Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla bëri me dije në nisje të seancës plenare të kësaj të enjteve se grupi parlamentar i PD ka votuar në mbledhjen e datës 3 prill, revokimin e të gjitha masave disiplinore të ndërmarra ndaj deputetëve demokratë gjatë kësaj legjislature.
Njohja e vendimit të grupit parlamentar të PD nga Kuvendi, bën që të rikthehen në këtë grup të gjithë deputetet e përjashtuar, mes tyre dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Kërkesa për shtimin në grupin parlamentar të PD, të deputetëve të përjashtuar është dërguar nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi.
“Ju njoftoj se grupi parlamentar i Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 3 prill 2024 kanë vendosur revokimin e të gjitha vendimeve për masa disiplinore të marra nga grupi gjatë kësaj legjislature”, tha Nikolla./ S.M