senati ligjin kundër pronësisë kineze të TikTok-ut?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të mërkurën një projektligj që do ta detyrojë aplikacionin e videove të shkurtra TikTok që përdoret nga 170 milionë amerikanë, të shkëputet nga kompania kineze ByteDance që e ka në pronësi, ose në të kundërt të ndalë aktivitetin në Shtetet e Bashkuara. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, projektligji përballet me kritika domethënëse për kufizimin e fjalës së lirë dhe mund të mos miratohet në Senat.

Pas disa vitesh shqetësimesh për privatësinë e të dhënave në aplikacionin popullor të mediave sociale, ligjvënësit amerikanë morën një masë të rëndësishme të mërkurën, që i kërkon TikTok-ut të shkëputet nga kompania kineze, ByteDance.

“Sot dërgojmë një mesazh të qartë se nuk do t’ua lejojmë kundërshtarëve t’i përdorin kundër nesh liritë tona”, tha ligjvënësja republikane Cathy McMorris Rodgers.

Me mbështetje të rëndësishme dypartiake, ligji bazohet tek shqetësimi se rrjeti TikTok përbën një rrezik për sigurinë kombëtare.

“Amerikanët duhet t’i bëjnë pyetjen vetes nëse dëshirojnë t’ia japin qeverisë kineze kontrollin e të dhënave të tyre, nëse dëshirojnë që qeveria kineze të kontrollojë informacionin që merr bazuar tek rekomandimet e algoritmit dhe nëse dëshirojnë që qeveria kineze të ketë mundësinë t’i shfrytëzojë më tej këto të dhëna”, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Kompania TikTok i ka mohuar këto akuza dhe e quan legjislacionin e ri një masë ndalimi. Ligjvënësit që e hartuan atë, e refuzojnë këtë pretendim.

“Synimi ynë është që TikTok-u të vazhdojë funksionimin, por jo nën kontrollin e Partisë Komuniste Kineze”, tha ligjvënësi demokrat Raja Krishnamoorthi.

Kina e dënoi miratimin e projektligjit.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë gjetur prova se TikTok-u rrezikon sigurinë kombëtare dhe e kanë vënë në shënjestër TikTok-un prej kohësh”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.

Lexo edhe :  Made for Germany, gjigantët ekonomikë bashkohen për investime

Shumë ligjvënës amerikanë dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se është e padrejtë vendosja në objektiv e një aplikacioni të caktuar dhe se kjo kufizon lirinë e shprehjes së amerikanëve.

“Masat ndaj TikTok-ut nuk janë vetëm kundër lirisë së shprehjes. Po i shkaktoni realisht dëm ekonomisë sonë kombëtare”, tha ligjvënësi demokrat Robert Garcia.

Legjislacioni i ri ka rikthyer debatin për privatësinë e të dhënave dhe liritë personale.

“Ka probleme më të mëdha se TikTok-u që po dëmtojnë jetesën e amerikanëve. Njerëzit nuk po përballojnë dot ushqimet dhe ne shqetësohemi për një aplikacion të mediave sociale”, thotë votuesja amerikane Cole Thomas.

“Siguria për të gjitha platformat është tashmë në qendër të vëmendjes dhe me të drejtë. Nuk kam shumë besim tek këto platforma dhe tek informacioni që na ofrojnë këto ditë. Jam shumë i shqetësuar për autenticitetin”, thotë votuesi amerikan Joe Judge.

Drejtuesi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer thotë se komisionet do ta shqyrtojnë këtë legjislacion, që pritet të përballet me sfida të rëndësishme ligjore.

“Qeveria amerikane do ta ketë tepër të vështirë të bindë gjykatën se kjo masë ndalimi është e kufizuar mjaftueshëm për të mbështetur privatësinë e të dhënave që kërkon qeveria, por se njëkohësisht nuk ekzistonin masa të tjera më pak kufizuese që mund t’i merrte qeveria”, thotë Caitlin Chin-Rothman, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Presidenti Joe Biden ka thënë se do ta nënshkruajë hyrjen në fuqi të ligjit, nëse ai miratohet në Senat. Zyrtarët e fushatës zgjedhore të presidentit Biden filluan këtë vit aktivitetin në rrjetin TikTok, në kuadrin e përpjekjeve për të ndikuar tek votuesit e moshave të reja./O.S

Të fundit

Kapet në autostradën Tiranë–Elbasan, kreu i një organizate kriminale

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 59-vjeçarin Ilir Kociaj (Koçiaj), kreun e një organizate kriminale ndërkombëtare, i shpallur...

Nisin sot aplikimet për zgjedhjen e programeve universitare, afati përfundon më 3 gusht

Maturantët shqiptarë kanë nisur sot procesin e aplikimit për përzgjedhjen e programeve të studimit në arsimin e lartë. Sipas njoftimit të bërë nga kryeministri...

“ZERO pasuri të paligjshme!”/ Meta reagon pas kërkesës për tu paraqitur në SPAK

Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më...

Çfarë po ndodh me këngëtarin e njohur? Fansat të zhgënjyer: I lodhur dhe pa energji

Justin Timberlake ka ngritur shqetësime serioze mes fansave pas një paraqitjeje të dobët në koncertin e tij të fundit në Georgia, vetëm pak ditë...

Muzeu ‘Kadare’, stacioni i preferuar/ Destinacioni kryesor i vizitorëve në Gjirokastër

Ata që zgjedhin të vizitojnë  Gjirokastrën nuk  largohen pa u ndalur    dhe  në  Muzeun Kadare. Muzeu është një nga pikat  më të vizituara në...

Lajme të tjera

Web TV