Në mungesë të Sali Berishës, luftën ndaj kundërshtarit politik e ka marrë Gazmend Bardhi dhe të besuarit e ish kryeministrit.
Edhe pse ditë festash, ata kanë mbledhur demokratët për të kryer takimet elektorale në kuadër të zgjedhgjeve të përgjithshme që do të mbahen në 2025.
Ish-kryeministri Sali Berisha është në “arrest shtëpie” që prej fundit të dhjetorit, ndërsa në pamundësi për ta mbajtur partinë të gjallë dhe të ishte në kontakt me demokratët ia delegoi atributet zëvendësit të tij Gazmend Barhdi, i cili po mban pozicionin e nënkryetarit të Rithemelimit.
Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bardhi mori një “revansh”, duke dhënë imazhin e liderit qoftë në nisma ligjore, kërkesë llogari apo në publikime skandalesh por edhe në komunikim me demokratët.
Bardhi i shoqëruar nga demokratët e tjerë, besnik të Berishës, kanë shkuar qytet më qytet për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme parlamenatre. Edhe pse ditë pushimi, demokratët kanë udhëtuar drejt Rreshenit ku kanë zhvilluar takime elektorale me demokratët e tyre.
Takimi
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, në një fjalim përpara demokratëve në Rrëshen ka komentuar ndër të tjera edhe arrestimin e drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, që ndërhyri në sistemin TIMS, Ervin Muçën. Salianji theksoi se uron që arrestimi dhe më pas vënia në arrest shtëpie e Muçës mos të jetë thjesht për truk, për të mos dhënë më tej llogari në Komisionin Hetimor parlamentar për sistemin TIMS.
Ai shtoi se gjithsesi opozita do të vijojë me denoncime për aferat e shumta të qeverisë. “OSBE ODIHR e ka thënë se zgjedhjet janë manipuluar. Opozita po fiton sot përditë e më shumë terren, tek zëri ynë në parlament, tek zëri i përfaqësuesve të PD në çdo cep të Shqipërisë. Puna po sjell transparencë dhe po ia heq një e nga një qeverisë. Nuk ka ndërhyrje më të rëndë sesa të hysh në TIMS.
Arrestuan drejtorin e IT në Policinë e Shtetit. Shpresoj mos të jetë truk, që mos japin llogari në Komisionin Hetimor parlamentar. Edi Rama është drejtpërdrejtë i përfshirë në afera. Rama ka ndërtuar një sistem, që asetet shettërore të jenë në duar të individëve të dyshimtë. E vetmja rrugë që kemi është që të përballemi me këtë regjim. Nëse kemi bashkim, betejë e cilësi, rezultati do të vijë. Fitore e suksese në zgjedhjet e 2025”, deklaroi Salianji.
Deputeti demokrat, Flamur Noka ka reaguar për pezullimin dhe masën e arrestit shtëpiak ndaj Ervin Muçës, drejtorit të IT-së në policinë e shtetit, i cili dyshohet se kopjoi të dhënat e sistemit “TIMS” pa pasur autorizim. Noka akuzoi ministrin e Brendshëm Taulant Balla se e kishte emëruar për këtë qëllim Muçën, ndërsa tha se çështja e të dhënave të sistemit “TIMS” duhet të hetohet nga SPAK. “Ervin Muça është i njëjti hajdut me çizme i Rilindjes që vodhi edhe sistemin e pagave nga Drejtoria e Tatimeve kur punonte aty dhe i bëri publike.
Emërimi i tij nga Taulant Balla, porosia që të merrte të dhënat e sistemit TIMS, duket sërish edhe te pezullimi i tij dhe urdhri i arrestit shtëpiak nga Prokuroria e Tiranës. Vepra e kryer prej tij dhe porositësve të tij është qartësisht nën juridiksionin e SPAK. Jo vetëm si përfshirje e lartë shtetërore, por edhe për objektin e hetimit, që janë të dhënat sensitive të sigurisë kombëtare”- tha Noka. Ish-kryetarja e parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli, në një fjalim të mbajtur me demokratët e Rrëshenit, deklaroi se Shqipëria sot është Republika e grabitjes. Topalli theksoi se demokratëve dhe shqiptarëve nuk iu falet nëse nuk reagojnë.
Ajo shtoi se edhe pushtuesi nuk i ka larguar shqiptarët në këto përmasa, sa janë larguar në këto kohë. “Shqipëria është në emergjencë për demokraci për të ndryshuar. Ne nuk na falet nëse nuk reagojmë, sepse ne jetojmë në Republikën e 5D, ne jetojmë në qeverisjen e ministrave investitorëve strategjikë, ne jetojmë në Republikën e grabitjes. Ne jetojmë në një vend ku kanë ikur shumë të rinj. Edhe pushtuesi nuk i ka larguar shqiptarët sa kjo qeveri. Jetojmë në vendin ku Tirana nuk ka teatër, nuk ka teatër të kukullave”, tha ajo.
Politika uron “Fiter Bajramin”
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përcolli urime për festën e Fitër Bajramit nga qyteti i Elbasanit.
Ai u shpreh se në këtë ditë feste besimtarët myslimanë kanë arsye të gëzojnë, pasi përmbushën me kënaqësi agjërimin, me qëllimin e vetëm që të bëhen njerëz më të devotshëm e të denjë për veten dhe shoqërinë. Një urim të veçantë Begaj u përcolli qytetarëve të Elbasanit për harmoninë mes njëri-tjetrit në respekt të besimeve të ndryshme.
“Jam këtu në këtë xhami të mrekullueshme të qytetit të Elbasanit, të rindërtuar në të njëjtin vend ku në vitin 1608 Hasan Balliu e ndërtoi për herë të parë. Në vitin 1967 u shkatërrua, dhe falë Zotit, u rindërtua përsëri në të njëjtin vend. Jam në Elbasan, ku është një traditë e shkëlqyer, ku përveç objekteve të shumta të kulteve të ndërtuara, besimtarët jetojnë në harmoni, si në të gjithë Shqipërinë.
Është një vlerë e madhe njerëzore, vlerë të cilën duhet ta ruajmë, ta promovojmë dhe ta trashëgojmë. Unë uroj çdo të mirë dhe begati për çdo shqiptar, për çdo besimtar. Gëzuar, dhe një herë, Fitër Bajramin!”, tha ai. Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Mirëmëngjes, Gëzuar Fitër Bajramin”, shkruan Rama. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. “Pas një muaji sakrificash, solidariteti, vetëreflektimi e gëzimesh, besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fiter Bajramit.
Bajrami i Madh, si një festival humanizmi, na rikujton se sa pasuri e pamasë është dhembshuria e Zotit, liria e besimit, dashuria për familjen e për njerëzit, shërbimi për të dobtit. Diversiteti i besimeve dhe patriotizmi i komuniteteve fetare është një pasuri e çmuar për Shqipërinë. Gëzuar Fiter Bajramin, vëllezër muslimanë!”, tha Nikolla.